14.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPensionet private/ Përfitimet do të tatohen vetëm për kthimin nga investimi, kontributet...

Pensionet private/ Përfitimet do të tatohen vetëm për kthimin nga investimi, kontributet deri në vlerën e pagës minimale përjashtohen nga tatimi

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka propozuar zyrtarisht shtimin e incentivave fiskale për pensionet private.

Në projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të paraqitur për konsultim publik, propozohen disa ndryshime në parashikimet për tatimin e pensioneve private.

Projektligji parashikon se kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij, për efekt tatimi. Kufiri maksimal mujor, për lehtësitë tatimore, do të jetë deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi.

LEXO EDHE45% të totalit të aseteve, raporti i AMF: Fondi SIGAL, lider në tregun e pensioneve private

Me legjislacionin aktual, kufiri maksimal i përjashtuar është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250 mijë lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

Edhe kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një fond pensioni vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me pagën minimale vjetore të miratuar në shkallë vendi dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i njohur, për qëllime të tatimit mbi fitimin.

Një risi tjetër e rëndësishme është heqja e tatimit të kontributit në momentin e përfitimit.

Projektligji parashikon se pagesat e marra nga anëtari i fondit të pensionit në mënyrë periodike mujore, tatohen vetëm për kthimin nga investimi, me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale. Aktualisht, i gjithë përfitimi i pensionit privat tatohet me normën ligjor të tatimit mbi të ardhurat personale (sot 15%).

Projektligji parashikon që tashmë tatimi do të aplikohet vetëm për kthimin nga investimi, por me kusht që klienti të mos i tërheqë përfitimet në mënyrë të menjëhershme, por me pagesa mujore. Në rast të kundërt, tërheqja e menjëhershme të gjithë fondeve, do të tatohet e gjitha, duke përrfshirë edhe kontributet.

Ndërkohë, tërheqja e parakohshme tatohet me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale për vlerën e plotë të aktiveve të tërhequra parakohe, përfshirë kontributet. Aktualisht, tërheqjet e parakohshme të fondeve tatohen në masë më të ulët, por në mënyrë të përshkallëzuar, sipas kohës që ka kaluar nga fillimi i derdhjes së kontributeve.

Ndryshimet e parashikuara në ligjin e tatimit mbi të ardhurat reflektojnë kryesisht propozimet e paraqitura nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në projektligjin që po shqyrtohet paralelisht, “Për fondet private të pensioneve”.

Rritja e stimujve fiskalë shihet nga AMF dhe nga shoqëritë administruese si një mekanizëm që mund të rrisë interesin e punonjësve, por edhe të punëdhënësve, për të kontribuar në fondet e pensioneve private.

Rritja e skemës së fondeve private të pensioneve mund të jetë një mënyrë për të ulur varësinë e shoqërisë nga skema publike e pensioneve dhe për të lehtësuar këtë skemë në afatin e gjatë.

LEXO EDHEFondi SIGAL vjen me lehtësira/ Tani mund të hapni edhe online llogarinë tuaj të pensionit

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat