Shqipëria në emergjencë rrugore: më shumë viktima se sa një lagje shqiptare, më shumë të plagosur se sa një qytet. Kjo e dhënë del nga shifrat zyrtare të INSTAT për dekadën e fundit.
Panorama shqiptare paraqitet alarmante, po të mbahet parasysh se popullsia rumune me atë shqiptare janë në raportin 19-2.5, ose 7.6-1.
Sipas statistikave zyrtare, nga viti 2014 deri në 2025, në rrugët shqiptare kanë humbur jetën 2,374 persona, ndërsa 25,989 të tjerë janë plagosur ose dëmtuar. Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2026 janë regjistruar 391 persona të dëmtuar nga aksidentet, ndërsa muaji maj ka shënuar viktima thuajse çdo ditë. Në 12 vite, numri i të vdekurve nga aksidentet është më i madh se popullsia e një lagjeje mesatare në Shqipëri. Numri i të dëmtuarve i kalon banorët e një qyteti të vogël shqiptar.
Trauma e një aksidenti jeton gjatë me njeriun që mbijeton. Po aq gjatë jeton edhe dhimbja e familjeve që humbin një të afërm në rrugë. Çfarë është bërë me afro 2500 familjet që kanë humbur një njeri? Po me mbi 26 mijë familjet që kanë përjetuar plagosje, paaftësi apo trauma afatgjata?
Nëse llogariten rrethi familjar dhe njerëzit e afërt të prekur emocionalisht nga çdo aksident fatal apo plagosje e rëndë, pesha sociale dhe psikologjike e kësaj tragjedie prek mbi 150 mijë njerëz vetëm në dekadën e fundit.
Shqipëria vijon të ketë norma të larta aksidentesh krahasuar me mesataren e BE, me probleme të vazhdueshme që lidhen me shpejtësinë, parakalimet e rrezikshme, mungesën e disiplinës rrugore, infrastrukturën dhe edukimin në trafik.
85 viktima për 1 milionë banorë regjistrohen në Shqipëri, 43 është norma e BE.
Një model që provon të gjejë një shteg zgjidhjeje na vjen nga Rumania.
Rumania ka nisur një “Pakt Kombëtar për Sigurinë Rrugore” për të ulur numrin e viktimave në trafik. Në Parlamentin rumun, 60 institucione, biznese dhe organizata nënshkruan këtë javë një marrëveshje kombëtare për të përmirësuar sigurinë në rrugë, me objektiv uljen drastike të viktimave deri në vitin 2030 dhe afrimin me objektivin europian “Vision Zero” për vitin 2050. Nisma erdhi pasi vetëm në vitin 2025, në Rumani humbën jetën 1293 persona nga aksidentet rrugore, ndërsa katër persona vdesin mesatarisht çdo ditë në rrugët e vendit.
Shembulli rumun tregon se siguria rrugore, përtej t’u trajtuarit si “fatkeqësi e pashmangshme”, mund të konsiderohet përgjegjësi kombëtare, si problem kah të cilit duhet qasur strategjikisht.
Shqipëria ende nuk ka një pakt të tillë gjithëpërfshirës. Përse të mos hidhen hapa konkretë, ku edhe siguruesit të japin know-how-n e tyre?!




