Siç e trajtuam parimisht në një shkrim të mëparshëm, rastet e kërkesave për dëmshpërblim për bagëti, të cilat financiarisht mbulohen nga TPL-të e automjeteve janë të shumta.
Këtë, për Sigurime.Online, e thanë ekspertë të shumë sigurimesh.
Në vijim do të trajtojmë për interesin publik se cila është baza ligjore ku mbështeten pretendimet për dëmshpërblim të palëve të dëmtuara, si raportohet dëmi nga pala e dëmtuar, në rastin konkret bariu apo pronari i bagëtive të imta dhe skenarët e vendimmarrjes së palës siguruese në raport me dëmin.
Baza ligjore e trajtimit
Në rast dëmesh në bagëti, si pasojë e një aksidenti automobilist, rasti trajtohet bazuar në ligjin nr. 32/2021 për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit si dhe rregulloren nr. 125 për përcaktimin e rregullave dhe metodologjisë së llogaritjes së dëmshpërblimit që mbulohet nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit.
Si duhet të veprojë pala e dëmtuar, pasi pëson dëmin?
Pala e dëmtuar, pronari ose bariu, si hap të parë procedural kryen njoftimin e dëmit pranë shoqërisë së sigurimit ku është i siguruar mjeti motorik i përfshirë në aksidentin rrugor.
Shumë e rëndësishme për t’u ditur nga publiku është se për raste të tilla, nga perspektiva e siguruesit, për këto lloj ngjarjesh sigurimi do të kërkojë të njihet në imtësi me masat administrative për shkelësit e Kodit Rrugor, dinamikën aksidentale, ose vendimin gjyqësor nëse ngjarja është referuar si vepër penale.
Në këtë mënyrë, sipas parashikimeve ligjore dhe kontratuale, dosja e raportimit të dëmit konsiderohet e plotë.
Skenarët e vendimmarrjes nga siguruesi
Me t’u plotësuar dosja e plotë e raportimit të dëmit, siguruesi, me bazën ligjore të referuar më sipër ndodhet përpara tre skenarëve të vendimmarrjeve të mundshme:
Skenari i parë
Në rastet kur konstatohet në shkelje vetëm drejtuesi i mjetit motorik, bëhet një akt vlerësimi që bazohet në referencat e tregut mbi bagëtitë e ngordhura. Në këtë skenar, nuk aplikohet pjesë e zbritshme si në rastet e dëmeve materiale motorike, por siguruesi dëmshpërblen vlerën e bagëtive të ngordhura. Mosaplikimi i pjesës së zbritshme lidhet me faktin se bagëtitë, pasi ngordhin, nuk paraqesin më vlerë ekonomike nga ripërdorimi, pasi sipas detyrimeve ligjore, ato duhen groposur me relacion shoqërues të veterinerit.
Skenari 2
Në rastin kur përpos masës administrative të drejtuesit të mjetit motorik konstatohet në procesverbal edhe shkelje nga ana e bariut, shkelje të tilla si mosmarrja e masave të kalimit të sigurt të bagëtive në karrexhate, ai vijon të jetë përfitues dëmshpërblimi, por vlera perllogaritet dhe miratohet e reduktuar, në raport me vlerën e tregut të bagëtive.
Skenari 3
Në rastet kur nuk kemi masë administrative ndaj drejtuesit të mjetit motorik, por vetëm përgjegjësinë e bagetive, të bariut, kur rasti paraqitet pranë subjektit sigurues të ketij mjeti, kompania siguruese gëzon të drejtën e refuzimit të rastit.




