13.5 C
Tirana
Monday, April 29, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetAksidentet rrugore, kostot dhe "sekserët"/ Si duhet te sillemi në rast aksidenti...

Aksidentet rrugore, kostot dhe “sekserët”/ Si duhet te sillemi në rast aksidenti automobilistik?

Në raportin më të fundit të publikuar nga INSTAT tregohet se gjatë tre-mujorit të parë 2023, në Shqipëri janë regjistruar 263 aksidente rrugore me 360 persona të përfshirë në to (viktima dhe të plagosur).

Nga 360 në total, viktima janë regjistruar 11 gra dhe 35 meshkuj, ndërsa të plagosur 104 gra dhe 210 meshkuj.

Sa i përket aksidenteve sipas qarqeve, Tirana ka numrin më të lart gjatë 3-mujorit të parë me 167 të tillë. E ndekur nga Durrësi me 58 dhe Lezha me 27.

LEXO EDHE: Mos e nisni vitin 2023 me humbje/ Nga flota e automjeteve, Sigurimi i Punonjësve tek Sigurimi i Pronës, të gjitha siguracionet që i nevojiten një biznesi

Edhe viti 2022 ka qenë një vit i përgjakur në rrugët e Shqipërisë. Aksidentet automobilistike kanë qenë të shpeshta dhe fatale për jetën e qytetarëve.

Gjatë vitit të shkuar, në vendin tonë, sipas INSTAT, u regjistruan 1.165 aksidente rrugore me 1.599 persona të aksdentuar (viktima ose të plagosur). Pa harruar aksidentet rrugore të cilat nuk raportohen në polici.

KOSTOT FINANCIARE TË AKSIDENTEVE RRUGORE

Aksidentet rrugore nuk kanë pasoja vetëm për ata që kanë fatin e keq të humbin jetën në to. Pasojat që shkaktohen edhe për personat e lënduar, familjarët e tyre, komunitetin, shoqërinë dhe cilësinë e jetës në përgjithësi, janë kosto të mëdha për të gjithë ekonominë e vendit.

Aksidentet rrugore edhe vlerësohen si kërcenim për sigurinë shëndetësore sepse ato rrisin numrin e personave që kërkojnë trajtim mjekësor.

Gjatë viteve të fundit, faturat spitalore nga aksidentet rrugore janë disa dhjetëra milionë euro dhe për një shtet me kapacitete jo të mëdha ekonomike kjo shifër nuk është e vogël dhe e papërfillshme.

Fatkeqësisht, deri më sot, për mungesë të të dhënave të detajuara, asnjë ekonomist nuk ka arritur të vlerësojë sa i kushtojnë realisht shoqërisë shqiptare aksidentet rrugore.

Skemat e “sekserëve”

Kostot e aksidenteve nuk prekin vetëm ekonominë e vendit por efekti më i drejtpërdrejtë shkon te qytetarët e dëmtuar, edhe pse ata janë të siguruar…

Pse ndodh kjo?

Sepse ka vite që është krijuar një skemë mirëfilli korruptive, nga një grup abuzuesish ekspertë, vlerësues dëmesh dhe avokatë që manipulojnë shkaqet dhe fajtorët e vërtetë të aksidenteve, duke devijuar në mënyrë të qëllimtë edhe të drejtën e dëmshpërblimit ose duke ia kaluar fajin një pale që nuk është fare prezent në aksident.

Të parët që shkojnë te koka e të aksidentuarit apo te familjarët e tyre, janë individët që përgatitin skemat e vjedhjes së të dëmtuarit.

Qytetarët, shpeshherë edhe nga mosinformimi, sepse e drejta e dëmshpërblimit i takon kujtdo që ka pësuar aksident dhe nuk ka qenë fajtor i aksidentit, bien pre e këtyre mashtrimeve dhe hedhin edhe firma pa e ditur se për çfarë po i hedhin dhe në fund ose nuk marrin asgjë që u takon ose në rastin më të mirë marrin vetëm gjysmën e shumës që u takon nga dëmshpërblimi.

Kjo ka krijuar situata të paqarta dhe mungesë besimi te kompanitë e sigurimit, kur, në fakt, edhe vetë kompanitë janë të dëmtuara në këtë rast dhe atyre u intereson që dëmin ta marrë pala që i takon dhe mbi të gjitha ta marrë në masën 100% dhe jo ta ndajnë me ndërmjetësit. Sepse, kur klienti është i kënaqur, rrjedhimisht i beson kompanisë së sigurimit dhe mbetet klient besnik.

LEXO EDHE: Aksidentet/ Ponari apel qytetarëve: Drejtohuni kompanive të sigurimeve, duke u drejtuar avokatëve humbisni kohë dhe para

Pse “Sigurimi i Makinës” nuk duhet parë thjesht si një detyrim ligjor

Sigurimi i detyrueshëm mjetit motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, TPL, është një sigurim i detyrueshëm, 1-vjeçar, i cili i ofrohet poseduesit të mjetit motorik, që qarkullon brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës.

Çfarë mbulon ky siguracion?

Sigurimi i detyrueshëm i mjetit motorrik mbulon dëmet që i shkaktohen palëve të treta gjatë përdorimit të mjetit motorrik me pasojë dëmtime të pronës, dëmtime trupore dhe përkeqësimin e shëndetit dhe humbjen e jetës.

Sigurimi mbulon edhe dëmet ndaj personit dhe pronës qe mund tu shkaktohen këmbësorëve, çiklistëve dhe personave të tjetë që lëvizin në rrugë, vetë strukturave të rrugës dhe pasurive përreth si shtylla, dyqane etj).

Lidhja e kontratës së sigurimit është një detyrim që buron nga Kodi Rrugor dhe Ligji nr.32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Masat ndëshkuese nëse nuk pajisesh me Sigurim

Moszbatimi i këtij detyrimi ligjor shoqërohet me masa administrative që rëndojnë xhepin e pronarit të mjetit të pasiguruar. Me ndryshimet e reja ligjore dhe zhvillimin e teknologjisë së strukturave të Policisë Rrugore, evidentimi i mjeteve të pasiguruara është bërë më i lehtë.

Kujtojmë se cilido që qarkullon pa qenë i siguruar, ndëshkohet me masë administrative gjobë nga 10,000 deri në 40,000 lekë.

Zbatimi i “bonus malus” mund të na bëjë më të kujdesshëm?

Në një kohë që masat e ashpërsuara në Kodin Rrugor nuk po japin efekt, ekspertët vlerësojnë se zbatimi me detyrim i sistemit “bonus malus” mund t’i vijë në ndihmë situatës.

Sistemi “bonus malus” përcakton çmimin e siguracionit të automjetit në bazë të historikut të numrit të aksidenteve.

Ky sistem duhet të vihet me detyrim, me qëllim që ata drejtues automjetesh që i kanë pikët e nevojshme, pasi nuk kanë bërë shkelje të Kodit Rrugor të përfitojnë lehtësi në pagesë.

Aplikimi i sistemit, “bonus-malus” do të bënte të mundur diferencimin mes përdoruesve të përgjegjshëm dhe atyre të këqij të rrugës.

Por a mund të flasim për “Bonus-Malus” ku Shqipëria numëron rreth 23% e mjeteve të pasiguruara

Sipas të dhënave nga DPSHTRR, në fund të vitit 2021 numri i automjeteve aktive ose të çregjistruara përkohësisht në Shqipëri, ishte rreth 741 mijë.

Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për të njëjtin vit kompanitë e sigurimeve raportuan 568 mijë polica sigurimi të shitura në klasën e sigurimit motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta.

Nga raporti mes këtyre shifrave rezulton se më pak se 77% e mjeteve të regjistruara janë siguruar sipas kërkesave të ligjit për sigurimet e detyrueshme motorike.

Shifra në vetvete është shumë e lartë dhe përfaqëson një vlerësim maksimal, pasi me shumë mundësi një pjesë e madhe e këtyre mjeteve nuk qarkullojnë rregullisht.

Si mund të flitet ende për automjete që lëvizin të pasiguruara? Ku është Policia e Shtetit, e cila ka detyrim të kontrollojë çdo automjet që të mos qarkullojë pa siguracionin e detyrueshëm? Si mund të flitet për drejtues mjetesh që sigurojnë makinën nga frika e policit në rrugë dhe nuk sigurojnë shëndetin e tyre?

Madje edhe siguracionin e detyrueshëm të makinës, që shumë individë e konsiderojnë “taksë”, e bëjmë në fakt që ti “mbyllim sytë” policit në rrugë, harrojmë që ajo është një kontratë sigurimi, e cila na mbron që, siç do e shpjegojmë më poshtë, kushtojnë jo pak.

Limitet e dëmshpërblimit që mbulon Siguracioni TPL

Për dëme pasurore, me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore dhe përkeqësime të shëndetit, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh të ardhura nga një ngjarje sigurimi:

–    për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 150 000 000 lekë;

–    për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme 200 000 000 lekë;

–    për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 50 000 000 lekë;

Për dëme jopasurore, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh, të ardhura nga një ngjarje sigurimi, si më poshtë:

–     dëmi moral dhe ekzistencial, nga vdekja apo paaftësia, e pjesshme e përhershme 1,000,000 lekë;

–     dëmi moral dhe ekzistencial, nga dëmtime të tjera 500 000 lekë;

–     dëmi moral, nga paaftësia totale, e përhershme 2 000 000 lekë;

–     dëmi ekzistencial, nga paaftësia totale e përhershme 1 500 000 lekë;

–     dëmi biologjik nga vdekja apo paaftësia totale e përhershme 1 000 000 lekë;

Kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në një ngjarje të sigurimit, 20,000 000 lekë.

Për dëme, të lidhura me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës, nga një ngjarje:

–    për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 15 000 000 lekë;

–    për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme 20 000 000 lekë;

–    për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 10 000 000 lekë.

 

Si duhet të veproni për tu dëmshpëblyer në rast dëmi për Siguracionin e Detyrueshëm të Makinës brenda Shqipërisë (TPL)?

Nëse përfshiheni në një aksident dhe sido që të jetë situata:

  • Ruani qetësinë në çdo çast;
  • Mos e lëvizni mjetin e aksidentuar;
  • Bëni foto me targa të mjeteve në vendin e ngjarjes;
  • Mos pranoni fajësinë, në rast se nuk jeni fajtor!
  • Njoftoni dhe prisni ardhjen e Policisë Rrugore për ekspertizën e vendngjarjes;
  • Njoftoni kompaninë tuaj të sigurimeve.

Nëse keni sigururacionin TPL të automjetit dhe jeni përfshirë në një aksident, dokumentacioni për dëmshpërblim që duhet të dorëzoni kompanisë së sigurimit është:

  • Kërkesa për dëmshpërblim
  • Procesverbali i konstatimit të shkeljes nga Policia Rrugore për ngjarjen ose Vendimi i formës së prerë i gjykatës (Vendimi i Prokurorisë për ngjarjen), Akti i ekspertimit autoteknik kur në aksident rezultojnë dëme shëndetësore;
  • Fotografi të mjetit/mjeteve të përfshira në aksident(e), në vendin e ngjarjes;
  • Fotografi të mjeteve/objektit të përfshirë në aksident;
  • Formulari i Vërtetimit Miqësor të Ngjarjes;
  • Leja e qarkullimit të mjetit/dokument pronësie objekti;
  • Policën e sigurimit të mjetit të dëmtuar;
  • Dëshmi e aftësisë për drejtimin e mjetit;
  • Certfikata e kontrollit teknik;
  • Autorizim përdorimi (nëse nuk jeni pronar i mjetit);
  • Autorizim përfaqësimi për të kryer procedurat;
  • Deklarata e të dëmtuarit;
  • Çdo dokument tjetër që kërkohet nga siguruesi.

Sa kanë paguar kompanitë e sigurimeve gjatë periudhës janar-shkurt 2023?

Sipas raportimit më të fundit nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar-shkurt 2023, kompanitë e sigurimeve kanë paguar si dëme motorike 752,464,000 Lekë dëmshpërblime.

 

Ndërsa sa i përket klasës “Aksidente dhe Shëndet” janë paguar në total 85,095,000 Lekë dëmshpërblime.

Drejtoni automjetin konform rregullave të qarkullimit, mos konsumoni alkool kur jeni në timon! Siguroni veten dhe të tjerët!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat