6.5 C
Tirana
Saturday, December 7, 2024
spot_img
Faqe KryesoreOpinionFormalizimi i ekonomisë përmes pagesave nëpërmjet bankës

Formalizimi i ekonomisë përmes pagesave nëpërmjet bankës

Flitet që ekonomia duhet formalizuar, transaksionet e parave duhen bërë përmes bankave.

Por në fakt si është realiteti? Çfarë lehtësirash ka sistemi bankar në Shqipëri?

Pse mbi 90% e shqiptarëve sot paguajnë vetëm cash dhe jo me banka? Përse pagesat nëpërmjet bankave janë me komisione të larta, duke ndikuar kështu direkt në rritjen e qarkullimit të parave cash dhe për pasojë edhe në rritjen e ekonomisë së paformalizuar ose ndryshe siç njihet “ekonomia gri” ose “evazion fiskal”?!

Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, rezulton se përdorimi i parave cash nga shqiptarët është në masën mbi 90% në dyqanet e mallrave të konsumit dhe shërbimet utilitare si pagesat e faturave dhe detyrimeve, dhe në masën mbi 70% për pagesat në hotele dhe agjenci udhëtimi.

Arsyet e përdorimit kaq shumë të parasë cash lidhet me faktin se qytetarët shqiptarë mendojnë se pagesa cash është më praktike. Argumenti më kryesor dhe më i përhapur në popullsi për mospërdorimin e  instrumenteve të tjera të pagesave është fakti se shumë konsumatorë e lidhin përdorimin e tyre me kosto shtesë, pra pagesat jo-cash që kryhen nëpërmjet sistemit bankar konsiderohen si më të kushtueshmet.

Për rrjedhojë qytetarët zgjedhin mënyrën më pak të kushtueshme për të kryer pagesat për shërbimet që atyre u nevojiten që është pagesa me para në dorë.

Qarkullimi i parasë cash është një nga faktorët kryesorë që rrit ekonominë gri, sepse zvogëlon transaksionet e regjistruara, gjë që automatikisht sjell edhe shmangien e tatimit.

Ekonomia gri apo evazioni fiskal, rritet kryesisht nga rritja e përdorimit të parave cash dhe mosdeklarimi në sistemin tatimor. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se në Ballkanin Perëndimor, evazioni fiskal është në masën 30%, në Shqipëri është edhe më i lartë, prandaj dhe është e nevojshme formalizimi i ekonomisë, duke futur në përdorim sa më shumë transaksionet bankare.

Evazioni fiskal sjell tkurrjen e tregut të lirë të një vendi dhe redukton mundësitë e shteti për të ofruar shërbime cilësore për shoqërinë.

Jetojmë në epokën dixhitale ose ndryshe të ‘inteligjencës artificiale”. Të jetosh në një epokë të tillë, do të thotë që shumica e veprimeve që bëjmë në punën dhe jetën tonë të përditshme të udhëhiqen nga bota virtuale. Në këtë kontekst, sistemi bankar merr një vlerë të shtuar dhe duhet të luajë një rol të rëndësishëm në fomalizimin e ekonomisë, por në fakt nuk po e kryen këtë rol.

Disa ekonomi të përparuara dhe të mëdha në botë po shkojnë drejt ekonomive jo-cash, siç është Suedia, që po bëhet një nga shoqëritë më jo-cash në botë dhe Kina ku kompanitë Baidu dhe Alibaba po kërcënojnë seriozisht themelet e sistemit të pagesave cash nëpërmjet bankave në Kinë.

Në rastin e Shqipërisë, ritmi i zhvillimit drejt ekonomisë jo-cash mbetet i ulët dhe ekonomia gjendet aktualisht midis Revolucionit të Tretë dhe Katërt Industrial.

Aktualisht Shqipëria ballafaqohet me një nivel shumë të ulët të kulturës financiare, ku përdorimi i parasë cash tek qytetarët është i ngulitur thellë dhe duhet punuar shumë që të ç’rrënjoset ky mentalitet i vjetër.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i kartave bankare ka shënuar nivelin e 940 mijë ose e thënë ndryshe 41% e popullsisë së punësuar shqiptare zotëron një kartë bankare.  Kjo është njëra anë e medaljes, por cila është ana tjetër? Faktet tregojnë që 91% e këtyre kartave janë karta debiti (që lidhen me llogaritë rrjedhëse të individëve) dhe përdoren vetëm për të tërhequr para cash (rrogën) nga bankomati. Nga mbi 200 miliardë lekë veprime me karta në vit, mbi 92% janë tërheqje cash. Po të shohim çdo fundmuaj, terminalet ATM të bankave (ato pak që janë) janë të populluara nga qytetarë që presin të tërheqin rrogën e tyre.

Ndërkohë që në vende të zhvilluara, kartat janë pjesë e jetës të përditshme dhe përdorimi i tyre është i konsoliduar, në ekonomi të reja në zhvillim si kjo e jona, përdorimi i tyre është në nivelet primitive, nëse do ta quajmë kështu. Shqipëria është i vetmi vend në rajon i cili ka numrin më të vogël të POS, ATM-ve, e-banking, kartave të kreditit dhe kartave të debitit. Rrjedhimisht ka edhe numrin më të ulët të transaksioneve bankare.

Por çfarë faktorësh ndikojnë në përdorimin e parave cash në vend të transaksioneve bankare? Përse shqiptarët përdorin në masë vetëm paratë cash, qoftë në dyqane, kafene, restorante, në rrugë, në spitale, në pagesën e faturave të energjisë, ujit apo taksave dhe për çdo shërbim tjetër?

Komisionet bankare tepër të larta për transfertat bankare (2%-3%) është një nga motivet kryesore që bën që shqiptarët të përdorin paratë cash dhe jo transfertat bankare.

Komisioni e POS-eve tepër të larta në masën 1,8 – 3,5%, ç’ka sërish nuk favorizon përdorimin e transfertave bankare.

Komisionet e larta edhe për tërheqjen cash pranë ATM-ve. Disa prej bankave në Shqipëri mbajnë komision edhe për pagat, komision i cili për pagat e vogla ndikon në xhepin e qytetarëve dhe bën që ai/ajo të përdorë më mirë paratë cash sesa POS-et e bankave.

Përveç komisionit të lartë që banka mban për transaksionet që çdo individ apo biznes kryen, edhe konvertimi i parasë është një tjetër faktor. Kjo sepse kur bën pagesën me lek shqiptar në banka, shumë prej tyre ta kthejnë në euro, pa marrë aprovimin nga personi përkatës.

Shërbimi që ofrohet nga bankat në rastet e transaksioneve bankare nuk është shumë efikas. Shumë banka, të cilat ofrojnë pagesat me kartë për blerjet online, për bileta avioni apo prenotim pushimesh kërkojnë një aprovim nga përdoruesi i kartës, nëpërmjet telefonit të tij personal. Por kjo bëhet jo funksionale në rastet kur personi është në terminalet e aeroporteve, në fluturim apo ne vende ku aparati i telefonit duhet te jetë i fikur. Në raste të tilla, transaksioni bankar nuk mund të realizohet dhe të banka bllokon kartën.

Por çfarë duhet të bëjmë që të kalojmë nga një ekonomi cash në jo-cash?

Natyrish që ekonomia jo-cash ka përfitime në aspektin ekonomik familjar apo edhe të biznesit.

Pagesat nëpërmjet sistemit bankar, nëpërmjet të gjitha kanaleve që ata përdorin, online ose j-online, kursen kohë dhe eliminon radhët e gjata, ul kostot për tarifat e shërbimit dhe shpenzimet e tjera financiare dhe bën që të gjithë të ndihemi komodë e më të sigurt, kur udhëtojnë apo dhe shpenzojmë gjatë blerjeve.

Gjithashtu, qeveritë dhe tatimpaguesit e kanë më të lehtë të mbledhin detyrimet tatimore, sepse me pagesat cash qoftë indididët, qoftë bizneset mund të shmangin deklarimin e të ardhurave, ndërsa pagesat nëpërmjet bankës të detyrojnë që të deklarosh të ardhurat dhe në këtë mënyrë shkojmë drejt një ekonomie më të formalizuar.

Duhet të bëhen hapa konkreë dhe incentiva qoftë nga shteti por edhe nga vetë bankat.

Këto të fundit duhet të rishikojnë komisionet dhe ti zerojnë për shumicën e shërbimeve siç ndodh në shumë vende të zhvilluara të botës, madje këto të fundit ofrojnë edhe bonuse nëse bën blerje me kartë dhe nuk ke komisione.

Për shërbimet e tjera, bankat duhet të marrin në konsideratë direktivat e Bashkimit Europian, që kanë vendosur vlera tavan për komisionet e aplikuara për kartat e debitit në masën 0.2% dhe për kartat e krediti në masën 0.3%. Këto nivele janë minimalisht 10 herë më të ulta se ato që aplikohen aktualisht nga bankat në Shqipëri.

Nga ana tjetër shteti duhet të ndërhyjë me miratimin e ligjit për shërbimet e pagesave, i cili jo vetëm që do të nxisë transparencën dhe do të mbrojë më shumë konsumatorin, por edhe do të nxisë konkurrencën dhe inovacionin, duke çuar në një shërbim gjthmonë e më cilësor për konsumatorët dhe, ç’ka është më e rëndësishmja, edhe në një shërbim më pak të kushtueshëm.

Zhvillimet infrastrukturore duhet të jenë një tjetër pikë e rëndësishme për tu parë nga ana e bankave, me qëllim eleminimin e radhëve dhe kohës së stërgjatur për kryerjen e pagesave.

Zgjerimi i POS, sidomos në sektorët strategjikë të turzimit dhe bizneseve; Vendosja e terminaleve të pagesës pranë njësive të biznesit u jep mundësi individëve, por dhe bizneseve, të kryejnë pagesa me kartë; Rritja e numrit të kartave të parapaguara por edhe rritja e sigurisë për transaksionet bankare, në mënyrë që qytetarët të ndjehen të sigurtë kur paguajnë me kartë, nxit reduktimin e përdorimit të parasë cash nga qytetarët.

Reduktimi i parasë cash mund të nxitet edhe nga ofrimi i stimujve konsumatorit që të përdorin pagesat elektronike, si psh zerim komisionesh apo bonuse të ndryshme për pagesën ose blerjen e radhës online.

Të gjitha këto do të ndikojnë seriozisht në uljen e përdorimit të parasë cash dhe në uljen e evazionit fiskal.

Të mos harrojmë se një nga faktorët që ndikoi në daljen nga recensioni të Greqisë pas një periudhe 8-vjeçare ishte pikërisht formalizimi i ekonomisë, duke ulur përdorimin e parasë cash dhe rritjen e transaksioneve bankare.

Për një periudhë 2-vjeçare (2015-2017) numri i transaksioneve bankare në Greqi u rrit me 285%; përdorimi i internetit, celularit, e-banking dhe sistemit të bagesave automatike dhe terminaleve POS pati një rritje disashifrore. Nga ana tjetër edhe për bizneset u ofruan pagesat e menjëhershme nëpërmjet aplikacionit nga celulari duke përdorur si përdorues numrin e identifikimi të personit tatimor NIPT.

Edhe përdorimi i codeve QR nga celulari dhe aplikacionit “MyBank” patën një rritje me 350%. E gjitha kjo pati një ndikim shumë të madh në formalizimin e ekonomisë së Greqisë, uljen e evazionit fiskal dhe daljen nga reçensioni.

Nëse edhe ne do të ndjekim të njëjtën strategji si fqinji ynë, do të ndiheshin efektet në ekonomi në mënyrë të menjëhershme.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat