14 C
Tirana
Monday, October 7, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetThe Economist: Covid-19 dhe interneti po nxisin përhapjen e teorive qesharake

The Economist: Covid-19 dhe interneti po nxisin përhapjen e teorive qesharake

Në fund të korrikut, më pak se një javë pasi qeveria britanike hoqi shumicën e kufizimeve të mbetura kundër përhapjes së COVID-19, me mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin Trafalgar të Londrës, për të protestuar kundër “masave kufizuese”.

Ndër ta ishin edhe Piers Corbyn (vëllai i një ish-udhëheqësi të Partisë Laburiste), një mohues i ndryshimeve klimatike që mendon se Covid-19 është një “mashtrim”; David Icke, një autor i cili beson se njerëzit më të fuqishëm në botë mund të transformohen fshehurazi në zvarranikë; dhe Gillian McKeith, e cila pretendon se një dietë e mirë mjafton për të ndaluar virusin. Një ish-infermiere (e njohur për përhapjen e informacioneve të rreme) e krahasoi stafin mjekësor që po shpërndante vaksina me nazistët dhe kërkoi që ata të vareshin.

Demonstrata të tilla janë bërë të zakonshme jo vetëm në Britani, por në të gjithë botën. Pandemia ka sjellë një valë informacionesh të rreme. Në Francë, një dokumentar që pretendon se Covid-19 u sajua nga elitat politike si pjesë e një komploti për të krijuar një “rend të ri botëror” arriti 2.5 milionë klikime në tre ditë. Në Amerikë, ideja se Covid-19 është një mashtrim, është përhapur së bashku me një sërë teorish të çmendura të njohura si “QAnon”, të cilat pretendojnë se qeveria drejtohet nga një grup sekret pedofilësh dhe se Donald Trump është shpëtimtari i destinuar për t’i mposhtur ata.

Me pak fjalë, kjo është një epokë e artë për teoritë konspirative. Interneti e bën përhapjen e tyre më të lehtë se kurrë. Ato janë po aq të përhapura në vendet e varfra, sa në ato të pasura. Në Nigeri, shumë njerëz besojnë se Muhammadu Buhari, presidenti i vendit që nga viti 2015, në të vërtetë vdiq në një spital në Londër në vitin 2017, dhe që atëherë është imituar nga një burrë sudanez i quajtur “Jibril”.

Në Indi, qeveria e Narendra Modi ka pretenduar se Greta Thunberg, një aktiviste adoleshente suedeze për klimën, është pjesë e një komploti global për të prishur reputacionin e çajit të vendit. Në Lindjen e Mesme, është përhapur gjerësisht ideja se sulmet e 11 shtatorit ishin operacione të komplotuara nga Izraeli.

Sigurisht, ka shumë njerëz që besojnë në ide qesharake, por që janë të padëmshme, si ata që besojnë se Elvis Presley është ende gjallë dhe jeton në Kalamazoo, Michigan. Megjithatë, një teori konspirative, është diçka më specifike: ajo ka të bëjë me besimin në një plan sekret të thurur nga një grup i vogël njerëzish të pushtetshëm, me qëllimin për të dëmtuar një grup më të madh njerëzish të zakonshëm.

Sipas Quassim Cassam nga Universiteti Warwick në Britani, teori të tilla janë “format e para të propagandës politike”. Fuqia e tyre qëndron në faktin se u japin njerëzve një shpjegim të botës, duke fajësuar armiqtë e tyre për fatkeqësitë që u ndodhin. Por teori të tilla zakonisht janë të pakuptimta dhe kanë tendencën ta bëjnë politikën racionale të pamundur. Ajo çka i bën të rrezikshme, është aftësia e tyre për t’i motivuar njerëzit.

Miti i teorive konspirative

Teoritë konspirative kanë ekzistuar gjatë gjithë historisë. Romakët trilluan mitin se perandori Nero kishte ndezur zjarrin e madh në Romë, në vitin 64 pas Krishtit. Për shekuj me radhë, hebrenjtë janë akuzuar se kanë planifikuar të vrasin fëmijët e krishterë. Masonët, komunistët, CIA dhe Bashkimi Europian, kanë luajtur të gjithë role kyçe në teoritë konspirative.

Për të kuptuar se si këto teori e infektojnë politikën sot, një shembull i mirë është Republika Demokratike e Kongos, një vend ku teoritë konspirative janë të rrënjosura thellë. Pothuajse të gjithë politikanët, përfshirë presidentin, i kanë përkrahur ato në një kohë të caktuar. Teori të tilla shfrytëzohen “për të mobilizuar njerëzit”, thotë Kris Berwouts, akademik belg. Duke përdorur një teori konspirative për të mobilizuar turmat, një politikan gjeneron presion që mund ta përdorë në negociatat me udhëheqësit e tjerë.

Sipas ish-politikanit Valentin Mubake, problemet aktuale të Kongos nisën në mesin e viteve 1990, kur Paul Kagame, tani presidenti i Ruandës, organizoi një gjenocid të rremë të popullit të tij ruandez. Kjo i dha atij mundësinë politike për të marrë pushtetin në Ruandë dhe më pas për të pushtuar Kongon në momentin e tij më të dobët. “U përhapën teoritë që pretendonin se u krijua një mafie për ballkanizimin e Kongos,” thotë ai.

“Se Tony Blair dhe Bill Clinton, punuan me Kagame. Perëndimi përgatiti luftën… dhe Kagame kreu punën, ndërsa çdo gjë ishte e organizuar nga Shtetet e Bashkuara”. Këto teori shkonin më tej, duke pretenduar se OKB-ja kryente masakra dhe ka përhapur sëmundje si Ebola.

Këto teori besohen gjerësisht dhe shkaktojnë dëm të jashtëzakonshëm. Urrejtja ndaj Ruandës nxit dhunën etnike. Besimi se Ebola është një komplot i huaj ka bërë që milicitë të sulmojnë klinikat dhe të “çlirojnë” pacientët, duke përhapur edhe më shumë sëmundjen. Njerëzit refuzojnë të marrin vaksina kundër Covid-19 nga frika se janë pjesë e planit të komplotit. Teoritë konspirative “vrasin përnjëmend”, thotë Rodriguez Katsuva, gazetar kongolez i cili themeloi Kongo Check, një faqe interneti për kontrollimin e fakteve.

Por pse u besojnë njerëzit këtyre teorive? Një arsye është se disa mund të dalin të vërteta. Në Kongo, Patrice Lumumba, kryeministri i parë i vendit, pas arritjes së pavarësisë nga Belgjika në vitin 1960, u vra nga separatistët me mbështetjen e CIA-s dhe Belgjikës. Gjermania naziste organizoi një sulm të qëllimshëm para se të pushtonte Poloninë në vitin 1939; në vitet 1960 qeveria amerikane planifikoi një sulm si justifikim për të pushtuar Kubën.

Teoritë e tjera konspirative, edhe pse të rreme, ushqehen nga ankthet e botës reale. Nuk ekziston asnjë grup i fshehtë pedofilësh që drejtojnë qeverinë, siç besojnë përkrahësit e QAnon. Por Jeffrey Epstein dhe Jimmy Savile, dy pedofilë në Amerikë dhe Britani, të cilët kanë pasur lidhje me politikanë të pushtetshëm, jetuan të patrazuar nga ligji për vite me radhë.

Frika të tilla shfrytëzohen nga njerëz dinakë. William Coleshill, sipërmarrës i ri politik, pretendon se Covid-19 është një komplot për të justifikuar qeverisjen “komuniste”. Kanali i tij në Youtube ka 48,000 abonentë dhe po rritet me shpejtësi.

Kjo i jep atij njëfarë fame dhe ka edhe një buton për të dhuruar para. Sipërmarrës të tjerë politikë shesin produktet e veta duke gënjyer turmat. Një rrjet online kundër vaksinave i hetuar nga Zyra e Gazetarisë Hetimore, u bën thirrje përdoruesve të faqes online, për të blerë një sprajt për “detoksifikimin e trupit nga metalet e rënda” për 95 dollarë dhe “ujë deti të pijshëm të prodhuar nga plazma detare” për 49.95 dollarë.

Joshja që shkaktojnë teoritë konspirative është pjesërisht e rrënjosur në psikologjinë njerëzore. Studimet tregojnë se njerëzit vazhdimisht e mbivlerësojnë aftësinë e tyre për të kuptuar sisteme të ndërlikuara. Ata mendojnë se “mund ta shpjegojnë mjaft mirë botën në të cilën jetojnë” kur në fakt, informacioni i tyre është mjaft i kufizuar, argumentojnë Leonid Rozenblit dhe Frank Keil, dy psikologë, në një studim të botuar në vitin 2002. Teoritë konspirative i ndihmojnë njerëzit të gjejnë kuptim në një botë të trazuar dhe shqetësuese, duke i siguruar ata se gjërat e këqija vijnë nga intrigat e njerëzve të këqij dhe jo thjesht nga fati i keq (ose gabimet e tyre).

Në një botë ideale, ata që përhapin teori konspirative, humbasin mbështetjen e mediave, partive dhe votuesve. Në Francë, Jean-Luc Mélenchon, një kandidat për president nga e majta e skajshme, është denoncuar nga pothuajse çdo figurë kryesore politike në vend, për besimin e tij se një oligarki globale po komploton për të mbajtur në pushtet Emmanuel Macron. Në Amerikë, Marjorie Taylor Greene, anëtare e Kongresit dhe mbështetëse e grupit konspirativ QAnon, u përjashtua nga komiteti pasi pretendoi se një sërë vrasjesh në masë me armë, ishin skenuar.

Mekanizmat

Por këto mekanizma duket se nuk po funksionojnë shumë mirë kohët e fundit. Partia Ligj dhe Drejtësi në Poloni, fitoi pushtetin në vitin 2015, edhe pasi parashtroi teorinë e pabazë se Rusia kishte gisht në një aksident ajror që shkaktoi vdekjen e presidentit të vendit në vitin 2010. Donald Trump fitoi presidencën amerikane edhe pasi përhapi akuzën e rreme se certifikata e lindjes e presidentit Barak Obama, ishte e rreme. Shumë kohë përpara se zoti Trump të hidhte akuzën se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar, ai kishte bërë të njëjtin pretendim për zgjedhjet e ndërmjetme që humbi në vitin 2016, duke fituar gjithsesi besnikërinë e republikanëve.

Në të vërtetë, elitat institucionale republikane po dështojnë në mënyrë të dukshme për të zbatuar normat kundër përhapjes së ideve të tilla. Në shkurt, Mitch McConnell, udhëheqësi i republikanëve në Senat, i quajti teoritë konspirative një “kancer” në partinë e tij.

Por ai gjithsesi votoi për ta shfajësuar zotin Trump nga akuzat se kishte nxitur trazirat në Kapitol më 6 janar. Në vitin 2016, Ted Cruz, një senator republikan, denoncoi Trump për pretendimin e pabazë se ai nuk kishte lindur një qytetar amerikan; por në vitin 2020, Cruz mbështeti akuzën e rreme të Trump se zgjedhjet presidenciale ishin vjedhur.

Nuk mund ta urdhëroni të vërtetën

Si mund të shkurajohen teoritë konspirative? Disa mendojnë se këtu mund të kontribuojnë firmat teknologjike. Duke filluar nga viti 2019, Facebook kufizoi në pesë numrin e njerëzve tek të cilët mund të përcillet njëkohësisht një mesazh në Whatsapp. Qëllimi ishte të ngadalësohej përhapja e teorive konspirative në platformë – një problem i madh në Indi. Në Facebook, 15,000 moderatorë punojnë për të hequr informacionet e rreme.

Në janar, Twitter pezulloi 70,000 llogari të lidhura me grupin QAnon. Të dyja platformat po përpiqen të eliminojnë postimet që përhapin në mënyrë të përsëritur gënjeshtra të dëmshme. Në vitin 2019, YouTube hoqi të drejtën e pagesës nga reklamat për personat që përhapnin informacione të rreme në lidhje me vaksinat.

Një metodë tjetër është të hidhen poshtë këto teori me shpjegime logjike. Zoti Katsuva në Kongo themeloi organizatën Congo Check në vitin 2018, në një kohë kur po përhapeshin në mënyrë masive informacionet e rreme në lidhje me shpërthimin e Ebolës. Numri i faqeve të tilla të internetit për kontrollimin e fakteve në të gjithë botën u rrit nga 145 në vitin 2016, në 341 këtë vit. Megjithatë, faqet e kontrollit të fakteve kanë tendencën të fitojnë më pak klikime se faqet e teorive konspirative.

Së fundmi, teoritë konspirative besohen më tepër kur njerëzit nuk kanë besim tek autoritetet. Për t’i luftuar ato, politikanët duhet të qeverisin në mënyrë transparente. Tre shekuj më parë, Jonathan Swift shkroi se “gënjeshtra fluturon dhe e vërteta çalon pas saj”. Edhe qeveritë më të mira mund të mos i mposhtin dot teoritë konspirative. Por ama mund t’i luftojnë ato në mënyrë shumë më efikase.

/The Economist

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat