Shpenzimet e bankave për fondin rezervë të kredive me probleme janë në rënie të ndjeshme këtë vit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të 9-mujorit 2021 shpenzimet totale për provigjioneve për humbjet nga kreditë kishin vlerën e 836 milionë lekëve ose rreth 7 milionë eurove. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlera e provigjioneve të bankave për humbjet e mundshme nga kreditë ka pësuar një rënie me 84%.
Provigjonet për instrumentet e tjera financiare kishin vlerën e rreth 1.4 miliardë lekëve dhe kanë shënuar rritje krahasuar me një vit më parë, kur ishin në vlera negative (me rimarrje të provigjioneve). Megjithatë, ato zakonisht nuk japin një ndikim shumë të madh në rritjen totale të provigjioneve, sepse portofolet e sektorit bankar dominohen nga instrumentet finacniare me rrezik të ulët.
Gjatë vitit 2020, vlera e provigjioneve të bankave u ndikua shumë nga kriza e pandemisë dhe projeksionet e pafavorshme të lidhura me të.
Pavarësisht se Banka e Shqipërisë pezulloi përkohësisht detyrimet rregullatore standarde për riklasifikimin dhe provigjionimin e huave të shtyra ose të ristrukturuara, sërish bankat në përgjithësi ndoqën një linjë konservatore. Shumica e tyre i rritën ndjeshëm provigjionet dhe kjo u refektua në një rezultat më të ulët financiar krahasuar me vitin 2019.
Këtë vit situata është në përmirësim të ndjeshëm. Provigjionet kanë rënë dhe fitimet e sektorit bankar për periudhën janë pranë niveleve më të larta të dekadës së fundit.
Ulja e provigjioneve është e lidhur ngushtë edhe me ecurinë e raportit të kredive me probleme.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të shtatorit të këtij vitit ky tregues ra në 6.5%, niveli më i ulët i kredive me probleme i regjistruar që prej nëntorit të vitit 2008. Përmirësimi i ekonomisë reale ka ndikuar pozitivisht aftësinë paguese të subjekteve huamarrëse dhe ecuria e raportit të kredive me probleme po shfaqet dukshëm më e mirë se parashikimet. Pasi ekonomia u godit nga pasojat e pandemisë, pritej që të kishte një valë të vonuar në kohë të rritjes së kredive me probleme.
Gjatë periudhës kur efektet e krizës ishin më të forta, raporti i kredive me probleme nuk u rrit falë masave të përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, siç ishin shtyrja e pagesave apo ristrukturimi i kredive pa përkeqësuar statusin e huamarrësit.
Masat që mbështesnin ristrukturimet ishin në fuqi deri në fund të muajit mars të këtij viti dhe për shkak të afateve të përcaktuara në rregulloret përkatëse për klasifikimin e kredive me probleme pritej që efekti i tyre të vërehej duke filluar nga mesi i këtij viti.
Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, madje raporti i kredive me probleme ka vazhduar të ulet më shumë. /Monitor
Lexo edhe: Statistikat e Bankës së Shqipërisë: Numri i kartave bankare këtë vit është rritur me 5.3%