Sigurime.Online mbledh komente dhe narrativa nga më të ndryshme, nga perspektiva e të siguruarve dhe e siguruesve.
Një ndër narrativat më demostruese që përzgjodhëm për artikullin e sotëm është kjo:
“Pata rreth 10 mijë euro dëm. Nuk mora 100% të dëmit. 90% më paguan. Bën ç’bën, po një 10%-sh e mbajtën”, raportoi me sinqeritet i siguruari.
Sigurime.Online e veçoi menjëherë këtë histori për ta demontuar e për të nxjerrë disa mësime dhe apele shumë domethënëse në kuadër të edukimit financiar.
Në pretendimin e mësipërm kuptohet qartë se i siguruari nuk e ka kuptuar mirë kontratën e tij.
Pyetja jonë e parë ishte: “Sa pjesë të zbritshme keni në kontratë?”
Nga përgjigjja i siguruari dëshmoi se as që e dinte që në kontratën e tij flitej për një pjesë të zbritshme.
Mandej u duk qartë që as nuk e njihte konceptin e pjesës së zbritshme.
Pjesa e zbritshme është shumë ose përqindje, e përcaktuar në policën e sigurimit e cila mbulohet nga i siguruari. Në të gjitha rastet kjo vlerë i zbritet vlerës së dëmit.
Pjesa e zbritshme është praktikë globale e fushës së sigurimit, shprehet në kontratë dhe quhet ndryshe deductible.
Pjesa e zbritshme aplikohet nga siguruesit për të ndarë riskun me të siguruarin, për të shmangur dëmet shumë të vogla dhe abuzimet, si edhe për të nxitur më shumë kujdes ndaj pasurisë së siguruar.
Ajo ndihmon në uljen e kostove të kompanisë së sigurimit dhe, si rezultat, mban më të ulëta edhe primet e sigurimit për klientët.
Në rast se shprehet në kontratë, pas ndodhjes së ngjarjes së sigurimit, pasi i siguruari pëson dëm, për të zbatohet pjesë e zbritshme.
Siguruesi do të zbresë nga dëmshpërblimi i llogaritur pjesën e zbritshme të përcaktuar në policën e sigurimit në shumë absolute ose në përqindje.
Për shembull, nëse në kontratë sigurimi shprehet se pjesa e zbritshme është 10%, nëse dëmi që pëson i siguruari është 10 mijë euro, sipas kontratës 9 mijë euro i dëmshpërblen siguruesi dhe 10%, ose 1 mijë euro, i mbulon i siguruari me shpenzimet e tij.
Si rregull kontrata është firmosur nga i siguruari dhe si e tillë, ligjërisht, sigurueshi nuk i ka mbajtur asnjë 10%-sh. Thjesht ka aplikuar një parimet më të njohura të sigurimeve në botë: deductible-n.
Pretendimi që Sigurime.Online veçoi vetëm sa përshkruan mosnjohjen dhe kulturën e ulët financiare.
Nga rasti gjejmë shkak të apelojmë: lexim të kujdesshëm të kontratave. Nëse aty shprehet se pjesa e zbritshme është 10%, nëse dëmi do të jetë në vlerën X dhe vlera X është brenda shumës limit të mbulimit të kontratës suaj, ju nuk mund të përfitoni më tepër se sa X-10% nga siguruesi.
Çdo pretendim jashtë kësaj formule është i pabazuar.




