5.5 C
Tirana
Sunday, December 8, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet"Green Finance", Drejtori i AMF: Faktorët mjedisorë të bëhen pjesë integrale e...

“Green Finance”, Drejtori i AMF: Faktorët mjedisorë të bëhen pjesë integrale e politikave financiare

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) organizuan sot në Tiranë konferencën ndërkombëtare mbi mundësitë që ofron financa e gjelbër për sektorin financiar në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Ervin Mete, tha se zhvillimet e viteve të fundit diktojnë që faktorët mjedisorë dhe politikat e qëndrueshme të bëhen pjesë integrale e politikave financiare.

“Dëshiroj të përgëzoj iniciativat e disa prej aktorëve të sektorit financiar shqiptar në përfshirjen e faktorëve mjedisorë në ushtrimin e veprimtarisë së tyre, por besoj se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Sektori financiar ka një rol kyç në arritjen e këtyre objektivave, pasi ai shërben për të riorientuar investimet drejt teknologjive dhe bizneseve të gjelbra, si edhe për të financuar rritjen në një mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Riorientimi i kapitalit privat drejt investimeve të gjelbra kërkon një ndryshim të mendësisë në mënyrën se si funksionon sistemi financiar. Por, suksesi i këtij objektivi varet shumë nga përfshirja dhe angazhimi i të gjithë aktorëve së bashku, sektorit publik, atij privat, ne si rregullatorë dhe mbikëqyrës dhe të gjithë palët e interesit.

Rritja e kërkesave për transparencë dhe informacion lidhur me faktorët ESG (mjedisorë, social dhe të qeverisjes) dhe menaxhimin e rrezikut të këtyre faktorëve përbën domosdoshmëri, në mënyrë që investitori të marrë vendime të mirëinformuara lidhur me produktet financiare,” tha në fjalën e tij Z.Mete.

Si pjesë e planit të veprimit të saj për financa të qëndrueshme, aktualisht në qendër të diskutimeve të BE-së, është edhe krijimi i një standardi për obligacionet e gjelbra (EU Green Bond Standard).

Një standard i unifikuar për obligacione të gjelbra, inkurajon pjesëmarrësit e tregut të emetojnë dhe investojnë në bonde të gjelbra dhe nxit efektivitetin dhe besueshmërinë në tregjet financiare.

Komisioni Evropian, në dhjetor të vitit 2019 prezantoi iniciativën, e njohur si European Green Deal, një strategji që nxit investimet publike dhe private në projekte të qëndrueshme dhe që synon ta bëjë Europën kontinentin e parë neutral ndaj klimës dhe me emetim zero deri në vitin 2050.

Diskutimet aktuale në BE mbi financat e qëndrueshme kanë shtuar detyra të reja për mbikëqyrësit e bankave, sigurimeve, fondeve të investimit, fondeve të pensionit, apo aktorëve të tjerë të sektorit financiar.

UNIQA Insurance Group”, pjesë e së cilës është edhe SIGAL, është zyrtarisht një nga nëntë anëtarët e parë të Aleancës së Financave të Gjelbra (AFGj).

AFGj është një nismë e re e Ministrisë Austriake për Klimën, Mjedisin, Energjinë, Lëvizshmërinë, Inovacionin dhe Teknologjinë për kompanitë nga sektori financiar austriak. Anëtarët angazhohen vullnetarisht për t’i bërë bizneset e tyre kyçe neutrale ndaj klimës hap pas hapi dhe duke njësuar kështu veten me targetin e klimës së Parisit prej 1.5 °C.

Ndërkohë në fund të muajit prill, “UNIQA Insurance Group” mori Çmimin “Ecolabel Austriak” për Bonon e Gjelbër Hibride.

René Knapp, Anëtar Bordi për Burimet Njerëzore dhe Brandin dhe Andreas Rauter, Shefi i Qëndrueshmërisë morën çmimin në emër të “UNIQA Insurance Group” nga Ministri Federal, Leonore Gewessler.

Në vitin 2020, UNIQA ishte kompania e parë e sigurimeve në Austri, e cila hodhi në qarkullim një Bono të Gjelbër me vlerë prej 200 milionë euro.

Lëshimi i Bonos 10-vjeçare do të investohet në projektet e mbrojtjes së klimës dhe mjedisit në Evropë dhe në vendet e OECD-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik).

Fokusi parësor do të jetë në sektorët e energjisë me erë dhe asaj diellore, riciklimi i mbetjeve, zgjidhjet e transportit të cilat janë miqësore ndaj mjedisit dhe menaxhimin e ujit.

Të gjitha projektet e UNIQA janë drejtpërdrejtë të lidhura me Objektivat e Zhvillimt të Qëndrueshëm të OKB-së, me tematikat e energjisë dhe ujit të pastër, infrastrukturës novatore dhe qyteteve dhe komuniteteve të qëndrueshme.

Në fillim të dhjetorit 2021, UNIQA kishte grumbulluar 375 milionë euro nëpërmjet bonove të gjelbra. Ndërsa CEO i kompanisë, Dr. Andreas Bransdstetter, i pyetur se “sa larg keni arritur përsa i takon investimeve të gjelbra“, do të përgjigjej:

“Ne jemi në mes të pikës së kthesës. Siguruesit e Evropës kanë më shumë sesa 10 trilionë euro asete nën menaxhim, duke i kthyer ata në investitorin institucional më të madh në BE. Tashmë UNIQA ka investuar rreth një miliardë euro në asete të gjelbra dhe ne vazhdimisht hedhim hapa për të njësuar më tej portofolin tonë drejt qëndrueshmërisë”.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat