Një aksident me pasojë vdekje ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën e re drejt Darëzezës.
Një automjet pasi ka dalë nga rruga si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara ka përfunduar i përmbysur ne kanalin anësor të rrugës, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të drejtuesit.
Së pari, Sigurime.Online shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet e stafit për humbjen e jetës së të riut.
Së dyti, Sigurime.Online apelon për kujdes, përgjegjshmëri dhe respektim të rregullave të qarkullimit rrugor në drejtim të automjetit.
Së treti, portali ynë do të provojë ta analizojë këtë ngjarje nga perspektiva e sigurimeve:
Çfarë duhet ditur nga sigurimi, në rastet kur një automjet del nga rruga dhe humb kontrollin? Cilët sigurime aktivizohen? Çfarë do të mbulonin nëse do të ishin sigurime aktive? Cili sigurim nuk aktivizohet dhe pse?
- TPL, sigurimi i detyrueshëm i automjeteve, nuk parashikon mbulim dhe as dëmshpërblim për dëmet në jetë dhe shëndet për drejtuesin e dëmtuar të mjetit shkaktar në këtë rast konkret.
- TPL, sigurimi i detyrueshëm i automjeteve, nuk parashikon mbulim për dëmet materiale në mjetin shkaktar, duke qenë mjet i vetëm i përfshirë në aksident si pasojë e daljes nga rruga.
- Dëmet shëndetësore, apo në rastin konkret, dëmshpërblimi për trashëgimtarët ligjorë të shoferit, do t’i mbulonte sigurimi nga aksidentet. Deri në 10 mijë euro me 10 euro shtesë mbi TPL do të ishte mbulimi. Deri në 50 mijë euro si sigurim i mëvetshëm, me çmim sigurimi 90-120 euro.
- Dëmet materiale në automjetin e dalë nga rruga i mbulon sigurimi KASKO. Deri në 90% të vlerës limit të mbulimit në sigurim KASKO, sipas kontratës.
- Sigurimi MINIKASKO nuk do të aktivizohej në këtë rast, sepse nuk jemi në rrethanat e një aksidenti mjet me mjet dhe në lëvizje.




