14.5 C
Tirana
Friday, May 3, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetInvestimet e huaja në sektorin financiar, rritje me 70% në 7 vitet...

Investimet e huaja në sektorin financiar, rritje me 70% në 7 vitet e fundit

Pas vitit 2015, sektori financiar dhe ai bankar në vend u përball me largimin e disa prej investitorëve të rëndësishëm të huaj.

Ky proces solli një përqendrim të sektorit bankar dhe rritjen e peshës së kapitalit vendas në të.

Por, pavarësisht këtij procesi, stoku i investimeve të huaja në sektorin bankar ka vazhduar të rritet.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, stoku i investimeve të huaja në sektorin financiar arriti në 1.39 miliardë euro, në rritje vjetore me 16.6%. Krahasuar me vitin 2015, kur nisi procesi i largimit të disa prej investitorëve të rëndësishëm të huaj (kryesisht në sektorin bankar), stoku i investimeve të huaja direkte është rritur me 70%.

Aktualisht, sektori financiar është sektori i tretë për nga vlera e investimeve të huaja direkte të akumuluara, pas energjetikës dhe industrisë nxjerrëse.

Investimet në sektorin financiar përbëjnë rreth 12.8% të stokut total të investimeve të huaja direkte.

LEXO EDHE: Investimet e huaja/ Austria në Top 5; sigurimet mes tre sektorëve kryesorë

Kriza e kredive me probleme që nisi në vitin 2009 dhe kulmoi në vitin 2015 solli një përkeqësim të performancës së sektorit bankar. Paralelisht, shtrëngimi i kuadrit rregullator të mbikëqyrjes për grupet bankare të Eurozonës solli një rritje të ndjeshme të kostos së kapitalit.

Kjo solli largimin nga Shqipëria të grupeve të rëndësishme bankare, si Societe Generale, Credit Agricole, Banka Kombëtare e Greqisë, Grupi Bankar i Pireut dhe Alpha Bank.

Largimi i këtyre grupeve të rëndësishme bankare është shoqëruar me një rritje graduale të peshës së investitorëve lokalë në tregun bankar. Por, pavarësisht kësaj tendence, vlera e kapitalit të huaj të investuar në sektorin bankar ka vijuar të rritet, madje edhe me ritme të shpejta.

Kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së vazhdueshme të kapitalit të investuar nga investitorët ekzistues, kryesisht bankat tregtare. Rritja e madhësisë së bankave kërkon edhe rritjen paralelisht të kapitalit aksioner, për të mbuluar rreziqet e marra përsipër.

Në vitet e fundit, edhe Banka e Shqipërisë ka shtrënguar më tej kërkesat rregullatore për kapital, sidomos me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit. Kjo i ka detyruar bankat tregtare, përfshi ato me kapital të huaj, të rrisin kapitalin e tyre aksioner.

Një ndikim shtesë kanë pasur edhe vendimmarrjet e Bankës së Shqipërisë për pezullimin e përkohshëm të shpërndarjes së dividendëve, duke filluar nga viti 2020. Fillimisht, vendimi për të ndaluar përkohësisht shpërndarjen e fitimeve u motivua nga pandemia dhe efektet e saj në ekonomi.

Por, duke filluar nga fundi i vitit 2021, risqet shtesë erdhën nga vala inflacioniste që goditi ekonominë botërore. Të gjitha këto zhvillime kanë bërë që kapitali i investuar në sektorin bankar, që përbën edhe pjesën dërrmuese të sistemit financiar në vend, të rritet me ritme të shpejta në vitet e fundit. /Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat