Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se “Shqipërisë i duhet një reformë gjithëpërfshirëse pensionesh”.
Duke folur për marrëveshjen e bërë muaj më parë mes Italisë dhe Shqipërisë, Tabaku theksoi se “situata me pensionet në vendin tonë është dramatike”.
Ajo shtoi më tej se “prej kohësh kam ngritur me shqetësim situatën në lidhje me reformën e pensioneve që është implementuar këtu e 8 vite apo 9 vite më parë. Ka disa tregues që janë në përkeqësim dhe dhe nuk e them aspak me kënaqësi sepse të dhënat demografike janë kokëforte dhe numri i tyre që janë pjesë e skemës së pensioneve dhe norma e mbulimit të kontribuesit me përfituesit tregon që kemi të bëjmë me një skemë që ka përkeqësuar situatën ashtu sikundër është tregues me përkeqësim”.
Gjithashtu, Tabaku vuri në dukje se “janë 48% e pensionistëve që marrin një pension të ulët ndërkohë që reforma e pensioneve që u trumbetua nga socialistët një dekadë më parë ka dështuar për të siguruar një jetë dinjitoze për pensionistët në fshat dhe në qytet”.
Duke iu referuar shifrave, Tabaku tha se rezulton që pensionet e qytetarëve të jenë më pak se gjysma e rrogës mesatare në vend.
“Një pjesë e madhe e statistikave tregon që pensioni mesatar është thuajse 44% e pagës mesatare, pra një vlerë më e ulët sesa gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pra, të gjithë këto shifra e bëjnë tejet emergjente nevojën për të kaluar në një reformë pensionesh, në mënyrë që të trajtohen me dinjitet të gjithë pensionistët”.
Ekspertët: Ka ardhur koha për kolonën e dytë të pensioneve
Sipas ekspertëve të pensioneve, një zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të ishte vendosja edhe e sistemit vetëkapitalizues privat, “Kolona e dytë”, si pjesë përbërëse e sistemit të përgjithshëm të pensioneve, ashtu siç e kanë të gjithë vendet, madje edhe ato rreth nesh si Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova etj.
Këto situata që po kalon sistemi i pensioneve në Shqipëri kanë shtruar nevojën e reformimit të tij, dhe një nga sistemet që po instalohet dhe zhvillohet me sukses sot në Europë e më gjerë është vendosja e sistemit të Alternuar të Pensioneve, me dy komponentë të rëndësishëm, një sistem publik bazë i konsoliduar dhe një sistem privat i zhvilluar, i detyrueshëm për brezin e ri dhe vullnetar për të gjithë ata që duan një pension më të lartë.
Ky sistem presupozon një ndarje të kontributit në dy pjesë, kontribut shoqëror për skemën shtetërore PAYG dhe kontribut individual për skemën vetëkapitalizuese private.
Ndërsa skema vullnetare lihet e lirë, kush dëshiron më shumë pension në pleqëri, bëhet pjesëmarrës në këto skema.
Këtë model, krahas të gjithë vendeve të zhvilluara si Gjermania, Franca, Italia etj., e gjejmë edhe në Poloni, Hungari, Kroaci, Bullgari, Estoni, Rumani, Çeki, Sllovaki, Kosovë, Maqedoni e Veriut, etj., të cilat sipas kushteve konkrete kanë bërë ndarjen e kontributeve dhe ndjekin në dinamikë evoluimin e këtyre proceseve.
Vetëm tre vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Bosnjë e Serbi nuk e kanë kompletuar sistemin e pensioneve me kolonën e dytë private, kjo është edhe arsyeja që niveli i pensioneve në këto vende është shumë i ulët.
Sipas ekspertëve, sistemet private të pensioneve u japin zgjidhje mjaft problemeve që dikton koha:
Së pari, zgjidhin kontradiktën e brezave, duke e bërë brezin e ri më të interesuar për t’u siguruar;
Së dyti, zgjidhin problemet e shtrembërimit të tregut të punës, mjaft shqetësuese për ekonominë shqiptare, i cili zë rreth 32% të informalitetit, si në rastin e evazionit të zi, ashtu edhe të atij gri, mbasi lidhet shumë mirë masa e kontributit me atë të përfitimit.
Së treti, ofrojnë përfitime në kushte më të favorshme moshe, vjetërsie në punë e masë pensioni, si dhe kanë një transparencë e sistem fiskal mjaft favorizues.
Tregu i Pensioneve Private në Shqipëri
Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), numri total i anëtarëve në fondet private të pensioneve është rreth 38 mijë.
Në treg janë aktive pesë fonde të pensioneve private.
Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 50.3% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga SIGAL UNIQA Fond Pensioni me 29.3%, Albsig Pension me 10.4%, Raiffeisen Pension me 9.8% dhe fondi më i ri, Smart Pension, me 0.3%.
Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është SIGAL UNIQA Fond Pensioni me 42% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension, me 30.7%, Raiffeisen Pension, me 20.7%, Albsig Pension me 6.5% dhe Smart Pension, me 0.2%.
Me gjithë rritjen e qëndrueshme të viteve të fundit, depërtimi i pensioneve private dhe vlera e aseteve për çdo anëtar ngelen modeste. Më pak se 3% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve sot kontribuojnë për një pension privat në pleqëri. Edhe për nga vlera e aseteve, tregu i fondeve private ngelet ende segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri.
Ligji i ri “Për fondet e pensionit privat”, që hyri në fuqi fundin e vitit të shkuar, synon të rrisë incentivat për të rritur investimet në fondet private të pensioneve.
Ligji parashikon rritjen e përjashtimit nga taksat si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve.
Me ligjin e ri, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor rritet deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj.
Ligji i ri gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.




