11.5 C
Tirana
Saturday, May 4, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSi do të jetë familja e së ardhmes?

Si do të jetë familja e së ardhmes?

“Të afërmit janë ndonjëherë si gjarpërinjtë!”.

Janë të shumta thëniet dhe fjalët e urta që kanë të bëjnë të afërmit (qofshin këta të afërt apo të largët), në shumicën e rasteve për të kritikuar defektet e tyre. Dhe kjo nuk është diçka e rastësishme.

Sepse familja, cilësohet botërisht si qeliza bazë e shoqërisë njerëzore, e domosdoshme për zhvillimin e saj.

Megjithatë ashtu si konteksti social, edhe familja mund të evoluojë me kalimin e kohës, kryesisht në numër, gjë që në dekadat e ardhshme do ta kufizojë atë gjithnjë e më shumë, duke e ndryshuar rrënjësisht strukturën e saj.

Statistikat në fund të këtij shekulli

Ky parashikim është bërë nga një studim i kryer nga një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë, i publikuar në fundin e vitit 2023 në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences”. Për të kryer analizën e tyre, studiuesit u nisën nga të dhënat e mbledhura dhe arkivuara nga “World Population Prospects (një dokument mbi demografinë botërore i hartuar në vitin 2022 nga Kombet e Bashkuara).

Më pas ata zhvilluan modele matematikore, me të cilat mund të përfaqësonin marrëdhëniet midis një personi, paraardhësve dhe pasardhësve të tij në një periudhë të caktuar kohore.

Kështu u bë e mundur shqyrtimi i ndryshimeve në përmasat e familjeve në mbarë botën, duke marrë si parametër reference numrin e të afërmve të gjallë në njësitë familjare, duke nisur nga stërgjyshërit dhe gjyshërit, dhe duke vazhduar me prindërit, fëmijët, nipërit dhe mbesat, xhaxhallarët, vëllezërit dhe kushërinjtë.

Më shumë gjyshër, më pak nipër dhe mbesa

Por le të shohim shifrat konkrete. Sipas studimit, deri në vitin 2100, numri i të afërmve për çdo individ do të bjerë me 38 për qind. Pra do të ulet numri i njerëzve të afërt, siç janë kushërinjtë, nipërit dhe mbesat. Ndërkohë, do të rritet ndjeshëm numri i stërgjyshërve dhe gjyshërve.

Kjo tendencë është vënë re tashmë prej disa dekadash. Për shembull, në vitin 1950 mosha mesatare e gjyshes së një gruaje 35-vjeçare në Itali, ishte 77.9 vjeç. Ndërsa në vitin 2095, do të jetë 87.7 vjeç. Në përgjithësi, nëse në vitin 1950 një grua 65-vjeçare kishte mesatarisht 41 të afërm të gjallë, në fund të shekullit XXI, një zonjë e së njëjtës moshë do të ketë mesatarisht vetëm 25 të afërm të gjallë.

Kjo dukuri do të prekë të gjitha rajonet e botës, me një rënie më të madhe të përqindjes në Amerikën e Jugut dhe Karaibe. Në Amerikën e Veriut dhe Evropë, vende ku familjet janë tashmë relativisht të vogla që sot, ndryshimet do të jenë më pak të theksuara.

Një “tërmet” social

Një transformim i këtij lloji, mund të sjellë vetëm pasoja të rëndësishme. Për shembull, nga pikëpamja ekonomike, grupi i pensionistëve do të rritet në mënyrë proporcionale në krahasim me fuqinë punëtore aktive të aftë për të financuar sistemin e sigurimeve shoqërore.

Për të garantuar një nivel të lartë ndihme sociale, do të jetë e nevojshme edhe rritja e shërbimeve të kujdesit që ofrohen për të moshuarit nga institucionet dhe organet private.

Këto ndryshime epokale në strukturën e familjes, do të sjellin sfida të rëndësishme sociale që duhet t’i marrin parasysh politikanët në Hemisferën Veriore dhe Jugore të botës”- paralajmëron Diego Alburez-Gutierrez, studiues në Institutin Maks Plank për Kërkimet Demografike në Rostok (Gjermani) dhe bashkautor i studimit.

Le të shpresojmë që apeli i tij të mos bjerë në vesh të shurdhër./Focus

LEXO EDHE: Pensionet në vështirësi/ Mbi 1.1 milionë shqiptarë do jenë të moshuar në 2070. Koha për të kthyer sytë nga skema private

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat