2.5 C
Tirana
Sunday, December 8, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRreziqet e klimës në ekonomi/ Bankat duhet të fillojnë të përgatiten për...

Rreziqet e klimës në ekonomi/ Bankat duhet të fillojnë të përgatiten për ndikimin te kreditë

Banka e Shqipërisë po studion dhe vlerëson ndikimin e mundshëm të rreziqeve të klimës në ekonomi dhe veçanërisht në stabilitetin financiar, sipas studimit “NEVOJA PËR TË KONSIDERUAR MENAXHIMIN E RREZIKUT TË KLIMËS EDHE NGA BANKAT NË SHQIPËRI”, nga Lindita Molishti, Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë.

Ekzistojnë tre lloje kryesore të rreziqeve klimatike: rreziqet fizike, të tranzicionit dhe ato ligjore.

Rreziqet fizike lindin nga rreziqet klimatike dhe ndryshimet afatgjata në modelet klimatike. Rreziqet e tranzicionit rrjedhin nga procesi i ndryshimit strukturor i nevojshëm në tranzicionin drejt një ekonomie me karbon të ulët, duke përfshirë ndryshimet në politikat klimatike, teknologjitë, sjelljen e konsumatorëve dhe preferencat e investitorëve.

Kombinimet e rreziqet e mundshme fizike nga kërcënimet e klimës, vijnë nga të gjithë sektorët e ekonomisë: ndërtimi, bujqësia, financa, peshkimi, turizmi, prodhimi, pasuritë e paluajtshme dhe nga infrastruktura. Për të vlerësuar ndikimet e mundshme të rreziqeve të klimës në ekonomi duhen marrë në konsideratë variablat që përfshijnë gjithë spektrin e ”inputeve” dhe “outputeve” për çdo sektor, të tilla si: rreziku i jetës dhe paaftësia për të punuar deri tek mungesa e furnizimit me ushqim apo dëmtimi fizik i aseteve dhe infrastrukturës.

Sipas studimit, bankave do u duhet të krijojnë një strukturë të re dhe të ngrenë aftësinë e tyre për të menaxhuar rreziqet e klimës, një detyrë e cila, në mungesë të të dhënave të disponueshme për çdo sektor të ekonomisë nuk është e lehtë.

Bankat duhet të fokusohen në nvestimin në energjinë e rinovueshme, impiantet rinovuese apo edhe teknologjitë adaptive kërkojnë nivele të konsiderueshme financimi. Këto investime përveç përmirësimeve në drejtim të emetimeve të karbonit, duhen parë edhe si oportunitet fitimprurëse për bankat.

Nafta dhe gazi, prodhimi i energjisë elektrike, pasuritë e paluajtshme, industria e transportit, makinat elektrike dhe bujqësia paraqesin mundësi të rëndësishme për investime të gjelbra.

Sfida nga rreziqet e ndryshimeve të klimës u kërkon bankave që të identifikojnë, të matin, të vlerësojnë dhe të monitorojnë ekspozimin ndaj rrezikut të klimës për portofolin e tyre aktual, si dhe të rishikojnë politikat e tyre të kreditimit dhe indikatorët për çdo kreditim të ardhshëm.

LEXO EDHEKush do ta paguajë kredinë e shtëpisë në rast fatkeqësie nëse nuk je i siguruar?

Një sektor i rrezikuar është turizmi.

Në Shqipëri, turizmi veror është i fokusuar kryesisht në plazhe. Deti Adriatik ka përjetuar një rritje mesatare të nivelit të detit prej rreth 15 cm gjatë shekullit të kaluar, duke çuar në një lëvizje tërheqëse të vijës bregdetare për çdo cm të rritjes mesatare të nivelit të detit.

Duke i shtuar këtij fenomeni edhe erozionin aktiv detar të shkaktuar nga abuzimi i ndërhyrjeve të njerëzve në menaxhimin e derdhjeve të lumenjve, atëherë mund të themi se çdo vit në Shqipëri zhduken qindra metra katrorë plazhe dhe thahen e shkatërrohen qindra pisha.

Parashikimet mjedisore sugjerojnë se:

  • brenda vitit 2030, plazhi i Patokut pritet të zhduket plotësisht, ndërsa plazhet e Kunës dhe Semanit do të mbijetojë vetëm pjesërisht;
  • deri në vitin 2050, pjesa më e madhe e plazhit të Kunës dhe Semanit pritet të zhduken.

Studimi për Rajonin e Mesdheut gjen se ndryshimi i klimës nuk ka shkaktuar ende zhvendosjet strukturore në flukset turistike mesdhetare, por shembujt në studim tregojnë se turistët po reagojnë ndaj ndryshimit të klimës.

Për shembull, destinacionet e Evropës veriore si Danimarka janë bërë më të kërkuara nga turistët belgë dhe holandezë, të cilët shmangin verën e nxehtë në Evropën Jugore dhe përfitojnë nga verat më të ngrohta në Evropën veriore.

Në Evropën Jugore, valët e të nxehtit mund t’i mbajnë turistët larg plazhit. Kjo ndodhi në Portugali gjatë verës së vitit 2018, kur temperaturat në Lisbonë kaluan 40 gradë dhe lajmet raportonin se temperatura në plazh arrinte deri në 30 gradë celsius që prej orës 8:30 të mëngjesit.

Temperaturat parashikohet të vazhdojnë të rriten në të gjithë Evropën Juglindore dhe Shqipëria, gjatë sezonit të verës, pritet të përjetojë temperatura akoma më të nxehta, me një rritje prej 2,4°C në 3,1°C gjatë qershorit deri në gusht.

Ndryshimet sezonale të temperaturave për Shqipërinë parashikojnë një zgjatje të sezonit të rritjes me 37 deri në 22 ditë nga veriu në jug.

Rreziqet fizike që vijnë nga këto ndryshime klimatike, sidomos ato të motit ekstrem ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi, duke dëmtuar kështu infrastrukturën publike dhe private, si dhe duke reduktuar vlerat e pasurive dhe produktivitetin.

Këto ngjarje mund të ndërpresin aktivitetin prodhues dhe tregtar, duke krijuar një mungesë të theksuar burimesh. Rikuperimi kërkon përdorim më të madh kapitalesh për rindërtimin dhe zëvendësimin e burimeve të nevojshme. Si rrjedhim, çdo dëm i shkaktuar mund të kthehet në një rrezik financiar për bankat, nëse ato janë të ekspozuara ndaj tij.

LEXO EDHERreziku i zjarreve, si të shpëtojmë shtëpinë dhe pronën

Efektet “spillover” dhe lidhjet ndërmjet sistemit bankar dhe makroekonomisë mund t’i përkeqësojnë edhe më tej këto ndikime dhe rreziqe. Për shembull, dëmtimi i aktiveve që shërbejnë si kolateral mund të krijojë humbje për bankat që përkthehen në kufizime për kreditimin në rajone të caktuara, duke reduktuar kështu financimin e domosdoshëm për rindërtimin e zonave të prekura. Në të njëjtën kohë, këto humbje dobësojnë pasurinë e familjes dhe mund të kthehen në një konsum të reduktuar.

Bankat duhet të kenë një hartë të sektorëve vulnerabël ndaj ndryshimeve klimatike, si për rreziqet fizike ashtu edhe për rreziqet e tranzicionit.

Harta e rreziqeve fizike duhet të tregojë ekspozimin e firmave të kredituar nga banka sipas gjeografisë së firmës dhe kolateralit në vendet e rrezikuara më shumë nga përmbytjet, zjarret apo tërmetet.

Bankat duhet të identifikojnë ekspozimet e portofolit të tyre ndaj rreziqeve fizike, të cilat kanë më shumë gjasa të ndodhin në Shqipëri, me qëllim matjen e vulnerabilitetit dhe adaptimin e politikave përkatëse ndaj humbjeve të mundshme, rekomandon studimi.

LEXO EDHE: Ndryshimet klimatike/ Rreziqet që i kanosen Shqipërisë gjatë vitit 2022, masat që duhen marrë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat