13.5 C
Tirana
Tuesday, April 23, 2024
spot_img
Faqe KryesoreOpinionPse Shqiptarët janë të zbuluar financiarisht?

Pse Shqiptarët janë të zbuluar financiarisht?

Ndodh një shkëndinjë elektrike dhe shumë familje mbeten në qiell të hapur, pa asnjë mundësi për të rindërtuar nga e para shtëpinë dhe orenditë. Siguracion s’kanë, fondet e shtetit janë të limituara për të mos thënë zero për këto raste, vetë familjarët nuk kanë para për të rikthyer atë që humbën në gjendjen fillestare, dhe ajo që ndodh është se kjo familje mbetet e rrënuar për gjithë jetën.

Ndodh një shpërthim bombule gazi dhe përveç shtëpisë dhe orendive, familjarët përfundojnë me plagë të rënda në spital. Sërish s’ka asnjë lloj sigurimi, që të mbulojë financiarisht familjarët e dëmtuar.

Ndodh një aksident në një rrugë ku po punohet apo rikonstruktohet dhe sërish ka dëme materiale dhe shëndetësore, të cilat natyrisht që përkthehen në katastrofë ekonomike për atë familje që i ndodh ngjarja.

Ndodh një vdekje në spital nga pakujdesia e mjekut dhe nuk ka asnjë kompensim financiar, sepse mjeku nuk e ka siguracionin që e mbulon atë nga përgjegjësia profesionale nëse ndodh një ngjarje aksidentale.

Ndodh një helmim në restorant, dhjetëra qytetarë përfundojnë në spital, por edhe në këtë rast nuk ka asnjë kompensim financiar, sepse restorantet në Shqipëri nuk janë të siguruar për dëmet që mund t’u shkaktojnë klientëve.

Më e fundit ngjarje që ndodhi ishte ajo e para pak ditëve kur një furgon me nxënës, teksa po shkonte në shkollën e Çorovodës, doli jashtë rruge dhe përfundoi në kanal. 10 nxënës u plagosën, nga të cilët një 18-vjeçare akoma ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Furgoni i nxënësve, përveçse në gjendje shumë të amortizuar, nuk kishte as siguracionin e detyrueshëm, atë që shpesh Shqiptarët e konsiderojnë si letrën për t’ja treguar policit që mos të të ndalojë në rrugë.

Por ajo që shumë individë e konsiderojnë thjeshtë “një copë letër”, në fakt është një kontratë sigurimi, që mbulon përgjegjësinë e drejtuesit të automjetit ndaj palëve të treta. Në rastin në fjalë, kjo kontratë sigurimi (që në këtë rast mungonte) do të bënte të mundur që të gjitha dëmet shëndetësore e materiale të nxënësve të mbuloheshin nga kompania e sigurimit.

Pyetja që shtrohet është: Përse jemi kaq të zbuluar? Përse qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë lloj mbulimi e mbrojtje financiare siç ndodh me qytetarët europianë dhe në të gjithë botën?

Po si mundet të hipin në një makinë pa siguracion nxënësit çdo ditë? Ku janë drejtuesit e shkollës dhe arsimit që e lejojnë një gjë të tillë? Po prindërit si mund të lejojnë që fëmijët e tyre të transportohet për në shkollë me një mjet të tillë? Ku është policia e shtetit, e cila ka detyrim të kontrollojë çdo automjet që të mos qarkullojë pa dokumentet e duhura? Përse policia e ka lejuar një mjet të tillë të qarkullojë çdo ditë pa asnjë dokument dhe duke vënë në rrezik jetën e nxënësve?!

Jemi koshientë që aksidentet ndodhin, për arsye nga më të ndryshmet dhe nuk mundet dot të bëjmë gjë. Por ama ka aksidente që mund të parandalohen. Ka ngjarje që mund të parandalohen dhe ka ngjarje që mund të rikuperohen financiarisht! Por si ndodh kjo?

Kjo ndodh nëse të gjitha hallkat e bëjnë detyrën e tyre siç duhet.

Kjo do të ndodhte edhe në rastin e këtij aksidenti, nëse drejtuesi i mjetit do ti kishte bërë të gjitha shërbimet që duhen automjetit të tij dhe do ta kishte pajisur atë me dokumentet e nevojshme, përfshirë këtu edhe siguracionin; Kjo do të ndodhte nëse prindërit nuk do ti kishin lejuar fëmijët e tyre që të shkonin në shkollë me një mjet të tillë; Kjo do të ndodhte nëse shkolla do të detyronte drejtuesin e mjetit që të pajisej me dokumentet dhe shërbimet që i duheshin automjetit, në të kundërt të mos lejonte që nxënësit të shkonin në shkollë me atë mjet; Kjo do të ndodhte nëse edhe drejtuesi i mjetit do të ishte testuar nga strukturat përkatëse për aftësitë e tij fiziko-shëndetësore; Kjo do të ndodhte nëse policia do ta kishte bërë detyrën e vet, duke e kontrolluar mjetin për dokumentet që duhet dhe të mos e lejonte të qarkullonte pa dokumente.

E pra janë një sërë faktorësh që shkojnë zinxhir, e që njëri po u prish nuk fuksionon e gjithë skema, e jo më kur nuk funksionojnë shumica prej tyre!

Në Shqipëri qarkullojnë rreth 600 mijë automjete, prej të cilave 30% janë të pasiguruara. Kjo është një shifër mjaft e qartë për të kuptuar sesa dobët funksionon zinxhiri që përmenda më lart dhe sesa në mëshirë të fatit janë qytetarët tanë.

Nëse shkoni në Gjermani dhe pyesni kush është kryetar i Landit të cilit ata i përkasin, do të thonë nuk e dimë. Nëse shkoni në Zvicër e të pyesni zviceranët se kush është ministër i ekonomisë ata s’dinë të ta thonë dhe as që duan t’ja dinë. Dhe a e dini pse? Sepse ata nuk kanë nevojë as për ministër, as për kryetar bashkie, as për kryeministër dhe as për asnjë politikan, sepse janë të pavarur. Ata e dinë se te cila kompani janë të siguruar, qoftë për makinën, për shtëpinë, shëndetin, pensionin apo për çdo gjë tjetër që u nevojitet. Dhe kjo i intereson çdo qytetari europian, sepse sigurimet të bëjnë të pavarur.

Nëse e ke të siguruar shtëpinë, nuk ke nevojë të endesh në dyert e zyrave të shtetit për të kërkuar ndihmë ekonomike nëse ajo të digjet apo përmbytet; Nëse e ke të siguruar shëndetin nuk ke përse pret në radhë në spitalet e shtetit apo të rrish tek dera e Ministrisë së Shëndetësisë për tu aprovuar ndihma për ta çuar nënën apo babain për një ndërhyrje jashtë vendit; Nëse një blegtori nga sëmundja apo përmbytja siç ndodh shpesh në Shqipëri i ngordh bagëtia nuk ka nevojë të endet zyrave të shtetit për kompensim, por do t’ja kompensonte të gjitha kompania e sigurimit nëse kishte një kontratë sigurimi për të mbrojtur financiarisht investimin e tij në bagëti.

Që qytetarët të mos mbeten të varur nga shteti dhe premtimet elektorale të shtetarëve, që qytetarët të mos ende dyerve të zyrave të shtetit dhe të mos kthehen në individë qaramanë e pa personalitet, duhet që skemat private të fillojnë të funksionojnë si në çdo vend të botës. Prandaj dhe Zvicra, Austria, Hungaria, Bullgaria etj, janë aty ku janë sepse këto skema, skemën e sigurimit të shëndetit, të pensionit privat, të sigurimit të jetës, të shtëpisë dhe të çdo gjëje tjetër me vlerë, të cilat funksionojnë më së miri dhe janë bërë pjesë e kulturës së çdo qytetari. Ndaj edhe një zvicerian, ausriak, gjerman apo kujtdo kombësie tjetër nuk e di se cilin ka kryeministër, cilin ka ministër apo kryetar bashkie sepse nuk ja ka nevojën asnjë shtetari.

Në Shqipëri, shteti nuk ka për të na i “falur” kurrë këto programe, për një mijë e një arsye, por mbi të gjitha sepse nuk i intereson që qytetarët të jenë të pavarur.

Nëse duam që të jemi si çdo qytetar tjetër në Europë e botë, duhet të mësojmë ti bëjmë pjesë të kulturës tonë sigurimet dhe të gjitha skemat që na japin zhvillim, na japin liri e mbi të gjitha na japin personalitet.

Ka ardhur koha të paguajmë për veten dhe jo për të tjerët!

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat