Elvis Ponari, CEO i Fondit të Pensioneve SIGAL, i ftuar si panelist në emisionin “Bardhazi”, emision i bashkëdrejtuar nga Erion Kristo dhe Ornela Gaçe, shpjegoi rolin dhe kufijtë e sigurimeve në rastet e dëmeve në ndërtesa, duke marrë si referencë edhe rastin e shumëpërfolur të zjarrit te Farmacia 10.
Emisioni titullohej “Mbretëria e zjarreve”, për të trajtuar në një gjysëm ore kapacitetet parandaluese dhe korrigjuese të institucioneve përballë pushtetit të zjarreve.
Z. Ponari, i pyetur më parë nga drejtuesit, theksoi se ndërtesat mund të sigurohen nga defektet teknike përmes sigurimit të ndërtuesit, i cili është një sigurim 10-vjeçar që hyn në fuqi pas përfundimit të pallatit dhe ka si përfitues blerësin e pronës. Ky sigurim mbulon vetëm defektet e ndërtimit dhe jo rreziqe si zjarri.
Ponari nënvizoi se sigurimi ndaj zjarrit nuk është i detyrueshëm në Shqipëri dhe mbetet në përgjegjësinë e individit.
I pyetur nga paneli për mundësinë e vendosjes së këtij sigurimi si detyrim, CEO i Fondit SIGAL u shpreh se është një çështje që duhet të rregullohet nga shteti dhe se kompanitë siguruese nuk janë ligjvënëse, por ligjzbatuese.
Z. Ponari shtoi se kompanitë e sigurimit nuk ndërhyjnë për të parandaluar apo shuar zjarret, por kanë rol financiar, duke dëmshpërblyer individin ose bankën në rast dëmi, sipas përfituesit të policës siguruese.
Në diskutim u evidentua gjithashtu se sigurimi luan një rol indirekt parandalues, pasi kërkon standarde sigurie dhe rrit përgjegjshmërinë e aktorëve.
Ponari solli shembuj nga vendet europiane, ku sidomos bizneset e kateve përdhe të pallateve janë të detyruara të sigurohen ndaj zjarrit, se si edhe në disa vende siguruesit kontribuojnë financiarisht përmes një përqindjeje të caktuar në përmirësimin e shërbimeve zjarrfikëse.
Ai theksoi se sigurimi i pronës në Shqipëri është relativisht i lirë, por mbetet pak i përhapur për shkak të mungesës së informacionit dhe ndërgjegjësimit.
Në përfundim, Ponari dha mesazhin se sigurimi është një mjet për mbrojtje financiare dhe përgjegjësi ndaj vetes dhe të tjerëve, duke theksuar nevojën për më shumë ndërgjegjësim dhe masa parandaluese në shoqëri.
Ponari e mbylli me mesazhin figurativ:
“Sot po rri në një hije, sepse dikush para teje mbolli një pemë. Mbill edhe ti pemën tënde, krijo një hije”.
Përmes kësaj simbolike ai solli në vëmendje se sigurimi i sotëm është hija në rast nevoje, shpëtimi, ndihma. Mirëpo për të duhet paramenduar përmes një peme, një sigurimi në kohën dhe në mënyrën e duhur.




