12.5 C
Tirana
Wednesday, May 1, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetOperatorët e pagesave duhet të sigurohen për dëmet që mund t’iu shkaktojnë...

Operatorët e pagesave duhet të sigurohen për dëmet që mund t’iu shkaktojnë klientëve

Institucionet financiare të ofrimit të shërbimeve të pagesave duhet të pajisen me një siguracion për mbulimin e përgjegjësive profesionale për dëmet që mund t’iu shkaktojnë klientëve të tyre gjatë ushtrimin të aktivitetit.

Një detyrim i tillë parashikohet në ligjin “Për shërbimet e pagesave”, që hyri në fuqi vitin e kaluar dhe policat e sigurimit (ose një garanci tjetër e krahasueshme) është pjesë e dokumentacionit për licencimin e subjektit si ofrues i shërbimeve të pagesave nga Banka e Shqipërisë.

Ligji përcakton si përgjegjësi që duhen siguruar kryerjen e transaksioneve të pagesave të paautorizuara, mosekzekutimin, ekzekutimin e gabuar ose me vonesë të transaksionit të pagesës, ndërsa në rastin e subjekteve që ofrojnë shërbimin e informimit të llogarisë, përgjegjësitë klasifikohen ato që që rezultojnë nga aksesi i paautorizuar ose përdorimi i paautorizuar ose me qëllim mashtrimi, i informacionit të llogarisë së pagesës. Banka e Shqipërisë ka përgatitur si fundmi edhe një projekt-udhëzim “Mbi kriteret për përcaktimin e shumës monetare minimale të siguracionit të dëmshpërblimit profesional ose të garancive të tjera të krahasueshme”.

Sipas rregullores, vlera minimale e siguracionit të dëmshpërblimit profesional (ose e garancive të krahasueshme) duhet të llogaritet duke mbledhur tre komponentë përbërës: shumën që pasqyron kriterin e profilit të rrezikut, shumën që pasqyron kriterin e llojit të veprimtarisë dhe shumën që pasqyron kriterin e madhësisë së veprimtarisë.

Kriteri i profilit të rrezikut do të bazohet në vlerën e kërkesave për rimbursim të marra (ose të parashikuara) nga subjekti, në numrin e transaksioneve të pagesës të iniciuara nga një subjekt që ofron shërbimin e inicimit të pagesës ose në numrin e llogarive të pagesave të aksesuara nga një subjekt që ofron shërbimin e informimit të llogarisë.

Kriteri i dytë, ai i llojit të veprimtarisë, merr në konsideratë nëse subjekti ofron ekskluzivisht shërbimin e inicimit të pagesës, shërbimin e informimit të llogarisë, të dy shërbimet njëkohësisht, nëse subjekti ofron shërbime të tjera pagesash, të parashikuara në ligj, si edhe nëse subjekti është përfshirë në veprimtari të tjera tregtare, përveç shërbimeve të pagesave.

Kriteri i tretë, ai i madhësisë së veprimtarisë, bazohet në vlerën e transaksioneve të iniciuara, për subjektet që ofrojnë shërbimin e inicimit të pagesës dhe në numrin e klientëve që përdorin shërbimin e informimit të llogarisë, për subjektet që ofrojnë shërbimin e informimit të llogarisë.

Shuma për të cilën subjektet duhet të sigurohen mund të jetë shumë e ndryshueshme në varësi të kritereve të mësipërme, megjithatë projekt-udhëzimi përcakton disa vlera dysheme.

Për shembull, për subjektet që nuk kanë mbushur një vit të plotë kalendarik në ushtrimin e aktivitetit, përdoret vlera e agreguar e të gjitha kërkesave për rimbursim të parashikuara nga subjekti në aplikimin për licencim. Nëse subjekti nuk disponon asnjë parashikim lidhur me kërkesat për rimbursim, ose nëse vlera që rezulton nga aplikimi i vlerës totale të parashikuar të kërkesave për rimbursim është më e ulët se ekuivalenti në lekë i shumës 50 mijë euro, në formulë vendoset vlera 50 000.

Ligji i ri “Për shërbimet e pagesave” hyri në fuqi më 1 janar 2021 dhe i linte Bankës së Shqipërisë një vit afat për miratimin e akteve të nevojshme nënligjore për zbatimin e tij. Megjithëse ky afat është përmbushur, kuadri nënligjor ende nuk është plotësuar.

Risitë kryesore të ligjit janë institucionet financiare të inicimit të shërbimit të pagesës dhe të shërbimin të informimit mbi llogaritë e pagesave. Paralelisht, ligji sjell edhe konceptin e bankingut të hapur, që detyron bankat të japin akses institucioneve të mësipërme në llogaritë e klientëve; kjo gjithmonë me miratimin e klientit dhe vetëm në funksion të veprimtarive të mësipërme. Kjo do t’iu krijojë më shumë hapësira ofruesve alternativë të shërbimeve të pagesave, kryesisht atyre të modelit fintech, për të konkurruar me bankat. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat