15.5 C
Tirana
Saturday, October 5, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetStatistikat e Bankës së Shqipërisë: Numri i kartave bankare këtë vit është...

Statistikat e Bankës së Shqipërisë: Numri i kartave bankare këtë vit është rritur me 5.3%

Numri i kartave të lëshuara nga bankat tregtare në Shqipëri arriti në 1 milionë e 332 mijë njësi në fund të tremujorit të tretë.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i kartave është rritur me 0.84% krahasuar me një tremujor më parë dhe 5.3% që nga fillimi i këtij viti. I shprehur në vlerë absolute, vetëm gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, numri i kartave bankare aktive është shtuar me pothuajse 68 mijë njësi.

Kartat bankare dominohen nga kartat e debitit të lidhura me llogaritë rrjedhëse të klientëve, që përbëjnë rreth 86% të numrit të përgjithshëm të tyre. Pjesa e mbetur ndahet mes kartave të kreditit dhe kartave me funksion paraje elektronike.

Paralelisht me rritjen e numrit të kartave, edhe këtë vit po vazhdon zgjerimi i infrastrukturës së pagesave të lidhur me përdorimin e tyre. Në fund të shtatorit, numri i bankomateve (ATM) arriti në 802, niveli më i lartë që prej vitit 2016.

Që nga fillimi i këtij viti, numri i ATM-ve aktive është rritur me 10% që nga fillimi i këtij viti. Numri i ATM-ve ishte reduktuar ndjeshëm nga procesi i konsolidimit të sektorit bankar, që e uli numrin e përgjithshëm të bankave nga 16 në 12.

Që nga viti i kaluar, numri i ATM-ve po rritet sërish, i shtyrë edhe nga efekte te pandemisë, që shtuan nevojën për një automatizim më të madh të shërbimeve bazë të pagesave. Përveç funksionit klasik të tërheqjes së parasë cash, ATM-të që po instalohen vitet e fundit ofrojnë edhe shërbimin e depozitimit të parave.

Tashmë, 30% e ATM-ve mundësojnë edhe depozitimin e parave, përveçse tërheqjen e tyre.

Ndërkohë, numri i pikave elektronike të shitjes për pagesa me kartë (POS) në tremujorin e tretë të këtij viti ka arritur nivelin më të lartë historik.

Sipas Bankës së Shqipërisë, tashmë bankat kanë aktive 13 350 pajisje POS, me një rritje prej 10% që nga fillimi i vitit.

Rritja e numrit të kartave bankare dhe sidomos e atyre të debitit si një produkt bazik, është një tregues i tërthortë i rritjes së depërtimit të shërbimeve bankare në shoqëri. Anketimet e bankës së Shqipërisë deri në vitin 2018 kanë treguar se vetëm 40% e popullsisë në moshë madhore zotëron një llogari bankare aktive. Për të rritur depërtimin e shërbimeve bankare, Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”.

Kjo llogari do t’iu ofrohet individëve rezidentë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.

Sipas projektligjit, tarifë e arsyeshme do të konsiderohet tarifa e cila nuk tejkalon 50% të nivelit mesatar të tarifës së aplikuar nga subjekti, për të njëjtat shërbime të ofruara nëpërmjet një llogarie të zakonshme pagesash. Megjithatë, bankat do të jenë të detyruara t’i ofrojnë shërbimet e pagesave me tarifë zero, për kategoritë që i përkasin grupit të konsumatorëve të cilët përfitojnë nga të drejtat e parashikuara në legjislacionin që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë. Këtu përfshihen përfituesit e pagesës së papunësisë, përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike, përfituesit e pagesës për paaftësi ose për aftësinë e kufizuar, përfituesit e pensioneve urbane dhe rurale në skemën e sigurimeve shoqërore, përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë, por edhe për kategori të tjera të përcaktuara me vendime të posaçme nga Banka e Shqipërisë. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat