10.5 C
Tirana
Tuesday, March 19, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRrogat i rrit tregu/ Çdo rritje me “urdhër” vetëm do rrezikojë të...

Rrogat i rrit tregu/ Çdo rritje me “urdhër” vetëm do rrezikojë të kthehet në një bumerang

Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se synimi i qeverisë është rritja e pagës mesatare, që, sipas tij, mund të shkojë deri në 900 euro.

Paga mesatare në vend është rritur mjaft ngadalë gjatë 9 viteve të fundit. Nga 45.5 mijë lekë që ishte bruto në vitin 2014, viti i parë kur raportin INSTAT të dhënat, arriti në 66 mijë lekë pas 9 vitesh në 2022-n, me një rritje të paindeksuar me inflacionin prej 45%. 

E indeksuar me inflacionin, rritja pagës reale është vetëm rreth 25% në 9 vjet! Në të kundërt ka ndodhur me rajonin, kur paga mesatare është rritur me ritme më të shpejta, duke arritur mesatarisht në 800-900 euro/muaj bruto, me përjashtim të Kosovës, ose rreth 40% më shumë se në vend.

Në fund të vitit 2022, paga mesatare në ekonomi arriti 66 mijë lekë, ose rreth 580 euro. Rritja e pagës në vlerë nominale ishte më e larta e 8 viteve të fundit, me 10.8%, ndërsa e indeksuar me inflacionin rritja reale ishte shumë më e ulët rreth 4.1%, për shkak se në 2022-n, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, ishte mesatarisht 6.7%, ose më i larti që prej vitit 1998.

Madje në 2022-n, rritja reale e pagës ishte më e ulët se sa në 2021, kur rezultoi 6.4%, nga 4.1 në 2022-n.

Pagat i rrit tregu dhe produktiviteti, por Kryeministri “premton” 900 euro pagë mesatare

Por, me një të rënë të lapsit, kryeministri Edi Rama ka premtuar që brenda dy viteve të ardhshme, paga mesatare do të arrijnë në rreth 900 euro (rreth 102 mijë lekë).

“Tani më kemi në dorë një plan shumë ambicioz por njëkohësisht dhe të arsyeshëm për një rritje pagash e cila synon të mundësojë ngritjen në harkun e këtyre 2 viteve, pra 2023, 2024 të Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit. Synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh”, tha Rama dje gjatë leximit të vendimeve të qeverisë.

Kjo do të thotë se jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve, familjeve dhe pas rritjes së pagës minimale mund të shkojmë drejt rritjes të pagës mesatare, në dy faza.

Do të kemi një rritje së shpejti për një pjesë të shkallëzuar, detajet do i diskutojmë pas aktit të miratimit që do të vijë brenda 10, 15 ditëve të ardhshme. Do të publikojmë planin e plotë që të gjithë ta dinë çfarë do te pasojë. Prsh, kemi thënë dhe do i qëndrojmë zotimit për rritjen e pagës së mjekëve dhe të infermierëve me 7% këtë vit, ndërkohë që mjekëve specialistë iu rrit me 50 mijë lekë. Pas rritjes pre 7% do shkojmë menjëherë në rritjen tjetër që do jetë e konsiderueshme vitin e ardhshëm.

Për të tjera kategori do kemi rritje të menjëhershme të këtij viti.

E dyta, jemi sot në kushtet kur mund t’ju themi edhe pensionistëve se zotimin për të shpërndarë drejt tyre taksën e jashtëzakonshme që vumë mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë do ta mbajmë sikundër e thashë dhe më parë por sot s’kemi vetëm zotimin e përgjithshëm, por edhe informimin konkret se për pensionistët, do të ketë 5 mijë lekë në drejtim të tyre bashkë me pensionet që do të marrin herën e ardhshme”, tha Rama.

“Jemi në kushte të jashtëzakonshme. Do të hedhim një hap tani dhe hap vitin tjetër. Do të bëjmë një rritje pagash historike. Është një rritje pagash që ne fakt është ndryshe nga rritjet e tjera të pagave , sepse është një reformë e gjithë strukturës së pagave të gjithë Shqipërisë. Pra është rezultati i reformave, i përpjekjeve i zhvillimeve dhe i ndryshimeve që kanë ndodhur dhe për të cilat shumë kanë të drejtë të thonë se ne kemi ende paga më të ulëta se sa të tjerët në rajon?

Pikërisht, sepse pagat nuk rriten sipas qejfit se nuk ka kryeministër në botë që të mos dojë të rrisë përditë pagat e njerëzve. Pagat rriten në raport me mundësitë, për t garantuar pagesën e tyre në një proces të përhershëm. Dhe rritja e pagave jashtë mundësive është hapja e një grope të madhe që i thith të gjithë brenda. Duke qenë se i kemi hedhur bazat, do bëmë reformën më të rëndësishme për njerëzit. Pagat do të rriten për të gjithë dhe jo vetëm në sektorin publik por kjo reformë do impaktojë dhe sektorin privat.

Një administratë e cila ka nevojë të ketë burime njerëzore shumë më të kualifikuara dhe të jetë konkurruese në tregun e punës do ta ketë këtë mundësi dhe ndërkohë sektori privat do duhet të rrisë pagat nëse do të jetë një sektor që e udhëheq këtë proces të tërheqjes se forcave më të kualifikuara të punës se përndryshe nuk i mbijeton dot konkurrencës. Shteti do të jetë konkurrent për sektorin privat dhe flas për pagat e larta”, tha Rama.

A është të paguhen të gjithë si informaticienët dhe bankierët?!

9 vitet e fundit kanë treguar se rritja ekonomike nuk është arritur që të kthehet në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, teksa të ardhurat për frymë vijojnë të mbeten më të ulëtat në Europë, me 32% të mesatares europiane, sipas Eurostat (me përjashtim të Kosovës).

Rritja e ngadaltë e pagave është një tregues se ekonomia nuk është nxitur nga produktiviteti. Edhe në 2022-n rritja e pagave u nxit më së shumti nga presioni i mungesës së punonjësve, me bizneset që raportonin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore në të gjithë sektorët.

Ndërsa qeveria ka në dorë rritjen e pagës minimale, që e çoi në 40 mijë lekë, nga 1 prilli, është tregu ai që i rrit pagat mesatare.

Sot Rama premton që brenda dy vitesh paga mesatare në vend të shkojë në 102 mijë lekë, kur realisht sot vetëm dy grupe marrin këtë pagë “Informacioni dhe komunikacioni” me rreth 103 mijë lekë/muaj dhe “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit”.

Strategjia e Ramës është që shteti të konkurrojë privatin dhe ky i fundit të detyrohet të rrisë pagat.

Por, në teoritë ekonomike është e qartë që rritja e qëndrueshme e pagave vjen vetëm nga shtimi i produktivitetit dhe investimet që i sjellin ekonomisë vlerë të shtuar të lartë dhe njohuri e investimeve teknologjike. Këtë model ekonomik nuk e kemi parë këto vjet, përkundrazi investimet janë përqendruar në pasuritë e paluajtshme, ndërsa bizneset prodhuese vendase janë dobësuar përballë rritjes së kostove dhe konkurrencës nga importet.

Përsa kohë që pagat nuk do të nxiten nga ekonomia, çdo rritje me “urdhër” vetëm do rrezikojë të kthehet në një bumerang! /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat