Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë ngre shqetësimin se sistemi shëndetësor në vendin tonë është në krizë për personel.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, shoqata thotë se shumë spitale, përfshirë edhe ato private kanë mungesa të specialistëve dhe infermierëve.
Sipas shoqatës, Ministria e Shëndetësisë po telefonon mjekë të dalë në pension që të bëhen pjesë e shërbimeve.
Nisur nga kjo situatë, Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë bën thirrje për rregullimin e politikave të vlerësimit të sfateve mjekësore.
“Shqipëria në krizë për personel shëndetësor me mungesa të mëdha të mjekëve dhe infermierëve.
Ashtu siç kishte parashikuar Shoqata e Infermierëve te Shqipërisë që Shqipëria do jetë në kolaps për personel shëndetësor, ashtu po ndodh. Shume spitale, si shtetërore ashtu dhe private, janë me mungesa të mëdha të mjekëve specialistë dhe infermierëve.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ditet e fundit Ministria e Shëndetësisë, për të plotësuar nevojat për staf në Qëndrat Shëndetësore Verore, po telefonon dhe po u kërkon mjekëve të dalë në pension të behen pjesë e këtyre shërbimeve.
Pse vallë kur ne ngremë shqetësime reale ato nxjerrin lloj lloj justifikimesh apo shpesh dhe duke përgënjeshtruar shifrat e deklaruara nga ne të largimeve masive nga Shqipëria të mjekëve dhe infermierëve dhe sot del zbuluar ky realitet ku Ministria për të mos dalë zbuluar që nuk ka mjekë e infermierë ju lutet stafit të dale në pension për t’ju bashkuar për të sherbyer.
Kur do ndërgjegjësohen për të rregulluar politikat e duhura të punësimit dhe vlerësimit të stafit mjekësor para se Shqipëria të bëhet monopol i një grupi mjekësh e infermierësh të politizuar që kanë kthyer si pronë të tyre vendin e punës apo çdo post tjetër duke bërë që infermierët dhe mjekët e aftë të largohen nga Shqipëria. Mos vallë duhet ti kthej sytë Ministria nga vendet e tjera për të plotësuar nevojat për staf mjekesor në vend? Nuk keni parë gjë akoma…pasi tani është vonë për të ndaluar këtë hemoragji në Shëndetësi”, thuhet në reagim.