21.5 C
Tirana
Saturday, April 27, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRëndësia e sigurisë kibernetike në zhvillimet gjeopolitike

Rëndësia e sigurisë kibernetike në zhvillimet gjeopolitike

Nga Nadia Elbasani*

Dominimi në betejat digjitale është tashmë pjesë integrale e konflikteve gjeopolitike, pasi dominimi në këtë fushë formëson imazhin e sigurisë së shtetit.

Rëndësia e sigurisë kibernetike në një kohë që çdo sistem veprimi mes organeve shtetërore dhe qytetarëve bëhet online, nuk mund të anashkalohet. Kjo është veçanërisht domethënëse në vendet e ndodhura në rajone të tensionuara politikisht.

Siguria kibernetike shërben si vija e parë e mbrojtjes kundër aksesit të paautorizuar, spiunazhit dhe shkeljeve të të dhënave personale, pasi epërsia në këto sisteme nga një sulm i jashtëm është thyerje e një rrjeti të tërë veprimesh të brendshme të një shteti.

Zonat me një tension të shtuar politik janë gjithmonë më vulnerabël ndaj kërcënimeve kibernetike që vijnë nga aktorë të sponsorizuar nga shteti, organizata terroriste apo grupime të hakerave.

Në vitet ku jetojmë sulmi i hapësirës kibernetike është mirëfilli fushë beteja e re. Përdorimi i sulmeve kibernetike si një mjet për të përshkallëzuar tensione politike duhet kuptuar sa më shpejt nga qeveritë, të cilat duhet të krijojnë strategji për krijimin e një barriere kundrejt agresionit digjital.

Krimet kibernetike mes shteteve kanë “aftësinë” për të krijuar përçarje politike, sociale, për të ndikuar në skemën politike rajonale dhe mbi të gjitha për të zbehur dënimet e krimeve të luftërave tipike. Kamuflimi pas sulmeve kibernetike të paidentifikuara i bëjnë shtetet që agresionin mes tyre ta kalojnë në nivelin digjital duke përçuar mesazhe politike dhe njëkohësisht në rast nevoje duke mohuar origjinën e sulmit.

Pikërisht kjo metodë e re e betejave gjeopolitike ka nxitur një frymë ndërkombëtare për të ndërmarrë nisma dhe marrëveshje ligjore të cilat normojnë sjelljen e shteteve në hapësirën kibernetike. Organizata si OKB dhe NATO e kanë njohur nevojën urgjente për një përgjigje kolektive ndaj kërcënimeve kibernetike.

Në të njëjtën kohë me mbrojtjen kolektive të hapësirës kibernetike kërkohet po ashtu edhe dakordësia unanime mes shteteve se çfarë do të konsiderohet agresion kibernetik apo vetëmbrojtje në fushën kibernetike.

Dy dekadat e fundit, në mënyrë të përsëritur kanë treguar se tensionet gjeopolitike po evoluojnë edhe në një fushë që politikëbërësit nuk e kanë menduar më parë, ndaj në këto kushte ndërmarrja e strategjive konkrete është domosdoshmëri. Tashmë linja midis sigurisë kibernetike dhe politikës po bëhet edhe më e vështirë për tu dalluar, ndaj forcimi i sigurisë në hapësirën kibernetike përbën një element integral të sigurisë së përgjithshme të një shteti.

*Avokate dhe Pedagoge në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në Universitetin “Luarasi”.

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat