11.5 C
Tirana
Saturday, April 27, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetProjektligji për "fondet e pensioneve private", Mete: Nxit zhvillimin e tregut. Parashikohen...

Projektligji për “fondet e pensioneve private”, Mete: Nxit zhvillimin e tregut. Parashikohen politika lehtësuese fiskale

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, gjatë diskutimeve në seancë plenare ku në fokus ishte “Projektligji Për fondet e pensionit privat”, u shpreh ndër të tjera se ky projektligj ka si qëllim përmirësimin e bazës ligjore për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e këtij tregu dhe nxitjen e kursimeve për pension.

Sipas tij, projektligji vjen në përputhje me standardet europiane, si një instrument i dobishëm dhe i nevojshëm  përmirësimin e standardit të jetesës, përmes ofrimit të një pensioni shtesë, krahas pensionit të përfituar nëpërmjet skemës publike të pensioneve.

Totali i aseteve neto të fondeve të pensionit privat arriti në rreth 6,2 miliardë lekë, ndërsa numri i anëtarëve rezultoi rreth 37,600, me një rritje prej afro 3% krahasuar me fundin e vitit 2022”, tha Mete.

LEXO EDHE: “Me 43.03% të totalit”, Monitor: SIGAL UNIQA Fond Pensioni, më i madhi për nga vlera e aseteve

Ministri vuri në dukje se, përmirësimet në ligj adresojnë një sërë problematikash dhe mangësi të ligjit ekzistues, të miratuar në vitin 2009 dhe të pandryshuar apo përmirësuar gjatë gjithë këtyre viteve.

Ai tha se, projektligji parashikon dy forma të fondeve të pensionit: “Fond pensioni me pjesëmarrje të hapur” dhe “Fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur”, siç parashikohet edhe në direktivën IORP II të Bashkimit Europian.

Fondi me pjesëmarrje të hapur krijohet nga shoqëria administruese dhe nuk parashikon kufizime në anëtarësim. Anëtarë të këtij fondi mund të jetë çdo individ, i cili zgjedh të kontribuojë në fondin e krijuar nga shoqëria administruese, përfshirë punëmarrësit dhe punëdhënësit. Fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit të cilët krijojnë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur. Pjesëmarrja në këtë fond është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme”, tha Mete teksa theksoi se, “krijimi i fondit me pjesëmarrje të mbyllur merr rëndësi të veçantë pasi në këtë mënyrë shoqëritë shqiptare nxiten që përmes mundësisë për negocim me shoqëritë administruese të krijojnë fonde pensioni për punonjësit e tyre, duke sjellë rritjen e pjesëmarrjes në këto skema”.

Ministri theksoi se, risi tjetër janë rregullat mbi qeverisjen e shoqërive administruese, ndërsa parashikohen politika lehtësuese fiskale.

Projektligji parashikon gjithashtu lehtësi fiskale edhe për pagesat e marra nga anëtari i fondit të pensionit. Sot sipas ligjit në fuqi, pagesat e marra nga anëtari i fondit tatohen me normën e të ardhurave personale 15%, njëlloj si çdo e ardhur tjetër, ndërsa ajo që propozohet dhe parashikohet në projektligj është që pagesat e marra nga anëtari i fondit në mënyrë periodike mujore, në formë pensioni, të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet, pra që të zgjatet dhe koha e marrjes së pensionit, tatohen vetëm për kthimin nga investimi me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale”, tha Mete.

LEXO EDHE: Sistemi tre-kolonësh, nevojë e kohës dhe zgjidhje e problemit të pensioneve

Projektligji në fjalë mori dritën jeshile një ditë më parë në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Drafti i paraqitur muaj më parë në Kuvend vjen si një propozim i Shoqatës të Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve dhe AMF-së dhe synon të rrisë incentivat për të rritur investimet në fondet private të pensioneve.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat