12.5 C
Tirana
Sunday, October 13, 2024
spot_img
Faqe KryesoreOpinionShkaktarët e aksidenteve me fat

Shkaktarët e aksidenteve me fat

1927 aksidente kanë ndodhur në rrugët e Shqipërisë përgjatë vitit 2017, nga ku kanë humbur jetën 222 persona dhe janë plagosur 2254 të tjerë.

Ndërsa, nëse i referohemi këtij viti, vetëm për gjysmën e parë të 2018-ës, numërohen 1066 aksidente, nga ku kanë humbur jetën 98 persona. Pjesa më e madhe e këtyre aksidenteve është kryer nga grupmosha 25-35 vjeç.

Nëse do të kthehemi pas në kohë dhe të bëjmë një analizë të situatës në rrugët tona, që në vitin 1990, kur sapo dolëm nga një sistem ku vetëm udhëheqësit e lartë të shtetit mund të kishin automjete dhe deri në vitin që lamë pas (2017), ku pothuaj çdo familje shqiptare ka nga 2 ose më shumë makina, numërohen 29 764 aksidente rrugore, nga ku kanë humbur jetën 7 945 qytetarë dhe janë plagosur 28 604 të tjerë.

Këto shifra të ngjajnë me një bilanc lufte, dhe në fakt kjo është një luftë, por jo me armë dhe raketa, por luftë e një lloji tjetër: luftë me automjete.

Ky nuk është vetëm një problem shqiptar apo ballkanik, ky është një problem botëror. Çdo vit, si pasojë e aksidenteve, në të gjithë botën humbin jetën mbi 1.3 milionë njerëz dhe plagosen mbi 50 milionë të tjerë.

Nga ana tjetër, nëse e zvogëlojmë rrezen e veprimit dhe afrohemi tek rajoni ynë, në Ballkan, çdo vit humbin jetën rreth 1700 persona, si pasojë e aksidenteve rrugore.

Dita – ditës po ndeshemi me një epidemi të heshtur por të dhunshme dhe shpesh e neglizhuar nga strukturat shtetërore.

Dëmtimet dhe fatalitetet u ndodhin individëve, por impakti është kolektiv dhe prek pothuaj të gjithë shoqërinë. Aksidentet rrugore paraqesin një kosto të lartë ekonomike për Shqipërinë.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, vendet që nuk investojnë sa duhet në uljen e aksidenteve, mes tyre edhe Shqipëria, do të humbasin nga 7% deri në 22% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, potencial për një çerek shekulli. Ndërsa në tërësi, raportohet se mosveprimi i politikbërësve në këtë drejtim, përkthehet në plot 1.25 milionë vdekje në vit në të gjithë botën.

Një ulje prej 10% e vdekjeve në rrugë përkthehet në një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, me të paktën 3.6%.

Sipas statistikave, Shqipëria ka një normë prej 14 aksidentesh për 100 mijë banorë, shifër kjo e vlerësuar ndër më të lartat në vendet e rajonit.

Në një raport më të hershëm, Banka Botërore e rendiste Shqipërinë në vendin e tretë në Europë për normën më të lartë të vdekjeve në rrugë, përkatësisht 94 vdekje për 1 milion banorë.

Aksidentet e shumta rrugore në Shqipëri lidhen direkt me investimet e pakta në mirëmbajtjen e rrugëve. Nga analizat e bëra në rang botëror, pjesa më e madhe e aksidenteve që vjen si pasojë e dëmtimeve të trafikut rrugor, ndodhin në vendet me të ardhura të ulta ose të mesme, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Nga ana tjetër, aksidentet e shumta në Shqipëri lidhen edhe me një sërë arsyesh të tjera, si: shpejtësia tej normave të lejuara, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, alkooli dhe substancat e tjera të palejueshme, qarkullimi në rrugë i mjeteve të vjetra tejet të amortizuara, përdorimi i gomave të përdorura etj.

Dikush do thotë, po kjo dihet dhe nuk është problematikë vetëm e jona, por është shqetësim botëror. Po, është e vërtetë që aksidentet janë një nyjë problematike për të gjitha vendet, por ajo çfarë na diferencon ne nga vendet e tjera është moszbatimi i rregullave dhe ligjeve dhe mosndëshkimi i fajtorëve.

Fakti që në Shqipëri numri i aksidenteve është gjithmonë në rritje tregon se hallkat e sistemit nuk funksionojnë siç duhet dhe se fajtorët e aksidenteve nuk penalizohen, qoftë ligjërisht apo edhe financiarisht.

Vetëm në Shqipëri ndodh që të shkaktosh aksident (një ose disa), të bëhesh burim rreziku për jetën e personave të tjerë, përveçse për veten, dhe sërish të paguash të njëjtin prim (çmim) për siguracionin. Në asnjë vend të botës nuk ndodh ky paradoks! Nëse shkakton një aksident, me pasoja të rënda apo të lehta çfarëdo qoftë, duhet të paguash më shumë për siguracionin e radhës, sepse logjikisht ky është një person me një potencial të lartë për të shkaktuar një tjetër aksident, që do të thotë më shumë aksidente, më shumë persona të lënduar apo fatkeqësisht jetë të humbura, më shumë dëme financiare e kështu me radhë.

Statistikat tregojnë se 10% e drejtuesve të automjeteve në Shqipëri shkaktojnë mbi 2 aksidente në vit. Këta shkaktarë aksidentesh konsiderohen “me fat” sepse, duke përjashtuar rastet kur pësojnë dëme shëndetësore, ata nuk kanë asnjë penalitet. Primi i sigurimit nuk u rritet këtyre individëve, marrin para edhe si shkaktar edhe si i dëmtuar, sepse përfitojnë nga sigurimi “Minikasko”, me të cilin kushdo që shkakton aksident, është apo nuk është fajtor, dëmshpërblehet.

Madje absurdi më i madh është se edhe personat e pasiguruar, ka raste që përfitojnë para nëpërmjet dëmshpërblimit nga kompanitë e sigurimeve, sepse Byroja e Sigurimeve dhe vetë kompanitë e sigurimeve nuk e çojnë çështjen në regres për ti marrë të pasiguruarit shumën e parave që vetë ata kanë paguar si dëmshpërblim për personin e dëmtuar në aksident.

Aktualisht numërohen mbi 2 mijë shkaktarë dëmesh të pasiguruar, ku një pjesë e tyre përfiton nga dëmshpërblimi edhe pse nuk kanë siguracionin e detyrueshëm të automjetit dhe qarkullojnë në kundërshtim me ligjin në rrugët e Shqipërisë. Kush do ti paguajë 30 milionë Euro që janë të mbartura nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve, pikërisht për shkak të këtyre individëve që nuk sigurohen dhe shkaktojnë aksidente?

Ti paguajnë qytetarët e rregullt, ata që pajisen me siguracione rregullisht dhe që nuk shkaktojnë asnjë aksident, sikundër ndodh aktualisht? Apo të forcojmë ligjin dhe të fillojmë ta zbatojmë atë, duke bërë që çdokush të paguajë aaq sa meriton?!

I gjithë ky kaos dhe padrejtësi vjen si pasojë e mungesës së sistemin bonus-malus, ndaj dhe paguajnë njëlloj për sigurimet si ai që ka shkaktuar disa aksidente si ai që nuk është përfshirë kurrë në aksident; paguan njëlloj si ai që ka makinë me 7 mijë kubikë dhe si ai që ka veturë me 2500 kubikë.

Në çdo vend të botës, dretjuesit e automjeteve kanë një historik, njëlloj CV-je, të cilës iu referohen kompanitë e sigurimeve dhe ai qytetar që nuk ka shkatuar kurrë një aksident e përfiton siguracionin e automjetit të tij shumë më lirë sesa ai që ka shkaktuar 1 apo më shumë aksidente.

Është domosdoshmëri akute që të fillojë të funksionojë sistemi, ku secili të paguajë ‘aq sa meriton’, përndryshe do të duan të gjithë të bëjnë aksidente që të përfitojnë nga sigurimet, për pasojë shifrat që citova në fillim do të jenë edhe më alarmante. E atëherë nuk do kishte nevojë për një luftë me armë për Shqipërinë, sepse luftën po e zhvillojmë me aksidente.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat