15.5 C
Tirana
Saturday, October 5, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBanka e Shqipërisë: Kredia e re po u afrohet niveleve të vitit...

Banka e Shqipërisë: Kredia e re po u afrohet niveleve të vitit 2019

Sistemi bankar dha afërsisht 21 miliardë lekë kredi të re gjatë muajit shtator, duke iu kthyer rritjes vjetore pozitive.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re u rrit me 1.2% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Muaji shtator solli zhvillime disi më pozitive në segmentin e bizneseve, ku kredia arriti afërsisht të njëjtat nivele të shtatorit të shkuar. Ndërkohë, kredia për individët vijoi edhe gjatë shtatorit tendencën e qëndrueshme të rritjes afatgjatë, me një zgjerim prej 4% të volumit të kredisë së re krahasuar me një vit më parë.

Kreditimi i ekonomisë për 9-mujorin e parë të vitit po vijon të qëndrojë në nivele më të larta krahasuar me vitin 2020. Sipas Bankës së Shqipërisë, në nëntë muaj bankat kanë disbursuar rreth 174.4 miliardë lekë kredi, 4.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Kreditimi po u afrohet gradualisht niveleve të vitit 2019, megjithëse shuma e huasë së re është rreth 2% më e ulët krahasuar me 9-mujorin e vitit para pandemisë.

Deri tani, kontributi në rritje ka ardhur i gjithi nga individët, ku kredia e re është rritur me 43%. Rritja e kredisë për individët po udhëhiqet sidomos nga rritja e tregut të pasurive të paluajtshme, ku bankat po mbështesin fuqishëm kërkesën nëpërmjet huadhënies. Por, edhe përmirësimet në ekonomi po përmirësojnë gradualisht edhe kredidhënien me qëllim financimin e konsumit.

Ndërkohë, në segmentin më të madh atë të biznesit, kredia ende është në nivele më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar, me 9% më pak. Megjithatë, hendeku po ngushtohet muaj pas muaji dhe bankat po shfaqen të gatshme madje edhe për ekspozime të mëdha në segmentin e korporatave. Këtë muaj, Union Bank nënshkroi një kontratë financimi prej rreth 6 milionë eurosh me kompaninë koncesionare të portit të Porto Romanos, Porti MBM.

Sinjalet pozitive të kreditimit të ekonomisë duken më qartë edhe në ecurinë e stokut të kredisë shënoi rritje me më shumë se pesë miliardë lekë krahasuar me muajin gusht. Në fund të muajit shtator, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 636.9 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja e portofolit të kredisë ka arritur nivelin 7%, nga 6.6% që kishte qenë rritja vjetore muajin e kaluar.

Pavarësisht se kredia e re ende nuk ka arritur nivelet e para pandemisë, teprica e kredisë paraqitet në rritje të qëndrueshme. Kjo rritje po ndikohet nga pakësimi i fshirjes së kredive të humbura, ristrukturimet e aplikuara pas pandemisë, që sollën një amortizim më të ngadaltë të portofolit, por edhe nga rritja e peshës së kredisë afatgjatë në portofolin total të huasë. Edhe në këtë rast rritja, më e lartë regjistrohet në segmentin e indiviëve, ku portofoli i kredisë është zgjeruar me 10.3%, ndërsa për bizneset rritja është pak më e ulët, me 7% më shumë. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat