15.5 C
Tirana
Saturday, October 5, 2024
spot_img
Faqe KryesoreOpinionSigurimi nga katastrofat natyrore

Sigurimi nga katastrofat natyrore

80 lëkundje tërmeti brenda një harku kohor prej 48 orësh në rajonin e Korçës, është një bilanc i frikshëm, i padëgjuar më parë brenda një kohe kaq të shkurtër.

Shtëpi të dëmtuara, familje në rrugë, fëmijë të vegjël pa ushqime dhe strehë është pasqyra e kësaj katastrofe natyrore, me të cilën natyrisht që të gjithë solidarizohemi e të gjithë përpiqemi të bëjmë aq sa mundemi.

Vit pas viti, Shqipëria vazhdon të mbetet në “zonën e minuar”, të vendeve më të rrezikuara nga katastrofat natyrore. Raportet e “Global Risks”, tregojnë se Shqipëria ka indeksin më të lartë, jo vetëm në rajon por edhe në Europë, për ekspozimin ndaj katastrofave natyrore si tërmetet, përmbytjet, rrëshqitjet e dherave etj.

Rrezikshmëria matet edhe nga mundësia që ka vendi për t’i përballuar katastrofat natyrore që mund ta godasin. Dhe pikërisht kur vjen fjala tek mundësitë aty ne ngelim në klasë, sepse vendi ynë nuk ka as kapacitete e as strategji për të parandaluar të tilla fatkeqësi.

Katastrofat nuk përzgjedhin, ato thjeshtë ndodhin dhe marrin përpara ç’të gjejnë.

Shqipëria, ashtu sikundër edhe e gjithë bota, nuk mundet dot të parandalojë fatkeqësitë natyrore, por ka diçka tjetër që të gjithë ne mundet të parandalojmë me siguri. Çdo ngjarje që ndodh, përveç ndikimit human, ka një prapa-efekt ekonomiko-social për komunitetin dhe këtë të fundit ne mundet ta parandalojmë.

Mbi 200 mijë persona janë prekur vetëm nga përmbytjet e tre viteve të fundit, ndërsa dëmet përllogariten në mbi 80 milionë euro, shifër kjo e ashtuquajtur zyrtare, sepse në realitet dëmet janë shumë më të mëdha se këto që raportohen.

Jo më larg se para pak ditësh, juglindja e vendit u prek nga tërmetet duke lënë me dhjetëra familje në qiell të hapur dhe frika e lëkundjeve të tjera mbetet akoma, ndërsa shifrat e dëmeve financiare ende nuk janë përllogaritur.

Sa herë bie tërmet apo sa herë bie shi rikthehemi tek ngjarjet, rikujtohen instancat e shtetit që duhet bërë një plan për të parandaluar ngjarje të tilla, ndërsa vetë qytetarët kërkojnë sigurimet pikërisht sapo u ka ndodhur përmbytja e shtëpisë, bagëtisë apo biznesit apo si në rastin më të freskët kur sapo u ka ndodhur tërmeti.

Në ditë si këto flitet shumë, propagandohet shumë, bëhen plane në letër, por asgjë konkrete në realitet.

Kalojnë disa ditë, lëkundjet nuk ndjehen më, banorët e prekur nga tërmeti dikush me para borxh mundohet të rindërtojë shtëpinë nga e para e dikush tjetër vazhdon të qëndrojë në qiell të hapur. Nga ana tjetër shteti u dërgon disa çadra dhe nga një thes me miell dhe me aq mbyllet çdo gjë.

Askush nuk flet më për përmbytjet, tërmeti harrohet me shpresën se nuk do të bjerë sërish dhe askush nuk flet më për përpilim planesh e strategjish dhe për vënien e tyre në funksion të parandalimit të këtyre ngjarjeve. Duket sikur dielli i përkohshëm i bën të harrojnë gjëmat e furtunave të mëdha.

Dhe ja, erdhi vera e së bashku me të rikthehen zjarret. Vjen vjeshta dhe do të vijnë sërish shirat e furishëm. Lëkundjet e tërmeteve fatkeqësisht janë aty prapa derës sepse Shqipëria është vatër e lëkundjeve sizmike dhe ndodhet në zonën e kuqe të hartës së rrezikut nga tërmetet.

Së bashku me katastrofa të tilla do të rikthehen edhe pasiguria, paniku e dëmet tek qytetarët dhe “hallet” e qeverisë se si do ti kapërcejnë situata të tilla. Sërish do të ketë dëme miliona euroshe dhe sërish do të jenë qytetarët ato që do ti paguajnë.

Ka një fakt që anashkalohet qëllimisht në historinë e katastrofave natyrore në Shqipëri. Ato janë cilësuar gjithmonë si “katastrofa”, ndërkohë që nëse do të ishin siguruar do të quheshin si “ngjarje sigurimi”. Ajo që unë cilësoj si “ngjarje sigurimi” dhe jo “katastrofë natyrore” janë pasojat ekonomike të këtyre ndodhive, sepse efekteve humane nuk mundet dot tu shmangemi. Ne nuk jemi Zoti që të shmangim shiun, breshërin, tërmetin e temperaturat e larta. Por ne mundet të parandalojmë dëmet financiare që rrjedhin prej tyre. Këtë Po, mundet ta bëjmë nëse ka vullnet e nëse të gjithë biem dakord.

Por, kush mund të sigurohej në ngjarje të tilla dhe si do të mbulohej ky sigurim?

Praktika botërore na referon shembuj, ku këto lloj rreziqesh janë të detyruara me ligj që të sigurohen, pasi ndikojnë negativisht në disa faktorë, të cilët mund të çojnë në përkeqësim të stabilitetit fiskal dhe performancës makro-ekonomike, duke detyruar qeveritë që të krijojnë fonde shpeshherë të paparashikuara. Nga ana tjetër, këto ngjarje kanë ndikim social e financiar tek familjet e prekura, pasi shkaktohen humbje jo vetëm në pasuritë e tyre, por edhe humbje e të ardhurave nga punësimi në biznese, pra ndikim tek një tjetër hallkë e shoqërisë që janë të punësuarit. Efektet ekonomike reflektohen edhe në turizëm, bujqësi, pyje, transport, infrastrukturë etj.

Format mund të jenë të ndryshme. Një nga mënyrat efikase do të ishte që shteti ta marrë vetë përsipër që ti mbulojë këto katastrofa, duke blerë rreziqet nga kompanitë e sigurimeve në Shqipëri. Këto të fundit janë të risiguruara dhe bashkëpunojnë me disa nga kompanitë më me emër në botë, kompani të mëdha siç është Munich Re, Sëiss Re apo Hannover Re, të cilat ofrojnë mundësitë për të mbuluar katastrofat natyrore të të gjitha përmasave në vend.

Mënyra tjetër është që shteti të ndërtojë një ligj, ashtu siç ka ndodhur në Turqi, në Greqi, në Rumani, në Poloni dhe pothuaj në të gjithë Europën ku sigurimi i banesave është i detyrueshëm.

Përllogaritja e primit të sigurimit bëhet duke llogaritur rreziqet potenciale të një vendi në një vit. Më konkretisht, në Shqipëri konsiderohen rreth 1 milionë banesa dhe biznese, primi i të cilave shkon përreth 30 milionë euro, të cilat shkojnë për blerjen e rreziqeve, pasi duhet të krijohet një shtresë prej minimalisht 300 milionë eurosh në vit. Atëherë llogaritet se sa duhet të jetë çmimi i këtij mbulimi dhe mbi këtë bazë caktohet edhe primi i sigurimit, i cili varion nga 10 deri në 70 euro për familje. Ky prim paguhet një herë në vit dhe mbulon të gjitha rreziqet nga katastrofat natyrore.

Duke realizuar këtë këtë lloj sigurimi dhe duke pasur një rezervë minimale, shteti mund të ndërhyjë vetëm për shtresat që janë në nevojë, që mund të jetë një vlerë 2-3 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër le të paguhet nga qytetarët, nga bizneset, nga ato që i kanë mundësitë për ti paguar, duke krijuar kështu një garanci për dëmet që mund t’u shkaktohen.

Në këtë mënyrë qytetarët do të kenë një marrëdhënie me industrinë private të sigurimeve dhe shteti duhet të luajë rolin e një arbitri shumë të fortë dhe detyrues për tregun e sigurimeve, në mënyrë që siguruesit tu përgjigjen menjëherë qytetarëve në rast dëmesh.

Realizimi i njërës prej këtyre platformave, do të shmangte përfundimisht përgjegjësinë e shtetit ndaj qytetarëve, do ti jepte një frymëmarrje Buxhetit të Shtetit, ekonomia e vendit do të rigjenerohej dhe mbi të gjitha krijohet pavarësia e çdo familjeje nga shteti!

Ekziston çdo gjë e nevojshme për qytetarët, por nuk ekziston dëshira e atyre që duhet të sigurohen dhe nuk ekziston dëshira e instancave përkatëse për të krijuar një ligj për të ndërtuar një mbrojtje kolektive të gjithanshme në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Duhet të kthehemi tek përgjegjësia individuale, që secili të ndjejë përgjegjësi për atë që ka dhe të heqë dorë nga kërkesa duke iu drejtuar shtetit, sepse ky është një mentalitet i vjetër i ngulitur keq, dhe njerëzit vazhdojnë që për çdo problem që kanë ti drejtohen shtetit, bashkive, apo institucioneve shtetërore, kur në fakt duhet ti drejtohen vetes dhe tregut të sigurimeve, sepse ai është shpëtimtari, ashtu siç ndodh edhe në të gjithë botën.

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat