Ministria e Bujqësia ka çuar në Kuvend disa ndryshime në Ligjin e “Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, të cilat synojnë të çojnë sektorin më të madh në ekonomi në baza të qëndrueshme.
Ndryshimet ligjore synojnë që të përcaktojnë sektorët prioritarë në bujqësi, të cilat më pas duhet të mbështeten me subvencione së paku pesë vite rresht.
Aktualisht skema e subvencionit hartohet dhe zbatohet me baza vjetore dhe vihet re se, aplikuesit nuk përfitojnë të gjithë nga pagesat direkte edhe pse ata plotësojnë kriteret. Planifikimi 5 vjeçar bën që fermerët dhe operatoret që kryejnë aktivitet bujqësor dhe agropërpunues programojnë më mirë shpenzimet dhe marrin angazhime, pasi janë të sigurt se qeveria do të mbështesë sektorët në të cilët ata do të përfshihen.
Qartësia e masave dhe sektorëve që mbështeten konsiderohet si një stimul për angazhimin në bujqësi te të rinjve të cilët aktualisht nuk e shohin bujqësinë si një sektor me të ardhme dhe rrjedhimisht nuk parashikojnë të punësohen ose vetëpunësohen në bujqësi.
Lexo edhe: Sigurimi i bujqësisë dhe blegtorisë/ Fermerë, mbrohuni nga rreziqet
Projektligji parashikon se nuk do të lejohet vendosja e kritereve te tilla, si numri i bagëtive ose sipërfaqja e tokës dhe kështu çdo fermer që punon tokën apo ushtron aktivitet blegtoral, bletari etj. mund të përfitojë pagesa nga subvencionet direkte pavarësisht madhësisë së fermës.
Një risi tjetër është kryerja e analizave e tokës dhe ujit me shpenzimet e buxhetit te shtetit. Projektligji sjell si ndryshim dhe detyrimin e kryerjes se analizave të tokës nga ministria përgjegjëse për bujqësinë nëpërmjet institucioneve të varësisë ose nga subjekte të jashtëm kundrejt pagesës. Pas kryerjes së analizave do të duhet të behën dhe interpretimi i rezultateve për të orientuar fermerët për kulturat qe duhet te mbjellin dhe masat rehabilituese të tokës varësisht nga rezultatet e analizave.
Termi “stabilizim i tregjeve” rikonceptohet dhe lidhet fillimisht me studimin e kulturave bujqësore që mbillen dhe çmimeve më të cilat tregtohen në Shqipëri dhe në vendet e tjera ku eksportohen produktet shqiptare. Një agjenci e specializuar ne varësi të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë parashikohet të krijohet dhe të kryeje studime dhe të monitorojë ecurinë e prodhimit, në volum dhe cilësi, dhe çmimeve.
Me ndryshimin e propozuar synohet që në raste të mbiprodhimit, për një numër kulturash të caktuara, shteti ndërhyn dhe blen me çmime tregu produktin bujqësor nga fermerët ose nga operatoret e agropërpunimit, duke stabilizuar tregun, shkruan “Monitor”.
Lexo edhe: Sigurimet në bujqësi, minimaliste – Hajdarmataj apel fermerëve: Garantoni mundin tuaj