10.5 C
Tirana
Monday, April 29, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet20 mln euro dëme në 4 vjet/ Këshilli i Byrove: Kompanitë shqiptare...

20 mln euro dëme në 4 vjet/ Këshilli i Byrove: Kompanitë shqiptare të sigurimeve, të afta të përballojnë çdo dëm jashtë vendit

Si përkthehet dalja e Byrosë Shqiptare të Sigurimit nga ‘statusi i monitorimit’

Pas gati 10 vitesh, Këshilli i Byrove (Green Card Bureaux) ka nxjerrë Byronë Shqiptare Shqiptare të Sigurimeve nga “statusi i monitorimit“.

Gjatë mbledhjes së zhvilluar në fillim të muajit dhjetor, anëtarët e Bordit të Mbikëqyrjes të Këshillit të Byrove, pasi njohën progresin e arritur në vitet e fundit si dhe plotësimin e kritereve, vendosën të miratojnë heqjen e statusit të monitorimit për Byronë Shqiptare të Sigurimit.

Anëtarët e Bordit të Monitorimit bien dakort: të nxjerrin Byronë Shqiptare të Sigurimit nga Statusi i Monitorimit”, citohet ndër të tjera në vendimin e Green Card Bureaux.

Në vitin 2013, si pasojë e ekzistencës së detyrimeve të njëpasnjëshme të njoftuara ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimit, Këshilli i Byrove kishte urdhëruar vendosjen e BSHS, në status monitorimi.

Vendosja në këtë status nënkupton kufizimin e disa të drejtave përsa i përket pjesëmarrjes në votime mbi politikat e Keshillit te Byrove, krijimin dhe mbikëqyrjen e disa garancive që rrjedhin nga kjo anëtarësi, kufizime përsa i përket lëshimit të policave Karton Jeshil në kushte të posaçme etj.

Duke filluar nga viti 2019 e në vijim, siç citohet në Vendimin e Këshillit të Byrove, nga BSHS është kërkuar rivlerësimi i kritereve me qëllim daljen nga “statusi i monitorimit”.

Bordi i Mbikëqyrjes pranë Këshillit të Byrove, pas një korrespondence të gjatë dhe një analize të detajuar të çdo komponenti që lidhet me standartet dhe sigurinë financiare dhe ekzkutive të BSHS dhe anëtarëve të saj, ka vlerësuar se janë plotësuar në mënyrë të mjaftueshme rekomandimet e dhëna ndaj institucionit.

Cilat janë përgjegjësitë e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve nga anëtarësimi në Këshillin e Byrove

Sistemi i “Kartonit Jeshil” përbën një organizim të përbashkët të Byrove të të gjitha shteteve të Europës, veprimtaria e së cilës organizohet, monitorohet dhe udhëhiqet nën përgjegjësinë e Këshillit të Europës, i cili është një institucion i organizuar me seli në Bruksel.

Si anëtare e Këshillit të Byrove, Byroja Shqiptare e Sigurimeve ka përgjegjësinë dhe të drejtën që të emetojë/prodhojë përmes anëtarëve të saj (kompanive të Sigurimit), polica të sigurimit të detyrueshëm “Karton Jeshil”, me të cilat duhet të pajiset çdo drejtues mjeti kur dëshiron të udhëtojë me automjetin e tij (me targa shqiptare), në çdo vend të Europës.

Në bazë të kësaj të drejte, BSHS dhe anëtarët e saj, janë të detyruar që të shpërblejnë çdo dëm që mund të shkaktojnë automjetet shqiptare të pajisura me karton jeshil jashtë Shqipërisë, për shkak të shkeljeve që drejtuesit e mjeteve mund të kryejnë.

Detyrimi për sigurimin e mjetit me këtë lloj siguracioni (Karton Jeshil) për udhëtime jashtë Shqipërisë (përjashtuar Kosovën), përjashton qytetarin nga çdo përgjegjësi civile që mund të lindë nga shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe pasojave që vijnë nga drejtimi i mjetit nga ana e tij.

Në të kundërt, mospajisja me këtë siguracion, ekspozon çdo drejtues mjeti që për dëmët e shkaktuara jashtë territorit të Shqipërisë të përgjigjet personalisht për to, duke kujtuar që dëmet mund të jenë materiale dhe/ose shëndetësore me vlerë nga disa qindra, deri në miliona euro.

Kompanitë e sigurimit, anëtare të BSHS, kanë përgjegjësinë të paguajnë çdo dëm që automjetet me targa shqiptare shkaktojnë në rajon apo Europë.

Për garantimin e kësaj përgjegjësie, si shkak edhe të thirrjeve të njëpasnjëshme të kërkesave për rimbursim të këtyre dëmeve, BSHS u vendos nën monitorim në vitin 2013.

Por sot rezulton një tablo krejtësisht e ndryshme përsa i përket këtij treguesi, rrethanë e cila ka justifikuar dhe motivuar daljen nga ky statusi.

BSHS dhe anëtarët e saj kanë përgjegjësi që të trajtojnë dhe paguajnë sipas legjislacionit kombëtar çdo kërkesë për dëmshpërblim që rezulton mbi dëmet që një automjet me regjistrim të huaj (Europian) dhe i pajisur me Karton Jeshil, shkakton në Shqipëri.

Sigurisht që respektimi i afateve të trajtimit dhe vlerat e dëmeve të paguara në Shqipëri, kanë qenë një tregues me peshë të rëndësishme në vendimmarrjen e Keshillin te Byrove, për daljen nga statusi i monitorimit.

Reformat e ndërmarra nga BSHS që ndikuan në daljen “nga statusi i monitorimit”

Për shkak të angazhimit të Byroja Shqiptare e Sigurimit por edhe institucioneve të tjera bashkëpunuese në fushën e sigurimeve, fillimisht u ndërmor një reformë për ndryshimin e ligjit organik të BSHS.

Reforma ligjore u shoqërua edhe me ndryshime sttrukturore në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të saj.

U krijuan dhe parashikuan metodika të reja të menaxhimit të Fondit të Kompensimit dhe Fondit të Kartonit Jeshil, të cilat dhanë një impakt pozitiv në tërësi në tregun e sigurimeve dhe veçanti edhe ndaj Byrosë Shqiptare.

Ky reformim, që thjeshtësoi procedurat e dëmshpërblimit, afateve të shpejta të trajtimit, transparencën në raport me vlerësimin dhe shpërblimin e dëmeve, u raportua dhe analizua në vijimësi edhe nga Këshilli i Byrove, të cilët vlerësuar të efektshme ndryshimet që ndodhën në tregun e sigurimeve në vend, me pasoja rritjen e garancive dhe standardeve të BSHS në raport me gjithë homologët e tjerë anëtarë të Këshillit te Byrove.

Situata financiare e anëtarëve të Byrosë Shqiptare të Sigurimit

Për shkak të ushtrimit të përgjegjësive të saj, qoftë si Byro Garantuese ashtu edhe si Byro Trajtuese, BSHS, si çdo homolog tjetër në Europë, ka të ngritura disa fonde garancie të cilat janë financuar me burime të Shoqërive Anëtare.

Përgjatë rreth 8-9 vitesh nuk ka qenë asnjëherë e nevojshme debitimi i këtyre garancive qoftë nga BSHS ashtu edhe nga Këshilli i Byrove, duke dëshmuar se institucioni dhe anëtarët e saj, kanë patur mjaftueshmërisht burime financiare për të ushtruar aktivitetin dhe përballuar çdo dëm të ndodhur jashtë Shqipërisë.

Ky fakt i dokumentuar dhe analizuar nga Këshilli i Byrove, me të drejtë është interpretuar si stabilitet dhe qëndrueshmëri financiare e të gjithë anëtarëve sigurues.

Një tregues tjetër i rëndësishëm i verifikuar në kuadër të monitorimit, ka qenë edhe veprimtaria tregëtare e Shoqërive Siguruese në vend.

Ekzistenca e kapaciteteve financiare të dëshmuar jo vetëm përmes nivelit të pagesave të dëmeve por edhe të garancive financiare të ngritura nga anëtarët, është çmuar në masë të kënaqshme nga Këshilli i Byrove. Prej këtyre të fundit, është rekomanduar që këto garanci të mbahen në një masë të caktuar, e cila sigurisht që është më e ulët sesa rezervat aktuale të ngritura nga Shoqëritë në vend.

Situata aktuale e pagesave dhe detyrimeve e BSHS në raport me Këshillin e Byrove apo Byrotë Homologe në Europë

Treguesi më i rëndësishëm Byronë Shqiptare të Sigurimit është niveli i pagesave dhe detyrimet e kërkueshme nga homologët.

Së paku për periudhën 2019-2022, BSHS, përmes anëtarëve të saj, ka paguar për dëme të ndodhura jashtë Shqipërisë një shumë të konsiderueshme, rreth 20 milionë Euro.

Ajo që përbën rëndësi në këtë statistikë është fakti se prej së paku 3-4 vitesh nuk rezulton asnjë thirrje garancie përgjegjësi e BSHS dhe anëtarëve të saj.

Çfarë do të thotë kjo?

Byroja Shqiptare e Sigurimeve dhe anëtarët e saj nuk kanë asnjë detyrim të kërkueshëm as ndaj Këshillit të Byrove dhe as nga Byrove homologe në Europë.

Në çdo rast, kur një shoqëri/Byro nuk rimburson një dëm sipas afateve, atëherë Byroja Kreditore, ka të drejtën që përmes sistemit të Këshillit te Byrove të kërkojë rimbursimin e detyrueshëm të kësaj shume.

Pra, kjo përbën një tregues thelbësor dhe determinant për daljen nga stausi i monitorimit fakti se, BSHS nuk ka asnjë rast, së paku prej disa vitesh, që të ndodhet në pamundësi rimbursimi për shkaqe financiare të saj apo anëtarëve të saj.

Në arritjen e konkluzionit nga Këshilli i Byrove se: “Përgjatë takimit të 30 nëntor – 1 dhjetor 2022, anëtarët e Bordit të Mbikëqyrjes së Këshillit te Byrove, kanë konsideruar unanimisht se, rekomandimet e vendosura nga Komitetit i Monitorimit mbi stabilitetin financiar tashmë janë plotësuar nga Byroja Shqitpare…”, ka një bazë të konsiderueshme në rrethanën e mospasjes së asnjë detyrimi të kërkueshëm nga asnjë byro homologe.

Dalja nga “statusi i monitorimit” dhe ndikimi në të ardhmen

Me këtë vendim, Këshilli i Byrove vlerëson progresin e arritur në vitet e fundit dhe në të njëjtën kohë beson se përpjekjet e vazhdueshme janë të nevojshme për të ruajtur dhe përmirësuar progresin që keni arritur…”

Citimi i mësipërm i vendimit të Këshillit te Byrove, përmban brenda tij qoftë vlerësimin e arritjeve të bëra, ashtu edhe thirrjen për sfidat që tregu paraqet në të ardhmen.

I rëndësishëm është fakti se, ndërkohë që shumë byro të tjera (sidomos ato të rajonit), paraqiten me problematika të rëndësishme në drejtim të plotësimit të kritereve financiare dhe përgjegjësive ekzekutive si Byro Anëtare të Këshillit te Byrove, duke vendosur në pikëpyetje anëtarësinë e tyre të mëtejshme në këtë organizëm mbarëkombëtar, në antitezë, Byroja Shqiptare e Sigurimeve merr një Vendim që jo vetëm konfirmon plotësimin e përgjegjësive të saj, por heq barrët e panevojshme financare që rëndon funksionimin e saj, vetëm nga qenia në status monitorimi, një status i lënë pas krahëve tashmë.

Këshilli i Byrove (Green Card Bureaux)

Green Card Bureaux manaxhon sistemin e kartonit jeshil dhe koordinon aktivitetet e 47 vendeve të Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, duke garantuar që një i dëmtuar në një aksident rrugor, të shkaktuar nga një automjet i huaj (nga një vend tjetër pjesëmarrës) do të dëmshpërblehet në vendin e aksidentit.

Byroja e vendit të aksidentit, më pas, mund të rimarrë të gjitha kompensimet e paguara nga Byroja e vendit nga ka origjinën automjeti përgjegjës.

LEXO EDHE: Kartoni Jeshil, pasaporta për të udhëtuar jashtë Shqipërisë

Pa harruar edhe kërkesën e Këshillit të Byrove në adresë të Byrosë Shqiptare të Sigurimit që në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe organe të tjera ligjzbatuese, për monitorimin dhe kontrollin në pikat kufitare të vlefshmërisë së policave “Karton Jeshil” lëshuar nga kompanitë e sigurimeve.

Byroja Shqiptare e Sigurimit është përfaqësuese kombëtare në Këshillin e Byrove dhe përgjegjëse për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia në sistemin e Kartonit Jeshil. Në bazë të ligjit 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, mbikëqyrja e Byrosë kryhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

 

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat