8.5 C
Tirana
Saturday, November 26, 2022
spot_img
Faqe KryesoreOpinionVaksinim vs. Konspiracion

Vaksinim vs. Konspiracion

Nga Dr. Erion Dasho
Vaksinimi kundër COVID ka ngecur. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë botën. Anti-Vax, lëvizja që ka ekzistuar prej dekadash, është arsyeja kryesore se përse grafikët e të vaksinuarve kundër COVID-it po rriten me ritme jashtëzakonisht të ngadalshme.
Duke qenë se nuk flitet për individë të veçuar, por për pjesë të popullatës që luhaten nga 20% deri në 50% apo më tepër, ky kundërshtim duhet trajtuar me shumë kujdes.
Nuk duhet harruar se rrjetet sociale, por edhe mediat mainstream janë të mbushur me “argumente” kundër vaksinimit dhe mjafton një xhiro nëpër “wall-et” e miqve virtualë që çdo mëdyshës të gjejë arsye nga më të shumtat për të mos u vaksinuar.
Ç’duhet bërë?
Së pari, duhen veçuar argumentet absurde. Me personat që vazhdojnë t’i besojnë akoma teorisë së çipit, sterilizimit, helmimit, etj. nuk ja vlen të merresh. Ata duhen trajtuar si kuriozitete fatkeqe. Ndoshta ndonjë ekran televiziv bën mirë që i shfrytëzon për audiencë, kështu që publiku të ketë mundësi të gjykojë mbi absurditetin dhe qesharaken që ata përfaqësojnë.
Së dyti, duhen analizuar dhe shpjeguar me kujdes disa nga shqetësimet që nuk janë pa bazë:
A ka dështuar shkenca gjatë epidemisë?
Sigurisht që po! Për të vërtetuar këtë, mjafton të shohësh këshillat kontradiktore dhe masat shpesh kundërthënëse. Kur bota kishte mungesë maskash, qytetarëve u thuhej se nuk ka nevojë për të mbajtur maskë, ndërsa më vonë mbajtja e maskave të cilësisë mjeksore u bë e detyrueshme (për hir të se vërtetës, në vendet europiane kjo masë luajti dhe ende luan një rol të rëndësishëm pozitiv). Vendet si Shqipëria bënë teatër me mbajtjen e maskave prej lecke edhe në rrugë, një masë e provuar katërcipërisht si me efekt zero. Elementë të tillë janë të shumtë dhe, sa më thellë të hysh në analiza shkencore, aq më shumë dështime të shkencës zbulon. Shkencëtarët nuk duhet të kenë turp t’i pranojnë këto dështime, përndryshe ato rrezikojnë të kthehen në karburant për teoritë konspirative.
Por a ka patur elementë konspiracioni gjatë pandemisë?
Sërish po! OBSH pothuajse është provuar si bashkëfajtore me Kinën në fshehjen e pandemisë gjatë javëve dhe muajve të parë. Për ta hetuar këtë çështje ka shumë përpjekje që nisin nga shkencëtarët dhe përfundojnë tek 007-at. Edhe lidhja absurde e COVID-it me teknologjinë 5G (ku Kina ishte në pararojë) sigurisht që ka patur një bazë konspirative. Një ose më shumë fuqi të interesuara për të luftuar Kinën në fushëbetejën 5G nuk hezituan të fusnin në lojë virusin “kinez” si faktor diskretitues për teknologjinë 5G. Mjekët dhe specialistët e shëndetësisë janë të paaftë dhe nuk kanë mjetet e duhura për të luftuar në botën e konspiracionit, aty ku përplasen interesa trilionë dollarëshe dhe investohen miliarda në fushata dizinformimi.
A po fiton dikush nga pandemia?
Sigurisht që po! Miliarda teste, miliarda vaksina, qindra milionë kura (shpesh të provuara shkencërisht si të paefektshme, por të promovuara në hije nga kompanitë farmaceutike) përkthehen në fitime dhjetëra apo qindra miliardëshe. Në Shqipëri u përfol se vaksinat kineze ishin blerë me një çmim 20 dollarë për dozë kur kosto mund të jetë 1 ose 2 dollarë! Në Shqipëri një test i shpejtë COVID-i ofrohet me çmimin 4 mijë lekë, kur kosto e vërtetë është disa eurocent! Vetëm shqiptarët që përbëjnë 0.03% të popullsisë botërore, vlerësohet se kanë shpenzuar mbi 200 milionë euro nga xhepi për të luftuar COVID-in! Po India 1.4 miliardëshe?! Si çdo krizë, edhe pandemia ka spekulantët e saj dhe ata që u pasuruan gjatë saj dhe kjo duhet pranuar.
A u shfrytëzua pandemia si justifikim për kufizimin e të drejtave dhe lirive?
Absolutisht që po! Madje edhe në vendet kampion të demokracisë dhe liberalizmit. Sot nuk ka arsye për të kufizuar lëvizjet midis vendeve që kanë ecuri të ngjashme të përhapjes së virusit, mbulesë të ngjashme imunitare (ku ndërthurret imuniteti natyral dhe ai artificial), madje edhe midis të gjithë vendeve. Sot duhej të ishte vendosur një konvencion ndërkombëtar për pranimin e pasaportës së shëndetit, gjë që akoma nuk është arritur. Fakti që një person i vaksinuar ose i shëruar prej COVID-it, ende nuk mund të udhëtojë lirisht, flet për kufizime të paarsyeshme të lirive. Për të mos folur pastaj për absurde si ora policore në Shqipëri!
A u kthye pandemia në arenë përplasjesh gjeopolitike?
Sigurisht! Mjafton të shohësh garën për vaksinën. Lufta e Rusisë dhe Kinës për të nxjerrë sa më parë në treg një vaksinë. Madje pa përfunduar edhe provat e kërkuara klinike bazuar në praktikat e mira të prodhimit dhe standardet e sigurisë. Për të mos folur pastaj për akuzat dhe kundërakuzat midis superfuqive si SHBA-të dhe Kina!
A ka vaksina të pasigurta?
Kjo është një çështje që shpesh ngatërrohet me gjeopolitikën. SHBA-dhe dhe BE-ja nuk i kanë dhënë ende autorizimin për përdorim vaksinave ruse dhe kineze. A është kjo një lojë gjeopolitike? Ndoshta po, ndoshta jo. Ka të dhëna që flasin se mbrojtja që ka ofruar vaksina kineze në vende si Kili, Indonezia, Tajlanda, etj. lë për të dëshiruar dhe është shumë nën atë të ofruar nga vaksinat e miratuara nga perëndimi (Pfizer, Moderna, Astra Zeneca dhe Johnson & Johnson). Një vend si Shqipëria e ka të pamundur të hyjë në këtë “lojë”. Përgjigja është e vetëkuptueshme. A do të zgjedhim si pikë orientimi FDA-në dhe EMA-n, apo Sinovac-un dhe Gamalea-n? Këtë në Shqipëri e kanë marrë në dorë politikanët dhe ekspertët, fatkeqësisht, nuk janë pyetur.
A ka tendenca për vaksinim të detyrueshëm?
Po! Politikëbërësit të lodhur me mjekët, infermierët dhe arsimtarët (profesionistë që duhet të jenë të qartë për përfitimet që vijnë nga vaksina dhe nuk duhet të hezitojnë në asnjë moment ta kryejnë atë) po i detyrojnë ata të vaksinohen. Por të aplikosh detyrimin tek publiku i gjerë do të ishte totalisht e gabuar dhe kundëproduktive.
A duhet të vaksinohen personat e shëruar?
Duke qënë se e nisa me dështimet e shkencës, fakti që kjo pyetje nuk ka marrë ende një përgjigje përfundimtare është pikërisht një nga këto dështime. Logjika më e thjeshtë e do që një person që ka kaluar sëmundjen është të paktën po aq i mbrojtur sa edhe një person i vaksinuar. Për më tepër, logjika sugjeron që një person i shëruar njëherë ka shumë më tepër gjasa të shërohet sërish në se infektohet. Në këto kushte, presioni mbi personat e shëruar për t’u vaksinuar nuk ka sens, për të mos thënë që, në kushte racionalizimi të vaksinave, këta duhet të përbëjnë prioritetin më të ulët.
***
Kur po i afrohemi ngadalë vitit të dytë nën pandemi, COVID-i ende rrethohet nga mistere dhe teori konspirative. Diku të stisura dhe të bazuara në pseudoshkencë dhe diku të bazuara në realitet.
POR!!! Sot, në gusht 2021, është provuar me garanci pothuajse 100% se ekziston një masë e vetme, e aplikuar në nivel individual që mund të ndryshojë fatin e pandemisë.
KJO MASË ËSHTË VAKSINA!
Një vaksinë cilësore (Pfizer, Moderna, Astra Zeneca ose Johnson & Johnson) e aplikuar sipas protokolleve tashmë të përcaktuara është e aftë të mbrojë individin nga infektimi dhe sidomos nga ndërlikimet dhe vdekja.
Në SHBA, në 37 milion të infektuar, vdiqën 630 mijë persona (një vdekje për 58 të infektuar). Nga 160 milionë të vaksinuar humbën jetën rreth 1,500 (një vdekje në 110 mijë të vaksinuar). Diferenca është e qartë.
PËRFUNDIMISHT, PROBLEMI I COVID-IT NË VENDET QË KANË QASJE NDAJ VAKSINAVE TË SIGURTA ËSHTË KTHYER NË NJË PROBLEM ZGJEDHJEJE INDIVIDUALE!
NËSE NJË PERSON VAKSINOHET, GJASAT QË AI/AJO TË SËMURET RËNDË APO TË VDESË NGA COVID JANË JASHTËZAKONISHT TË ULTA.
***
Çfarë duhet të bëjnë autoritetet në Shqipëri?
Në radhë të parë, duhet kuptuar konteksti ku ndodhet Shqipëria. Me mbi 2 milion infektime, Shqipëria sot ka arritur një imunitet natyral grupi rreth 70 deri 75%. Kjo e vendos Shqipërinë në të njëjtin nivel me vendet europiane që këtë shkallë imunizimi e kanë arritur përmes vaksinës.
Përhapja e variantit delta rrezikon atë 25-30% të popullatës, ende të paimunizuar. Duke patur parasysh gjithë teoritë konspirative të shtjelluara më lart, popullatës shqiptare duhet t’i ofrohet si vijon:
1. Në radhë të parë, ministria të heqë dorë nga opsioni CoronaVac. Një vaksinë e paaprovuar nga FDA dhe EMA nuk duhet t’u ofrohet shqiptarëve dhe janë vetë shqiptarët që po e refuzojnë atë!
2. Vaksinimi të mos bëhet i detyruar për asnjë segment të popullatës, madje as për mjekët dhe arsimtarët.
3. Qytetarëve t’u njihet e drejta e zgjedhjes midis katër vaksinave, Pfizer, Moderna, Astra Zeneca dhe Johnson & Johnson.
4. Fëmijëve mbi 12 vjeç t’u ofrohet opsioni Pfizer si kudo në Europë.
5. Personat e shëruar nga COVID të konsiderohen njëlloj si personat e vaksinuar të paktën për 12 muaj.
Disponueshmëria e vaksinave të sigurta dhe terreni epidemiologjik shqiptar (arritja e imunitetit të grupit) e ka kthyet COVID-in në një çështje kryesisht të zgjedhjes individuale.
Nëse një person zgjedh të mos vaksinohet, duke rrezikuar kësisoj jetën e vet, kjo është çështje e zgjedhjes së tij personale dhe duhet trajtuar si e tillë. Njëlloj si duhan-pirja.
Nëse qeveria dhe ministria e shëndetësisë u përmbush sot shqiptarëve pesë kushtet e përmendura më sipër, mund të thuhet me plot gojën se shqiptarët e kanë lënë pas pandeminë më sfiduese të këtij shekulli.
spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat