Prej 2 ditësh në autostradat kryesore të vendit janë fikur dritat gjatë natës si masë për kursimin e energjisë në këtë periudhë krize.
Në hyrjen e autostradës Tiranë-Durrës fillon errësira. Dritat janë fikur si masë e ndërmarrë nga qeveria për kursimin e energjisë.
Dy ditë më parë në këtë segment 3 automjete u përfshin në një aksident, fatmirësisht pa pasoja në jetë njerëzish.
Nga vëzhgimi i Euronews, rezultoi se ndriçimi në orët e natës nuk ishte ndërprerë vetëm në segmentin Qafë Kashar – Rinas.
Janë të paktën 10 rrugë nacionale ku prej 2 ditësh është kufizuar ndriçimi.
LEXO EDHE: Aksident i rëndë në Fushë Krujë-Thumanë/ Parakalimi i gabuar i merr jetën shoferit, dy të plagosur
Të detyruar, shoferët në këto rrugë përdorin masivisht dritat e gjata të makinave të tyre duke u kthyer në rrezik për aksidente.
Ekspertët e sigurisë rrugore thonë se vendimi i ministrisë së Infrastrukturës për heqjen e ndriçimit në akset kombëtare me qëllim kursimin e energjisë mund të prodhojë aksidente.
Eksperti rrugor Arbën Luzi nuk e sheh të drejtë vendimin pasi sipas tij ndriçimi rrugor në akset kryesorë është domosdoshmëri për sigurinë e drejtimit të mjeteve.
“Kjo ul deri diku masën e sigurisë rrugore për disa drejtues mjetesh, të cilët nuk janë shumë të aftë në drejtimin e mjetit. Duhet ti shikojmë sepse një drejtues mjeti pavarësisht se u mësuam me detyrimin e ndriçimit i cili është në rrugët interurbane kryesore ose në autostrada duhet të ketë parësi drejtuesi i mjetit me dritat e shikimit të afërm. Nuk mund ti marr të gjitha masat për të evitur aksidentet”.
Sipas tyre, policia rrugore duhet të shtojnë patrullat e lëvizshme në mënyrë që të identifikojë shoferët problematikë.
LEXO EDHE: Janar-Shkurt 2022/ 217 aksidente rrugore, 32 viktima dhe 263 të plagosur