18.5 C
Tirana
Saturday, April 27, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPropozimi për uljen e tatimit për pagat e larta, ekspertët dalin kundër....

Propozimi për uljen e tatimit për pagat e larta, ekspertët dalin kundër. Ja pse

Lajmi i dhënë nga kryeministri Edi Rama se tatimpaguesit me paga më të larta do të paguajnë më pak taksa, është parë me skepticizëm nga ekspertët e fushës.

Ndonëse nuk ka ende një udhëzim final, qeveria po parashikon të lehtësojë detyrimet fiskale për të punësuarit me pagë mbi 200,000 lekë.

Sipas ekspertit të financave, Eduart Gjokutaj, vendimi do të jetë një goditje për shtresën e mesme dhe të ulët, ndonëse prek drejtpërdrejtë vetëm 1.5% të tregut të punës.

Kur barra i ulet një shtrese, i ngarkohet një tjetre. Ndërsa më të fuqishmit ia mbathin taksave duke paguar pak ose aspak, qytetarëve të thjeshtë u lihet të paguajnë faturën për shpenzimet e qeverisë.Ky propozim i rrezikshëm i shmangies së tatimit të pagave duke ju ulur barrën pagave të larta deri në 5% do të thithë pjesën e rishpërndarjes së mirëqenies për shtresën e mesme dhe atë pranë minimumit jetik”, thotë Gjokutaj për GazetaSi.

Me një përllogaritje, nëse një tatimpagues me pagë mbi 200 mijë lekë sot paguan deri në 19% të pagës së tij, me ndryshimet e reja në 20% do të paguante deri në 17% të pagës dhe me tatimin 18% deri në 14.5% të pagës. Ndërkohë një punonjës me pagë 60-200 mijë, paguan deri në 11.3%. Pra hendeku do të zvogëlohet ndjeshëm.

Sipas ekspertit, justifikimi i dhënë nga kryeministri se “për këtë nivel shërbimesh sot për sot nuk mund të pretendojmë të vëmë më shumë taksa” bie ndesh me vendimin, pasi në raste të tilla qeveritë ose duhet të shkurtojnë këto shërbime, ose të kompensojnë mungesën duke mbledhur taksa më të larta nga të gjithë.

Eksperti thotë se ky vendim bie ndesh edhe me moton fillestare të qeverisë së majtë Rama “kush fiton më shumë paguan më shumë” dhe tashmë barra më e lartë tatimore bie mbi shtresën e mesme, të vetëpunësuarit dhe bizneset e vogla.

Përveç kësaj, Gjokutaj thekson se një pabarazi tatimore prodhon, me gjuhë të thjeshtë, korrupsion.

Thënë thjesht, një vendim i nxituar dhe ndoshta edhe i qëllimshëm bazuar mbi interesa të ngushta do të ndikojë në një formë shfaqje të shmangies tatimore, apo edhe të fshehjes së të ardhurave nga puna duke rënë ndesh e gjitha kjo me programet sociale dhe ekonomike të vendit”,  shton eksperti.

Kjo thotë Gjokutaj, i bën njerëzit të mendojnë se “ekziston një rregull për të pasurit dhe një tjetër për njerëzit e zakonshëm”.

Për ekspertin ky është një “eksperiment tatimor” i pakonsultuar në një kohë kur ende nuk dihen efektet e tatimit progresiv për profesionet e lira dhe tregon paqëndrushmërinë e qeverisë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat