17.5 C
Tirana
Saturday, July 27, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetWorkshop-i XVII i Kërkimeve Ekonomike të Europës Juglindore/ Prioritetet e BSH: Financat...

Workshop-i XVII i Kërkimeve Ekonomike të Europës Juglindore/ Prioritetet e BSH: Financat e familjeve, kartat bazike, digjitalizimi…

Në datat 4-5 dhjetor 2023, Banka e Shqipërisë organizon Workshop-in XVII të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore.

Ky workshop synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve dhe projekteve kërkimore të kryera nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2023, si një aktivitet shkencor të kthyer tashmë në një platformë solide për shkëmbimin dhe diskutimin e punëve kërkimore në lidhje me temat e bankingut qendror.

Programi i këtij Workshop-i është në sinkron me sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet komuniteti i bankingut qendror në mbarë botën.

Temat e këtij viti mbulojnë fusha të interesit të bankës qendrore, si inflacioni, politika monetare dhe stabiliteti financiar si dhe çështje e sfida të momentit si: ndryshimet klimatike, digjitalizimi, financat e familjeve apo përfshirja financiare.

Gjatë dy ditëve të punimeve të aktivitetit do të prezantohen dhe diskutohen mbi 37 materiale studimore, prej të cilave 9 materiale kanë për autorë punonjës të Bankës së Shqipërisë.

Hapja e punimeve u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

Guvernatori Sejko u shpreh se evoluimi i agjendës së aktivitetit tonë pasqyron natyrën dinamike të sfidave me të cilat përballemi.

Shoqëritë, ekonomitë dhe sistemet tona financiare janë nën presion nga burime të ndryshme: luftërat, tensionet gjeopolitike në rritje, ndryshimet demografike, përshkallëzimi i ngjarjeve ekstreme klimatike, inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi i financave e parasë.

Pjesë nga fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë:

“Programi i këtij Workshop-i është në sinkron me sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet komuniteti i bankingut qendror në mbarë botën. Temat e këtij viti – ndërsa mbulojnë fusha të kahershme të interesit të bankës qendrore, si inflacioni, politika monetare dhe stabiliteti financiar – thellohen njëkohësisht në çështje e sfida të momentit si: ndryshimet klimatike, digjitalizimi, financat e familjeve apo përfshirja financiare.

Evoluimi i agjendës së aktivitetit tonë pasqyron natyrën dinamike të sfidave me të cilat përballemi. Shoqëritë, ekonomitë dhe sistemet tona financiare janë nën presion nga burime të ndryshme: luftërat, tensionet gjeopolitike në rritje, ndryshimet demografike, përshkallëzimi i ngjarjeve ekstreme klimatike, inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi i financave e parasë. Këto sfida kanë shkaktuar pasoja negative në zinxhirët e prodhimit dhe të furnizimit, kanë ndikuar tregjet e punës dhe kanë nxitur ndryshime strukturore të cilat kanë ndikuar produktivitetin, kostot, stabilitetin e çmimeve, si dhe stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik e financiar.

Në Shqipëri, këto ngjarje po riformësojnë orientimin e ekonomisë dhe fokusin sektorial, duke nxitur rritjen në disa fusha, ndërsa po zëvendësojnë gradualisht peshën e disa sektorëve tradicionalë. Rezultat i këtij tranzicioni janë: aktiviteti ekonomik i përshpejtuar, pozicioni i përmirësuar i sektorit të jashtëm dhe qëndrueshmëria e rritur. Megjithatë, ky tranzicion ushtron presion edhe mbi tregjet e punës tashmë të prekura nga emigracioni. Këto ndryshime përshkojnë ekonominë, duke trazuar ekuilibrat e vendosur dhe duke nxitur rregullime në treguesit nominalë. Të gjitha këto konkluzione mbështeten nga një punë kërkimore e plotë, e cila përdor të dhënat dhe metodologjitë më të fundit të kërkimit.

Përtej këtyre vështirësive, bankat qendrore duhet ende të zbulojnë se si të normalizojnë politikën monetare dhe bilancet e tyre, në përputhje me pozicionet e parakrizës, pa kërcënuar rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar. Janë të shumta ato banka qendrore që kanë filluar të kuptojnë se objektivat e tyre dhe qëndrueshmëria afatgjatë e politikave që ndjekin, përfshijnë dimensione të shumëfishta dhe shtrihen përtej stabilitetit të çmimeve për t’u përafruar me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Roli i bankës qendrore në arritjen e këtyre objektivave – qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, nëpërmjet politikës monetare dhe rregullimit financiar, edukimit dhe përfshirjes financiare – është më jetik se kurrë, jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë bankën qendrore dhe suksesin e politikave të saj.

Ne kemi nisur zbatimin e dy strategjive të rëndësishme, të cilat mbështesin arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm – strategjinë e klimës dhe atë të edukimit dhe përfshirjes financiare – dhe njëkohësisht po zhvillojmë një përqasje të re me fokus mbi digjitalizimin. Këto iniciativa janë mbështetur dhe kanë përfituar nga kërkimet shkencore të Bankës së Shqipërisë në fushat e ndryshimeve klimatike, edukimin dhe përfshirjen financiare të individëve dhe të sektorit privat. Digjitalizimi i financës dhe parasë po transformon rrënjësisht panoramën ekonomike dhe atë financiare, duke ndryshuar perceptimet dhe sjelljet e publikut ndaj vendimeve monetare dhe atyre financiare. Ky ndryshim radikal kërkon qasje të reja në analizë, vendimmarrje dhe komunikim me publikun, veçanërisht përballë të panjohurave që vijnë nga teknologjitë gjithnjë në zhvillim e sipër. Rrjedhimisht, ju inkurajoj që të thelloni studimet në këto çështje kritike.

Ndërsa studiojmë këto kushte komplekse dhe ndryshime dinamike në ekonomi e financë, duhet të mbajmë në mendje mësimet e nxjerra nga historia, veçanërisht udhëtimin ekonomik dhe monetar të Shqipërisë. Me afrimin e njëqindvjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë dhe bankingut qendror në Shqipëri, ne duhet të thellohemi në histori, për të pasuruar perceptimin tonë bashkëkohor mbi ekonominë dhe financën dhe për të përshtatur njohuritë globale me kontekstin specifik të Shqipërisë. Kjo perspektivë historike është thelbësore për të kuptuar ciklet dhe evolucionet e ekonomisë, dhe për të na rikujtuar logjikën dhe arsyet kryesore ku mbështeten zgjedhjet tona themelore, në lidhje me regjimin monetar dhe financiar. Kjo na ndihmon për të kuptuar më mirë çka qëndron pas zgjedhjes dhe zbatimit të regjimit të lirë të kursit të këmbimit, liberalizimit të tregtisë dhe kontrolleve të kapitalit, zbatimit të një politike monetare të pavarur dhe objektivit të stabilitetit të çmimeve, dhe se si të gjitha këto përshtaten në kuadrin e sfidave aktuale”.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat