Aksident i rëndë mbrëmjen e djeshme në aksin Vlorë-Orikum.
Një automjet dëmtoi disa krerë bagëti dhe plagosi edhe bariun.
Për fatin e mirë, fatura në jetë njerëzore, në këtë javë të ngjeshur me aksidente fatale, ishte e bardhë.
Nga këtu, pa paragjykuar asnjë nga rrethanat e aksidentit të cilat do t’i zbardhë raporti policor në vendngjarje, shtrohet një pyetje parimore duke iu larguar rastit konkret:
A konsiderohen palë të treta bagëtitë dhe dëmi ndaj tyre, në rast se shkaktar konsiderohet automjeti, a mbulohet nga sigurimi i përgjegjësisë së palëve të treta, TPL-ja e automjetit?
Përgjigja, në parim, është sigurisht, po.
Ekspertët e sigurimeve kanë përvoja të shumta duke dëmshpërblyer dëme që vijnë si pasojë e aksidenteve automobilistike ndaj bagëtive të imta.
Deri në 750 mijë euro si dëme ndaj palëve të treta mbulohen nga TPL-ja e automjetit.
Bagëtitë, në këtë rast, së bashku me dëmin shëndetësor të bariut, konsiderohen palë të treta.
Bagëtitë, sipas rregullores së AMF, me bazë vlerën e tregut, mund të dëmshpërblehen si dëm pasuror.
Kontrata e sigurimit TPL thotë se mbulon dëmin ndaj pronës dhe dëmin ndaj personit, i cili llogaritet sipas Rregullores së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në zbatim të ligjit të sigurimit të detyrueshëm të transportit rrugor.
Dëmi ndaj pronës është dëmi i pësuar si rezultat i dëmtimit apo shkatërrimit të pronës, ndërsa dëmi ndaj personit është dëmi që vjen si rezultat i vdekjes, dëmtimeve trupore dhe përkeqësimeve të shëndetit që pëson pala e dëmtuar ose të afërmit e tij. Këtu përfshihet
dëmi pasuror dhe jopasuror, nga ku gjen hapësirë edhe dëmshpërblimi i bagëtive të dëmtuara.




