22.5 C
Tirana
Wednesday, May 15, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetInstituti i Vjenës: Rritja në rajon fillon të dobësohet; Ekonomia shqiptare do...

Instituti i Vjenës: Rritja në rajon fillon të dobësohet; Ekonomia shqiptare do të zgjerohet me 3.3% në 2023

Ekonomia e Shqipërisë do të zgjerohet me 3.3% në vitin 2023, sipas parashikimit të fundit të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës (WIIW).

Ka një përmirësim nga vlerësimi i mëparshëm, prej 3%. Edhe për vitet pasaardhëse, trajektorja parashikohet në rritje, konkretisht për vitin 2024 një rritje prej 3.8%, ndërsa në vitin 2025, 4%.

Sipas raportit, edhe pse shumica e vendeve të rajonit, me përjashtim të Hungarisë, do të shmangin recesionin gjatë gjithë vitit, do të kenë rritje ekonomike më të vogël, në krahasim me vitin e kaluar.

Parashikimi i verës i Institutit të Vjenës për 23 vende të rajonit tregon se si inflacioni ende i lartë, shtrëngimi i politikës monetare dhe mjedisi ekonomik ndërkombëtar i dobët, janë duke rënduar mbi ekonomitë e rajonit.

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor do të rriten mesatarisht me 1.9%. Mali i Zi (3.5%), Kosova (3.4%) dhe Shqipëria (3.3%), parashikohen të shohin rritje më të lartë se 3%.

Rritja do të jetë më e ngadaltë në Serbi (1.3%), Bosnjë dhe Hercegovinë (1.5%) dhe Maqedoninë e Veriut (1.6%).

Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe vendet anëtare të BE-së të Europës Juglindore, Rumania dhe Kroacia, do të tregojnë performancë rritjeje mbi mesataren, falë flukseve të mëdha hyrëse të fondeve të BE-së, remitancave, investimeve të huaja dhe të ardhurave nga turizmi.

Megjithatë, tensionet e fundit në Kosovën Veriore, nuk janë të mira për perspektivat e Kosovës dhe Serbisë, dhe mund të ndikojnë në atraktivitetin e tyre për investime në të ardhmen.

Pavarësisht nga qëndrueshmëria mbresëlënëse, e treguar përballë pasojave ekonomike të luftës në Ukrainë, shumë nga ekonomitë e vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, rrezikohen.

Pas një ecurie të dobët në tremujorin e katërt të 2022, rritja në shumë vende u ndal në tremujorin e parë të vitit aktual, madje ra në vlera negative në Poloni, Çeki dhe Hungari.

Përveç rënies së të ardhurave reale, kjo është kryesisht për shkak të recesionit në Gjermani dhe çmimeve të larta të energjisë. Industria gjermane, në veçanti, po vuan, gjë që po zvarrit vendet e Vishegradit*, të cilat janë të lidhura ngushtë me të” shpjegon Vasily Astrov, ekonomist i lartë në WIIW dhe autori kryesor i parashikimit.

Për vitin 2023, wiiw parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike, në një mesatare prej 1.2% për anëtarët e BE-së në rajon – megjithëse kjo do të thotë, se ato duhet të rriten akoma më shumë se dy herë më shpejt se Eurozona (0.5%).

Rumania (3%) dhe Kroacia (2.5%), do të shohin një rritje relativisht të fortë, ndërsa vendet e Vishegradit (Çekia, Hungaria, Polonia, Sllovakia) do të zgjerohen vetëm pak, me një mesatare 0.6%.

Edhe pse shumica e vendeve të rajonit, me përjashtim të Hungarisë (-0,5%), do të shmangin një recesion të plotë gjatë vitit, ato do të rriten më pak në vitin 2023, krahasuar me një vit më parë.

E kundërta është e vërtetë, për ato vende të rajonit, që janë prekur më shumë nga lufta në Ukrainë. Rusia, pavarësisht se vuan nga sanksionet dhe një rënie e mprehtë e të ardhurave nga energjia, pritet të rritet me 1% përsëri këtë vit, falë lulëzimit të industrisë së mbrojtjes.

Pas rënies shkatërruese të vitit 2022 (-29.1%), Ukraina mund të rimëkëmbet pak këtë vit, me rritje 2% . Bjellorusia (1.9%) dhe Moldavia (2.5%), gjithashtu pritet të zgjerohen përsëri këtë vit, pas një recesioni të thellë vitin e kaluar.

“Krahasuar me pranverën, rreziqet negative të parashikimit tonë janë rritur”, thotë Astrov.

Përveç një përshkallëzimi të mundshëm ushtarak të luftës në Ukrainë në çdo kohë, recesioni në Gjermani dhe rritja e mëtejshme e normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane, po rëndojnë në perspektivën. Industria gjermane po vuan jashtëzakonisht, nga kostot e energjisë, që janë shumë më të larta se në SHBA. Ky është ‘helm’ për ekonomitë e Europës Qendrore dhe Lindore”.

Inflacion dyshifror

Inflacioni ka kaluar kulmin në të gjitha vendet e vëzhguara. Megjithatë, ka të ngjarë të mbetet i lartë për disa kohë.

Mesatarisht, do të jetë rreth 16% në rajon në vitin 2023, pothuajse tre herë më i lartë se në Eurozonë (5.7%).

Drejtuesit kryesorë të inflacionit në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, janë çmimet e larta të ushqimeve dhe rritja e fitimeve të korporatave.

Pra, nuk ka asnjë shenjë të një spiraleje klasike të çmimit të pagave, prandaj bankat qendrore do të kenë vështirësi në mbajtjen nën kontroll të inflacionit, nëpërmjet rritjes së normave të interesit”, shpjegon Astrov. /Emerging Europe, WIIW

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat