Kur mendohej se vala e të infektuarve me grip e infeksione të tjera të rrugëve të frymëmarrjes në Shqipëri po binte, ajo arrinë një tjetër kulm.
Pas pikut të qarkullimit të viruseve mesin e janarit sipas Insitutit të Shëndetit Publik javën e dytë të shkurtit u shënuan vlerat më të larta deri tani.
Mbi 17,700 persona kërkuan ndihmën e mjekëve në qendrat shëndetësore në vend. Rreth 3500 të sëmurë më tepër se dimrin e shkuar.
Për numrin e rasteve kryeson Tirana ndërsa më të prekur janë fëmijët.
Fruthi ndërkohë është përhapur në katër qytete dhe numri i të infektuarve ka shkuar në 26. Kryesisht janë fëmijë 1 deri në 14 vjeç dhe dy të rritur.
Kryeqyteti me nivelin më të ulët të vaksinimit ka dhe numrin më të lartë të rasteve.
Pjesa më e madhe e të prekurve nga fruthi kanë marrë trajtim në spital. Aktualisht mjekët thonë se janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik i bëjnë apel mjekëve të familjes për të raportuar çdo rast të dyshuar me fruth.