14.5 C
Tirana
Friday, April 26, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBilanci i 2021 dhe urimi për një 2022 më të mbarë!

Bilanci i 2021 dhe urimi për një 2022 më të mbarë!

Po mbyllim vitin e dytë të vështirë, që kur pandemia goditi globin. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Bota nuk është më ajo e para. Pandemia ndikoi negativisht ekonomitë, ndryshoi mënyrën se si njerëzit punojnë e ndërveprojnë, nxiti ekzistencën virtuale, ndikoi shëndetin mendor.

Mbi të gjitha, i vuri qeveritë kudo në botë përballë sprovave të jashtëzakonshme, së pari për të përballuar emergjencën shëndetësore dhe për të minimizuar humbjen e jetëve dhe, së dyti, për të mbështetur ekonomitë e dëmtuara nga kufizimet, e më pas për të ndihmuar rimëkëmbjen sa më të shpejtë. Karantinat e imponuara për muaj të tërë zhbalancuan kërkesën dhe ofertën, dhe ndikuan në zinxhirin e furnizimit, me pasojat që po ndihen sot në rritjen e shpejtë të çmimeve.

Pas rënies prej 4% në 2020-n, renditjes sërish si më të varfrit e Europës, me 30% të mesatares europiane, në vitin e dytë të pandemisë, Shqipëria mori pak frymë, të paktën në një drejtim, atë të ekonomisë. Vendi u ringrit me shpejtësi, duke arritur nivelet e parakrizës që në gjysmën e parë të vitit. Institucionet ndërkombëtare presin që ekonomia të rritet me 8% këtë vit.

Konsumi është rritur me shpejtësi, e reflektuar në shtimin e importeve dhe zgjerimin e ndjeshëm të të ardhurave doganore. Eksportet për 11-mujorin ishin 21% më të larta sesa periudha e parakrizës, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Rimëkëmbja u mbështet edhe nga mungesa e masave kufizuese, si në muajt e parë të vitit, kur pandemia arriti kulmin, ashtu dhe në fund të tij, ndryshe nga pjesa më e madhe e shteteve të tjera, që rikthyen shtrëngimet e pjesshme.

Ndryshe nga ekonomia, viti 2021 nuk ishte i mbarë për shëndetin. Vendi vijoi të kishte nivele të larta të vdekshmërisë shtesë, sidomos në pjesën e parë të vitit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se për gjithë 9-mujorin, në vend janë shënuar 21,471 humbje jete, me një rritje prej 18% në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s, për shkak të fataliteteve të larta që ndodhën, sidomos në tremujorin e parë të këtij viti.

Në krahasim me mesataren e 9-mujorit 2016-2019, fatalitetet në vend për janar-shtator 2021 janë rritur ndjeshëm me 31.6%. Ndoshta do të kalojnë vite, apo ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë (duke pasur parasysh mungesën e informacionit në vend), sesa nga këto jetë do të mund të ishin shpëtuar nëse sistemi shëndetësor do të kishte qenë në gjendje të përballonte mbingarkesën në spital dhe masat shtrënguese do të kishin qenë më të shënjestruara. Deri tani, është e dukshme që peshorja ka anuar nga ekonomia dhe jo nga jeta.

Administrimi i pandemisë, përveç tiparit që mbivendosi ekonominë ndaj shëndetit, edhe në ofrimin e mbështetjes ekonomike nuk favorizoi të voglin apo nevojtarin (Shqipëria kishte mbështetjen më të ulët në Europë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Me vetëm 1%, sipas FMN-së). Duhet të kalojë dhe pak kohë për të parë se cilat do të jenë pasojat në strukturën ekonomike të këtyre zhvillimeve.

Në këtë fundviti duam të gjejmë arsye për të qenë sa më optimistë për vitin që po vjen. Ekonomia, pa dyshim, do të vazhdojë rimëkëmbjen, pavarësisht pengesave si inflacioni, çmimet e energjisë, kriza e tregut të punës, apo ngadalësimi global, që mund të vijë nga masat e reja shtrënguese.

Shëndeti është më pak i parashikueshëm. Ndonëse ky fundviti ka qenë më i qetë, asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë me variantin e ri Omicrom, në vendin që ka ritmet e vaksinimit ndër më të ulëtit në Europë. Por, më e keqja, duket se është lënë pas.

/Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat