16.5 C
Tirana
Wednesday, May 1, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet"Me 43.03% të totalit", Monitor: SIGAL UNIQA Fond Pensioni, më i madhi...

“Me 43.03% të totalit”, Monitor: SIGAL UNIQA Fond Pensioni, më i madhi për nga vlera e aseteve

Tregu i pensioneve private vullnetare u zgjerua më tej në gjysmën e parë të këtij viti.

Të dhënat e nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve arriti në 37 594 anëtarë.

Numri i anëtarëve të fondeve është zgjeruar me 3% ose 1076 anëtarë që nga fillimi i vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i tyre është rritur me 5.3%.

Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit qershor arriti në 6.19 miliardë lekë, në rritje me 8.6% që nga fillimi i vitit dhe me 20.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në mesin e këtij viti, në treg ishin aktive pesë fonde të pensioneve private, të administruara nga katër shoqëri të licencuara administruese.

Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 50.34% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 29.3%, Albsig Pension me 10.45%, Raiffeisen Pension me 9.77% dhe fondi më i ri, Smart Pension, me 0.14%.

Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 43.03% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension, me 29.6%, Raiffeisen Pension, me 21.03%, Albsig Pension me 6.17% dhe Smart Pension, me 0.17%, shkruan revista Monitor.

 

Me gjithë rritjen e qëndrueshme të viteve të fundit, depërtimi i pensioneve private dhe vlera e aseteve për çdo anëtar ngelen modeste. Më pak se 3% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve sot kontribuojnë për një pension privat në pleqëri.

Projektligji i ri për fondet private të pensioneve, që pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë, synon të rrisë incentivat për të rritur investimet në fondet private të pensioneve.

Projektligji parashikon rritjen e përjashtimit nga taksat si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve.

Aktualisht kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontribut, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

Sipas projektligjit, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritej deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40,000 lekë në muaj.

Projektligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.

Megjithatë, shoqëritë administruese të fondeve kanë kërkuar më shumë incentiva. Ato kërkojnë përjashtimin e plotë të përfitimit nga pensioni privat prej tatimit, duke përfshirë edhe edhe pjesën e kthimit nga investimi.

LEXO EDHE“Të hiqet tatimi 15% mbi pensionet private”/ Hasa: Paralizon tregun dhe dekurajon qytetarët

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat