8.5 C
Tirana
Saturday, December 7, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetShpenzimet e bankave për interesa po rriten për herë të parë pas...

Shpenzimet e bankave për interesa po rriten për herë të parë pas një dekade

Shpenzimet e sektorit bankar për interesa këtë vit po rriten për herë të pas një dekade.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për gjysmën e parë të këtij viti bankat shpenzuan për interesa 4.05 miliardë lekë, shumë kjo 14% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shpenzimet për interesa të sektorit ishin rritur për herë të fundit në vitin 2012. Në vazhdim, politika monetare lehtësuese bëri që normat e interesit të uleshin gradualisht dhe kjo u reflektua edhe në shpenzimet e bankave për depozita, që pësuan rënie të vazhdueshme për një dekadë.

Shpenzimet e bankave për interesa janë të lidhura, në masën dërrmuese, me depozitat e publikut. Depozitat përbëjnë rreth 90% të detyrimeve të sektorit bankar në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e këtij viti vlera totale e depozitave bankare arriti në 1.46 trilionë lekë. Ecuria e tyre ngelet në rritje, por rritja për 6-mujorin paraqitet ndjeshëm e ngadalësuar, me 1.9% që nga fillimi i vitit.

Ngadalësimi ka ardhur nga rënia e depozitave në lekë, ndërsa ato në valutë të huaj dhe kryesisht në euro kanë vazhduar të rriten. Megjithëse rritja e totalit të depozitave është ngadalësuar, shpenzimet e bankave për interesa janë rritur ndjeshëm, çka tregon se efekti ka ardhur kryesisht nga rritja e normave të interesit.

Normat e interesit të depozitave me afat në lekë po shfaqin një tendencë graduale në rritje pas muajit mars, kur Banka e Shqipërisë nisi ciklin e normalizimit monetar. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në lekë arriti në 1.04%. Ky është niveli më i lartë i shënuar në të paktën shtatë vitet e fundit. Rritja më e ndjeshme është shënuar në depozitat më afatgjata, ato me maturitet 5-vjeçar, ku norma mesatare e interesit ka arritur në 3%, nga 2.36% që kishte qenë në fund të marsit, kur Banka e Shqipërisë aplikoi rritjen e parë të normës bazë të interesit.

Shifrat tregojnë se ndryshimi në kahun e politikës monetare dhe rritja e shpejtë të normës bazë po fillojnë të reflektohen edhe në normat e interesit të depozitave, megjithëse me ritme të ngadalta. Kjo ishte e pritshme, duke pasur parasysh se sektori bankar në tërësinë e vet është mjaft likuid.

Megjithatë, statistikat e muajve të fundit tregojnë se diçka ka filluar të lëvizë në këtë drejtim. Trysnia e lidhur me konkurrencën mund të jetë faktori me ndikimin më afatshkurtër në rritjen e interesave të depozitave. Megjithëse sektori në Shqipëri është mjaft likuid, me një raport mes kredive dhe depozitave pranë nivelit të 45%, ky raport është shumë i ndryshëm për banka të ndryshme.

Bankat që e kanë këtë tregues në nivele më të ulëta, kryesisht bankat e mëdha të sektorit, mund të mos kenë shumë shtysa për të reflektuar shpejt rritjen e normave të interesit. Por, bankat që kanë më pak depozita të pa investuara tashmë kanë stimuj për të ofruar interesa më të larta, sepse normat e interesit në krahun e aktiveve po rriten. Në këtë fazë, rritja e interesave të depozitave mund të vijë sidomos nga ky grup bankash.

Norma bazë e interesit është rritur nga 0.5% në 1.75% në harkun e afërsisht katër muajve dhe banka qendrore ka paralajmëruar një shtrëngim të mëtejshëm monetar gjatë muajve të ardhshëm. /Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat