27.5 C
Tirana
Tuesday, April 30, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetZyrtare nga INSTAT, në dy vite pandemi shënohen 14.6 mijë humbje jete...

Zyrtare nga INSTAT, në dy vite pandemi shënohen 14.6 mijë humbje jete shtesë

Në dy vite pandemi, pasojat në humbjen e jetëve në vend janë të larta, madje më shumë sesa ishte deklaruar fillimisht, teksa INSTAT ka rishikuar me rritje të dhënat për vdekjet për 9 mujorin 2021.

Që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte efektet e para në Shqipëri deri në fund të vitit 2021, në vend janë shënuar rreth 14.6 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019.

Të dhënat janë përpunuar nga Monitor, bazuar në treguesit demografikë tremujorë të INSTAT.

Lexo edheGripi dhe Omicron dyfishojnë vizitat në qendrat shëndetësore, pse mijëra shqiptarë kanë zgjedhur “TeleShëndet”

INSTAT raportoi treguesit demografike për tremujorin e katërt 2021. Për gjithë vitin 2021, në vend u shënuan gjithsej rreth 30.6 mijë (30,580) humbje jete, duke shënuar nivelin më të lartë rekord të arritur ndonjëherë në historinë e vendit. Ky është viti i dytë radhazi, kur fatalitetet në vend po rezultojnë të larta. Në vitin e parë të pandemisë, në 2020-n u regjistruan në total 27.6 mijë fatalitete, nga 21.8 mijë që ishte mesatarja e periudhës 2016-2019.

Në krahasim me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, vdekjet në vitin 2021 janë rritur me 40%. Edhe në 2020-n, vdekshmëria shtesë në raport me mesataren 2016-2019 u rrit me rreth 26%.

Rishikohen me rritje shifrat për 2021, tragjik tremujori i parë

Në tremujorin e fundit 2021 në vend janë regjistruar 7,837 humbje jete, nga  9,397 në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej 16.6%.

Ndonëse në rënie me të njëjtën periudhë të 2020-s, kur u shënua dhe vala e parë e fortë e pandemisë, sërish humbjet e jetës vijojnë të jenë më të larta se tremujori i katërt i 2019-s, kur ishte një periudhë normale. Në krahasim me mesataren 2016-2019 të së njëjtës periudhë, rritja e vdekjeve është 42% në tremujorin e katërt 2021.

Ndërkohë janë rishikuar me rritje të dhënat për tre tremujorët e parë të 2021, në krahasim me publikimin e mëparshëm të INSTAT.  Në tremujorin e parë 2021 kanë humbur jetën 10.2 mijë persona (nga 9.66 mijë që u deklarua fillimisht).

Ky është numri më i lartë i vdekjeve të deklaruara ndonjëherë në ndonjë tremujor (dhe gati sa gjysma e vdekjeve vjetore në një vit normal) dhe përkon me periudhën e valës së dytë të pandemisë, kur spitalet u mbingarkuan. Në total, për gjithë 9 mujoritn, INSTAT i ka shtuar fatalitetet edhe me 6%, ose rreth 1300 vdekje më shumë, sesa vlerësimi fillestar.

Mjekët shpjegojnë se përveç humbjeve të jetës, që janë të lidhura direkt me Covid-19, po konstatohen fatalitete te personat që e kanë kaluar infeksionin dhe ai u ka lënë pasoja të rënda në shëndet, duke u sjellë më pas vdekjen. Mjekët pohojnë se shumë pacientë po vuajnë simptoma të rënda pasi kanë kaluar Covid-19, ku më tipike është trashja e gjakut, që rrit probabilitetin për goditjet e lidhura më sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut.

Një tjetër faktor lidhet me mos marrjen e trajtimit në kohë për sëmundjet e tjera të rënda, apo mosidentifikimin e tyre në kohë, si rrjedhojë e problematikave që u shkaktuan nga karantina, apo frika e njerëzve për të shkuar në spital.

Vdekjet shtesë 4.5 herë më të larta se deklarimet zyrtare për humbjet nga Covid-19

Që nga fillimi i pandemisë (në 19 mars 2020 u raportua vdekja e parë)  deri në fund të vitit 2021, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar 3,217 humbje jete nga Covid-19, ose 4.5 herë më pak se shtesa e vdekjeve për të njëjtën periudhë.

Valët kulmuese të pandemisë

Vala më e rëndë e pandemisë është shënuar në fundin e 2020-s dhe fillimin e 2021-shit.

Sipas tremujorëve, shtesa më e lartë e jetëve të humbura në raport me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019 ishte në tremujorin e katër 2020 (+3,380) dhe të parin 2021 (+3,887). Pandemia filloi të japë pasoja në humbjen e jetëve që në tremujorin e tretë 2020 (+1,684), ndërsa efektet vijuan të ndiheshin dhe në prill-qershor 2021 (+1,067) dhe korrik-shtator 2021 (+1,466). Në tremujorin e katërt 2021, vala e pandemisë u përforcua dhe vdekjet shtesë ishin +2,320.

Të dhëna të tjera krahasuese me Europën, që janë të disponueshme deri në shtator 2021 tregojnë se Shqipëria, së bashku me dy vendet e tjera të rajonit, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut janë tre shtetet që kanë shënuar rritjen më të lartë të vdekshmërisë shtesë që nga marsi i vitit 2020, kur pandemia “pushtoi” gradualisht Europën deri në shtator 2021.

Të dhëna të tjera të Eurostat, për vdekjet javore, ku raporton dhe Shqipëria, tregojnë se për periudhën 2 mars 2020-19 shtator 2021, fatalitetet shtesë u rritën me 34.6%, duke e renditur vendin tonë të tretin në Europë, pas Kosovës me 43.3% dhe Maqedonisë së Veriut (42.6%). /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat