11.5 C
Tirana
Saturday, April 27, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetInvestimet e huaja në Shqipëri/ Kryeson Holanda, rriten ato austriake

Investimet e huaja në Shqipëri/ Kryeson Holanda, rriten ato austriake

Holanda është investitori më i madh i huaj në Shqipëri për të pestin vit radhazi.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, investimet holandeze arritën vlerën e 300 milionë eurove, ose 20% të fluksit total të investimeve të huaja.

Investimet e kompanive me aksionerë holandezë u rritën me 37% krahasuar me një vit më parë dhe Holanda ka ecurinë më të qëndrueshme mes investitorëve të huaj në ekonominë shqiptare vitet e fundit. Stoku i investimeve holandeze ka arritur në rreth 2.24 miliardë euro, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë.

Kryesimi i investimeve holandeze në vitet e fundit lidhet shumë me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.

Holanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të botës për shmangien e tatimit të dyfishtë, por edhe sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani.

Italia ishte investitori i dytë më i madh për vitin e kaluar, me një fluks total prej 203 milionë eurosh. Investimet italiane u rritën me 49% krahasuar me një vit më parë. Investimet italiane janë të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve.

Italia është gjithashtu një vend prej të cilit besohet se vijnë një pjesë e konsiderueshme e investimeve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme. Stoku i investimeve italiane ka arritur tashmë në 1.48 miliardë euro, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë.

Investitori i tretë më i madh për vitin 2023 vit ishte Turqia, me një vlerë të përgjithshme prej 179 milionë euro, në rritje me 208% krahasuar me një vit më parë.

Investimet turke i janë kthyer një rritjeje të fortë, pas rënies së vitit 2022. Biznesi turk vazhdon të ketë një prani të rëndësishme në ekonominë shqiptare, sidomos në sektorin e shërbimeve financiare, energjetikës dhe të industrisë minerale, etj. Stoku i investimeve turke ka arritur në 1.03 miliardë euro, në rritje me 21% krahasuar me një vit më parë.

Investitori i katërt më i madh i huaj për vitin e kaluar ishte Austria, me një total investimesh prej 119 milionë eurosh, në rritje të lehtë me 45% krahasuar me një vit më parë. Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, në sektorin energjetik, në shërbimet e hotelerisë, në sektorin e ndërtimit, etj.

LEXO EDHEÇerekshekull histori suksesi/ Ponari: Shkrirja me “UNIQA”-n, ngjarja më e madhe për SIGAL; Brandstetter: E mrekullueshme dhe e pabesueshme ajo ç’ndodhi para 25 vjetësh

Stoku i investimeve austriake arriti në 799 milionë euro, në rritje me 18% krahasuar me një vit më parë.

Investitori i pestë më i madh i huaj në Shqipëri për vitin 2023 u rendit Kosova, me 73 milionë euro, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë. Investimet kosovare në vitet e fundit po ndjekin një tendencë në rritje.

Kompani të rëndësishme kosovare janë pranishme kryesisht në sektorin e tregtisë. Stoku i investimeve kosovare ka arritur në 307 milionë euro, në rritje me 45% gjatë vitit të kaluar.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat