2.5 C
Tirana
Sunday, December 8, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSejko pret në takim misionin e FMN: Shëndeti i sistemit financiar, garanci...

Sejko pret në takim misionin e FMN: Shëndeti i sistemit financiar, garanci përballë situatave kritike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.

Diskutimet u fokusuan në zhvillimet e fundit makroekonomike, ecurinë e ekonomisë shqiptare nën këndvështrimin e një ambienti sfidues botëror me inflacion të lartë si dhe përgjigjet e autoriteteve në këtë drejtim.

Temat e diskutuara në takim ishin ecuria aktuale dhe perspektiva e inflacionit dhe aktivitetit ekonomik, zhvillimet e sektorit bankar dhe financiar, si dhe politikat e duhura ekonomike, të cilat do të mundësojnë ruajtjen e ekuilibrave dhe do të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

Gjithashtu, gjatë takimit u prekën dhe disa nga prioritetet e reformave strukturore të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e mëtejshëm të potencialeve prodhuese të vendit dhe do të adresojnë disa prej dobësive strukturore të tij.

Në fillim të takimit, Guvernatori theksoi se perspektiva e rritjes ekonomike mbetet pozitive, pavarësisht inflacionit të lartë. Në mbështetje të ekonomisë shqiptare, Banka e Shqipërisë ka filluar procesin e normalizimit të politikës monetare për të kontrolluar presionet inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv në një horizont afatmesëm.

Banka e Shqipërisë me politikat e saj të kujdesshme ka siguruar tregje të qeta financiare, një sistem të shëndetshëm bankar dhe rezerva të mjaftueshme valutore. Të gjitha këto së bashku me hapësirat për reagim të politikave monetare e fiskale, janë një garanci më shumë për përballimin e situatave kritike.

Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe stabilitetin e sistemit financiar.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke dhënë një kontribut të qenësishëm në mjedisin makroekonomik dhe zhvillimin e sistemit financiar.

Në vijim, ata shtuan se situata ndërkombëtare mbetet ende e paqartë dhe volatile, duke shtuar elementet e pasigurisë dhe nevojën për monitorimin me kujdes të dinamikës së zhvillimeve mbi inflacionin.

Në këtë kuadër, pjesëmarrësit ndanë të njëjtin mendim mbi rëndësinë e madhe që ka monitorimi i vazhdueshëm i situatës, si dhe koordinimi i politikave nga autoritetet shqiptare duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur për të dhënë stimujt e nevojshëm për rritjen ekonomike në afatgjatë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat