26.5 C
Tirana
Thursday, May 21, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetAMF zhvillon takim me shoqëritë e sigurimit për përgatitjen e tregut drejt...

AMF zhvillon takim me shoqëritë e sigurimit për përgatitjen e tregut drejt regjimit Solvency II

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi një takim me drejtuesit e shoqërive të sigurimit, në kuadër të procesit të përafrimit të tregut shqiptar të sigurimeve me standardet e Bashkimit Evropian dhe kalimit gradual drejt regjimit Solvency II.
Takimi u fokusua në Ushtrimin e Vlerësimit të Ndikimit Sasior, i cili përbën një hap të rëndësishëm për matjen e gatishmërisë së tregut ndaj kërkesave të reja që lidhen me aftësinë paguese, kapitalin, profilin e rrezikut, cilësinë e të dhënave, sistemet e informacionit dhe kapacitetet teknike të shoqërive të sigurimit.
Zëvendësdrejtorja e Përgjithshme Znj. Gurabardhi theksoi se Solvency II nuk është vetëm një reformë ligjore, por një ndryshim thelbësor në mënyrën se si shoqëritë matin rrezikun, vlerësojnë kapitalin, administrojnë aktivet dhe detyrimet, organizojnë qeverisjen e brendshme dhe raportojnë ndaj Autoritetit. Për këtë arsye u nënvizua rëndësia e përfshirjes së drejtpërdrejtë të drejtimit të lartë, bordeve dhe funksioneve kyçe të shoqërive në këtë proces.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të ORSA, si pjesë përbërëse e procesit të vlerësimit të rrezikut dhe aftësisë paguese, si dhe nevojës për trajtimin e koordinuar të kërkesave që rrjedhin nga IFRS 17 dhe Solvency II.
AMF vlerësoi kontributin e PRS për ekspertizën dhe dedikimin dhe konfirmoi rëndësinë e vlerësimit të ndikimit që faktorët makroekonomikë dhe faktorët e rrezikut specifikë për secilën shoqëri kanë mbi aftësinë paguese, kërkesat për kapital dhe qëndrueshmërinë financiare të shoqërive të sigurimit në kuadër të Solvency II.
Ky proces i paraprin diskutimeve teknike që AMF do të zhvillojë me shoqëritë e sigurimit në kuadër të projektligjit të ri për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit, i cili synon transpozimin e plotë të Direktivës Solvency II, Direktivës për Shpërndarjen e Sigurimeve dhe Direktivës së Kontabilitetit.
Autoriteti ritheksoi se ky proces nuk duhet parë si një formalitet apo ushtrim i izoluar teknik, por si një investim i përbashkët në qëndrueshmërinë financiare, transparencën, disiplinën e kapitalit dhe besueshmërinë afatgjatë të tregut shqiptar të sigurimeve.
spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat