32.6 C
Tirana
Friday, June 26, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSigurime.Online sjell këndvështrimin teknik mbi një reportazh të Euronews dhe pretendimet e...

Sigurime.Online sjell këndvështrimin teknik mbi një reportazh të Euronews dhe pretendimet e drejta të fermerëve juglindorë

Mbrëmjen e djeshme, në televizionin Euronews Albania, nëpërmjet një reportazhi të përgatitur nga gazetari Xhensil Shkëmbi, fermerët e Juglindjes kërkuan me të drejtë, që sigurimi bujqësor të mos mbetet vetëm një premtim, por të kthehet në një mekanizëm konkret mbështetës për çdo familje që jeton nga toka.

Në një kohë kur ndryshimet klimatike po sjellin dëme gjithnjë e më të mëdha, një skemë e përbashkët mes shtetit, kompanive të sigurimit dhe vetë fermerëve shihet si e vetmja rrugë për të mbrojtur prodhimin dhe për të garantuar vazhdimësinë e bujqësisë në Juglindje të vendit.

Po si qëndron problematika nga pikëpamja teknike sot? Sigurime.Online do t’jua sjellë të plotë hartën e problemit.

Së pari,

Shqetësimi i fermerëve të juglindjes është plotësisht i ligjshëm dhe pasqyron një problematikë të mprehtë, të vërejtur më herët edhe nga vetë industria siguruese. Kjo e fundit e ka vullnetin e zgjidhjes së këtij ngërçi, por duhet përsëritur shpesh ajo që faqja jonë vijon ta mbajë në vëmendje të lexuesve tanë: parimi i siguruesve ndryshon shumë nga funksionet e institucioneve shtetërore apo organizatat bamirëse. Ajo bazohet kryekëput në vlerësimin e riskut.

Natyra e vetë riskut në këtë sektor, ku mbahen parasysh ngjarjet katastrofike si breshëri sistematik, ngricat e lulëzimit dhe përmbytjet, eshtë e korreluar. Kjo do të thotë se kur këto risqe ndodhin, prekin njëkohësisht qindra ferma në të njëjtën zonë.

Asnjë kompani private nuk mund t’i mbulojë vetëm këto risqe pa një mekanizëm shtetëror dhe risigurues pas saj. Që në krye të herës, nga perspektiva e siguruesit, ofrimi i këtij lloj produkti pa garancitë shtesë nis e bëhet shumë i vështirë.

Së dyti,

Sigurime.Online nga kontaktet e shpeshta me profesionistët më me përvojë të industrisë siguruese, gjykon se zgjidhja e përmendur si nga fermeri, ashtu edhe nga drejtori i bujqësise ne juglindje për një skemë të përbashkët shtet–kompani–fermer, është modeli i duhur dhe i provuar ndërkombëtarisht.

Në shumicën e vendeve të BE-së dhe rajonit, sigurimi bujqësor funksionon mbi tre shtylla: subvencionim i primit nga shteti (zakonisht 50 deri në 70%), bashkim i riskut nëpërmjet një pool-i kombëtar dhe transferim i pjesës katastrofike te risiguruesit ndërkombëtarë.

Primet e sigurimit për këtë risk shkojnë rreth 5% te prodhimit dhe duke pasur parasysh që fermerët marrin edhe kredi për investim, kjo vlerë primi behet e papërballueshme për to. Nga ana tjetër, vlerat e dëmeve sezonale janë shumë të mëdha e të përsëritura.

Kjo do kuptuar thjeshtë si pamundësi dhe pafuqi dypalëshe, pa subvencionin e primit, sigurimi mbetet i papërballueshëm për fermerin; pa pool-in kombëtar dhe risigurimin ndërkombëtar, për shkak të shpeshtësisë së ngjarjeve dhe riskut të lartë, mbetet i pasigurueshëm për kompaninë.

Së treti,

Sigurime.Online në bashkësiedim me ekspertët e industrisë sjell edhe disa piketa të tjera që do ta përshpejtonin dhe ndihmonin ndërtimin e një sistemi funksional të dedikuar për sigurimet bujqësore.

Elementë që do ta bënin projektligjin funksional në praktikë janë:

subvencionim i diferencuar i primit sipas nivelit të riskut të zonës,  tokat me risk të lartë të mos përjashtohen;

produkte parametrike për fenomene si ngricat apo thatësira, ku dëmtimi paguhet automatikisht kur tejkalohet një prag temperaturash apo reshjesh, më të shpejta dhe pa kontestime në vlerësimin e dëmit;

detyrueshmëria në karakterin e këtij sigurimi, lidhur me përfitimin e subvencioneve bujqësore, që krijon masën kritike të nevojshme për qëndrueshmëri financiare;

risigurim katastrofik ndërkombëtar për të mbrojtur skemën në vitet me dëme kolosale.

Kombinimi i këtyre katër elementëve, me përfshirjen e të tre aktorëve të përmendur më sipër, zgjidh edhe kostot e larta të primit për fermerët, edhe kostot e larta përballë risqeve të larta për siguruesin dhe përfshin në sistem edhe risigurues dhe aktorët shtetërore për mirëkoordinim dhe mirëshpërndarje risku.

Sigurime.Online gjykon se industria shqiptare e sigurimeve ka kapacitetin teknik dhe partneritetet risiguruese për ta mbështetur një skemë të tillë. Çelësi është që projektligji të ndërtojë arkitekturën e duhur të ndarjes së riskut , jo thjesht detyrimin për t’u siguruar.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat