23.5 C
Tirana
Monday, April 29, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetMadhësia e sektorit financiar, Shoqëritë e sigurimit aktive në një vlerë sa...

Madhësia e sektorit financiar, Shoqëritë e sigurimit aktive në një vlerë sa rreth 2.8% e PBB-së

Madhësia e sektorit financiar në raport me ekonominë e vendit ka arritur nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë këtë vit.

Mbështetur në vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të vitit aktivitetet financiare të mbikëqyrura prej saj dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) kishin një vlerë totale aktivesh sa 122.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit.

Krahasuar me vitin 2020, madhësia e sektorit financiar, në terma realë, është rritur me afërsisht 4 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me vitin 2019 rritja është rreth 14 pikë përqindje.

Rritja e lartë e dy viteve të fundit i detyrohet shumë tkurrjes së fortë që pësoi ekonomia në 2020 për shkak të pandemisë, ndërkohë që, nga ana tjetër, aktiviteti i sektorit financiar në vend u ndikua në përmasa shumë të kufizuara prej krizës në fjalë. Kjo ka bërë që të gjithë sektorët të kenë sot një peshë më të lartë në PBB krahasuar me vitin 2019, ndërsa shumica e tyre janë në rritje edhe krahasuar me vitin 2020.

Pjesën e “luanit” në sektorin financiar e mban dukshëm sistemi bankar. Banka e Shqipërisë vlerësonte se asetet e sistemit në mesin e këtij viti kishin një vlerë sa rreth 109.6% e PBB-së së vendit, nga 105.9% që ishte pesha e këtij sektori gjatë vitit 2020.

Sistemit bankar përbën aktualisht rreth 90% të gjithë sektorit financiar në vend dhe ka qenë kontribuuesi kryesor në rritjen reale. Mbështetur në të dhënat më të fundit, që i takojnë muajit tetor të këtij viti, aktivet e sektorit bankar kanë arritur vlerën totale të 1.77 trilionë lekëve, me një rritje prej 9% që nga fillimi i vitit. Rritja po mbështetet nga përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së bilanceve dhe nga rritja me ritme të larta e depozitave në periudhën pas pandemisë.

Kontribuuesit e dytë më të mëdhenj në madhësinë e sektorit financiar janë institucionet financiare jobanka (IFJB) dhe fondet e investimit. Të dy këta segmente kanë një madhësi prej rreth 4.6% të PBB-së secili, në rritje me 0.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

IFJB-të patën një ndikim afatshkurtër nga pandemia, që u shtri kryesisht në tremujorët e dytë dhe të tretë të vitit 2020, ndërsa duke filluar nga tremujorit i fundit i vitit të kaluar iu kthyen rritjes pozitive. Ndërkohë, tregu i fondeve të investimit, pas një ecurie në stanjacion gjatë vitit 2020, këtë vit i është rikthyer rritjes me ritme dyshifrore (asetet neto u rritën me 11.5% nga fillimi i vitit deri në fund të 9-mujorit)

Shoqëritë e sigurimit në mesin e këtij viti zotëronin aktive në një vlerë sa rreth 2.8% e PBB-së së vendit, në nivele të përafërta me vitin 2020. Edhe në vlerë absolute, ky treg në gjysmën e parë të vitit shënoi një rritje modeste me 1.8% të vlerës së aktiveve, krahasuar me fundin e vitit 2020.

Vijojnë shoqëritë e kursim-kreditit, me 0.8% të PBB-së dhe fondet e pensioneve, me 0.3% të PBB-së. Edhe këto segmente të tregut janë shfaqur me ritme të larta rritjeje këtë vit, por madhësia e tyre relative ngelet ende shumë e vogël.

/E.Shehu, Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat