13.5 C
Tirana
Friday, May 3, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetJanar-Tetor 2023/ Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri, rriten primet dhe...

Janar-Tetor 2023/ Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri, rriten primet dhe dëmet e paguara

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare publikoi ditën e sotme raportin mbi ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri për 10-mujorin 2023.

Sipas raportit, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-tetor 2023 kapën vlerën 18,838 milionë lekë, ose 9.64% më shumë se në janar-tetor 2022.

Gjatë periudhës janar-tetor 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,211,966 me një rritje prej 11.22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu, sipas AMF, mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.94% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 8.00% dhe risigurimi 0.065 %.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.45% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.55% të totalit të tregut.

Gjatë muajit janar-tetor 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 5,738 milionë lekë, ose 7.77% më shumë se në muajin janar-tetor 2022.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-tetor 2023 kapën vlerën 3,970 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 8.35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar-tetor 2023 arritën rreth 11,407 milionë lekë, ose 7.25% më shumë se në muajin janar-tetor 2022.

Produkti MTPL e brendshme, në muajin janar-tetor 2023, pati një rritje prej 8.58% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.73% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në muajin janar-tetor 2023 pati një rritje prej 1.46% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 42.51% krahasuar me muajin janar-tetor 2022.

Produkti Sigurim Kufitar, në muajin janar-tetor 2023, pati një rritje 1.77% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me muajin janar-tetor 2022. Edhe numri i kontratave u rrit me 13.09%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar-tetor 2023 arritën rreth 7,431 milionë lekë, 13.51% më shumë se në muajin janar-tetor 2022. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 0.77% krahasuar me muajin janar-tetor 2022.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë muajit janar-tetor 2023, patën një rritje me 14.66% kundrejt muajit janar-tetor 2022.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar-tetor 2023 siguruan mbi 3,404 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 64.70%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 26.03% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar-tetor 2023, vihet re një rritje prej 16.96% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.71% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me muajin janar-tetor 2022.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë muajit janar-tetor 2023, arritën në rreth 1,142 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 1.81% në krahasim me muajin janar-tetor 2022.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar-tetor 2023, arritën rreth 1,507 milionë lekë, ose 9.35% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë muajit janar-tetor 2023 u rrit me 7.77% krahasuar me janar-tetor 2022. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit te motorik me rreth 3,970 milionë lekë, apo 69.18% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Lexoni raportin e plotë KËTU

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat