15.5 C
Tirana
Saturday, October 5, 2024
spot_img
Faqe KryesoreEkonomiKriza e gazit "në duart" e Rusisë

Kriza e gazit “në duart” e Rusisë

Ambasadori rus në BE i kërkon Europës të përmirësojë marrëdhëniet me Moskën, për të shmangur mungesën e gazit. Kriza e furnizimit do të zgjidhej më shpejt nëse blloku nuk do ta trajtonte Rusinë si një “kundërshtare”, thotë ambasadori, shkruan Financial Times

Ambasadori i Kremlinit në BE, i ka bërë thirrje Europës të rregullojë marrëdhëniet me Moskën, në mënyrë që të shmangë mungesat e gazit në të ardhmen, por këmbënguli se Rusia nuk kishte asnjë lidhje me rritjen e fundit të çmimeve.

Vladimir Chizov, përfaqësuesi i Rusisë në BE, tha se ai priste që Gazprom, kompania shtetërore që furnizon 35 përqind të nevojave europiane për gaz, do t’i përgjigjet me shpejtësi udhëzimeve të presidentit Vladimir Putin për të rregulluar prodhimin.

Duke hedhur poshtë pretendimin e ligjvënësve europianë se Rusia ka luajtur një rol në krizën e gazit në Europë, Chizov tha se qëndrimi i Europës ndaj Moskës, duke e trajtuar atë si “kundërshtare” gjeopolitike, kishte ndikuar negativisht në këtë aspekt.

Çmimet e gazit natyror në Europë janë rritur, duke shtuar frikën e një krize të mundshme karburanti në dimër dhe duke rrezikuar gjithashtu rimëkëmbjen ekonomike.

Javën e kaluar, çmimet e gazit arritën gati 10 herë më të larta që nga niveli i tyre në fillim të vitit. Ato u ulën prapë pasi Putin sinjalizoi se Gazprom mund të rriste furnizimet.

Chizov këmbënguli se Moska nuk kishte interes në rritjen e çmimit të gazit. “Kjo nuk promovon stabilitet,” tha ai. Çmimet rekord dhe rezervat e ulëta i kanë trembur qeveritë e BE-së dhe disa shtete anëtarë kanë kërkuar që Brukseli të marrë në konsideratë mjetet emergjente ose reforma të reja. Por komisioneri i energjisë Kadri Simson, tha për FT javën e kaluar se rrënjët e krizës “nuk u krijuan këtu në Europë”.

Dimri i ftohtë në Europë dhe në Azi çoi në uljen e rezervave të gazit ndërsa rimëkëmbja ekonomike nga pandemia ka rritur kërkesën dhe shpejtësia më e ulët e erës në Europë këtë verë, ka zvogëluar prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Zyrtarët rusë kanë thënë se miratimi rregullator për të lejuar kalimin e gazit përmes tubacionit Nord Stream 2 në Gjermani, do të ndihmonte në zgjidhjen e krizës. Disa analistë kanë sugjeruar se Moska po e përkeqëson enkas situatën e çmimeve për të imponuar një rezultat të tillë. SHBA-ja dhe shumë shtete lindore të BE-së e kundërshtojnë tubacionin, duke argumentuar se ai është projektuar me qëllim për të anashkaluar tranzitin e gazit përmes Ukrainës.

Chizov tha gjithashtu se kriza ishte përkeqësuar nga rregulloret e BE-së që e detyrojnë Gazprom të furnizojë një pjesë të gazit në Europë me kushtet e tregut të lirë, në vend të kontratave afatgjata, të cilat Brukseli ka argumentuar se janë jokonkurruese.

Chizov shtoi se ai besonte se Komisioni Europian, nisma kryesore e të cilit për reformën e energjisë së rinovueshme synon që blloku të arrijë emetime zero deri në vitin 2050, “po nënvlerësonte rolin e ardhshëm të gazit” si një burim energjie për Europën. “Derisa njerëzimi të arrijë të gjejë një mënyrë për të ruajtur energjinë në sasi të konsiderueshme, gjithë ato helika dhe panele diellore nuk do të bëhen një faktor vendimtar”, tha ai.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat