14.5 C
Tirana
Friday, May 3, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetEcuria për periudhën janar-maj 2023, AMF: Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet...

Ecuria për periudhën janar-maj 2023, AMF: Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF) publikoi pasditen e sotme raportin e ecurisë së tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-maj 2023.

Sipas raportit, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-maj 2023 kapën vlerën 8,959 milionë lekë.

Gjatë periudhës janar-maj 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 505,098 me një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.97% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 7.93% dhe risigurimi 0.102%.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.50% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.50% të totalit të tregut.

Gjatë muajit janar-maj 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,706 milionë lekë.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-maj 2023 kapën vlerën 1,953 milionë lekë, duke pësuar një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar-maj 2023 arritën rreth 4,793 milionë lekë, ose 8.12% më shumë se në muajin janar-maj 2022.

Produkti MTPL e brendshme, në muajin janar-maj 2023, pati një rritje prej 8.24% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në muajin janar-maj 2023 pati një rritje prej 7.50% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 55.38% krahasuar me muajin janar-maj 2022.

Produkti Sigurim Kufitar, në muajin janar-maj 2023, pati një rritje 7.63% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me muajin janar-maj 2022. Edhe numri i kontratave u rrit me 19.92%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar-maj 2023 arritën rreth 4,166 milionë lekë, 24.83% më shumë se në muajin janar-maj 2022. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.88% krahasuar me muajin janar-maj 2022.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë muajit janar-maj 2023, patën një rritje me 25.62% kundrejt muajit janar-maj 2022.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar-maj 2023 siguruan mbi 2,209 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 68.96%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 22.97% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar-maj 2023, vihet re një rritje prej 37.38% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 5.13% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me muajin janar-maj 2022.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë muajit janar-maj 2023, arritën në rreth 554 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 7.90% në krahasim me muajin janar-maj 2022.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar-maj 2023, arritën rreth 710 milionë lekë, ose 21.88% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për të lexuar raportin e plotë klikoni KËTU

 

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat