15.5 C
Tirana
Thursday, May 2, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetEuroizimi i sektorit bankar, aktivet në valutë kalojnë pragun e 1 trilionë...

Euroizimi i sektorit bankar, aktivet në valutë kalojnë pragun e 1 trilionë lekëve

Vlera e aktiveve të sektorit bankar në valutë të huaj jashtë vendit shënoi një rekord të ri në fund të tremujorit të tretë të vitit dhe kaloi për herë të parë vlerën e 1 trilionë lekëve.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator vlera e aktiveve në valutë arriti në 1 trilionë e 10 miliardë lekë (8.6 miliardë euro), në rritje me 12.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tashmë, aktivet në valutë përbëjnë 54.2% të totalit të aktiveve të sektorit bankar, ndërkohë që një vit më parë përbënin 52.1% të totalit. Kjo nënkupton një thellim të mëtejshëm të valutizimit dhe konkretisht të euroizimit të sektorit bankar. Pesha e aktiveve në valutë ka prekur nivelin më të lartë që prej vitit 2018, kur Banka e Shqipërisë prezantoi zyrtarisht strategjinë për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare ose të deeuroizimit.

Rritja e nivelit të euroizimit të aktiveve ngelet e lidhur ngushtë me rritjen e vazhdueshme detyrimeve, kryesisht të depozitave në valutë të huaj. Detyrimet në valutë shënuan gjithashtu një vlerë rekord në fund të tremujorit të tretë, në vlerën ekuivalente të 971 miliardë lekëve, me rritje vjetore prej 11.2%.

Depozitat në valutë dhe veçanërisht në euro edhe këtë vit po shënojnë ritme shumë të shpejta të rritjes. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit depozitat bankare në euro rezultonin në rritje vjetore me 17.7%, duke dhënë kontributin kryesor në rritjen e depozitave bankare.

Rritja e depozitave në valutë të huaj në thelb orienton edhe tendencat e përgjithshme të valutizimit të aktiveve. Bankat kanë kufizime rregullatore për pozicionet e hapur në valutë, që përfaqësojnë diferencën mes aktiveve dhe pasiveve në një valutë të caktuar. Kjo do të thotë se, nëse detyrimet dhe kryesisht depozitat në euro rriten, edhe aktivet do të kenë një tendencë për t’u rritur në të njëjtën valutë.

Rritja e depozitave në valutë ka ndikuar edhe në rritjen graduale të aktiveve të sektorit bankar të investuara jashtë vendit. Duke qenë se depozitat në valutë nuk mund të investohen të gjitha në tregun e brendshëm, ku alternative kryesore është kredidhënia për sektorin privat, një pjesë e mirë e tyre shkon në formë vendosjesh në banka të huaja ose investohet në instrumente financiare të emetuesve jorezidentë. Megjithatë, këtë vit rritja e aktiveve jorezidente paraqitet mjaft e ulët.

Në fund të shtatorit, vlera e aktiveve jorezidente arriti në 401 miliardë lekë, duke shënuar edhe në këtë rast një rekord historik në vlerë absolute. Megjithatë, aktivet jorezidente janë rritur me vetëm 0.6% krahasuar me një vit më parë.

Një arsye që mund të ketë ndikuar në frenimin e rritjes së aktiveve jorezidente është edhe rritja e shpejtë e normave të interesave, që ka krijuar pasiguri të lartë në tregjet e titujve.

Nga ana tjetër, që prej muajit gusht, Banka e Shqipërisë ka eliminuar normat negative të interesit për rezervën e detyrueshme dhe tepricat e mbajtura në euro nga bankat tregtare pranë saj, duke ndjekur lëvizjet e Bankës Qendrore Europiane.

Gjithashtu, një ndikim në frenimin e rritjes së aktiveve jorezidente ka pasur edhe emetimi i radhës i Eurobondit të qeverisë shqiptare në fund të vitit të kaluar. Bankat tregtare blenë rreth 50 milionë euro Eurobonde në emetimin e nëntorit 2021, ndërsa në vazhdim e rritën më tej portofolin nëpërmjet blerjeve në tregun dytësor./Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat