Një ngjarje vërtet tragjike ka ndodhur në jug të Nigerit, ku të paktën 26 nxënës kanë humbur jetën pas një zjarri që përfshiu shkollën ku ata mësonin.
Mediat e huaja bëjnë me dije se klasat e tyre të bëra me kashtë dhe dru u përfshinë nga zjarri këtë të hënë.
Gjithashtu, nga zjarri kanë mbetur të plagosur dhe 13 nxënës të tjerë, 4 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Viktimat ishin midis moshës 5 dhe 6-vjeç.
Nigeri, i cili njihet si një nga shtetet më të varfra në botë, është përpjekur të rregullojë mungesat e ndërtesave shkollore, duke improvizuar shkolla prej kashte dhe druri, me fëmijët të cilët shpesh ulen në tokë.
Zjarret në shkolla të tilla janë diçka e zakonshme në Niger, po rrallëherë janë shoqëruar me viktima.
Sindikatat në Niger kanë bërë thirrje pas kësaj tragjedie që procesi mësimor të zhvillohet nën pemë.
Presidenti i vendit, Mohamed Bazoum ka premtuar kohët e fundit se do të zevëndësojë këto struktura.