15.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetAMF: Nevojitet skemë kombëtare për përballimin e katastrofave natyrore

AMF: Nevojitet skemë kombëtare për përballimin e katastrofave natyrore

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) sjell, edhe një herë në vëmendje, nevojën e krijimit të një skeme kombëtare për përballimin e katastrofave natyrore.

Në një prononcim të posaçëm për Monitor, lidhur me pritshmërinë e tregjeve në mbikëqyrje për vitin 2022, AMF thotë se sigurimi i pronave nga fatkeqësitë natyrore ngelet në nivele shumë të ulëta dhe se zgjidhja për t’u përballur me këto rreziqe është ngritja e një skeme kombëtare.

Për vitin 2022, AMF do të kompletojë paketat rregullatore, në zbatim të ligjeve të reja për tregjet nën mbikëqyrje. Sipas tij, Autoriteti synon të thellojë më tej procesin e dixhitalizimit, si përmes shërbimeve të ofruara, ashtu edhe për sa i përket modernizimit të sistemeve të raportimit dhe analizave financiare, në funksion të rritjes së eficiencës në proceset mbikëqyrëse.

Si do ta vlerësonit ecurinë e tregjeve financiare në mbikëqyrjen e AMF-së për vitin 2021?

Në vitin 2021, tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit jo vetëm janë rimëkëmbur, pas efekteve të pandemisë në vitin e kaluar, por edhe kanë shënuar rritje të shpejtë. Shohim një rritje si në nivel të ardhurash, nga primet e sigurimeve, ashtu edhe në nivel asetesh sa u përket fondeve të investimeve dhe atyre të pensioneve private, por edhe në nivel anëtarësh.

Për periudhën janar-nëntor 2021, tregu i sigurimeve u rrit me 17.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si edhe me 11% krahasuar me vitin 2019. Në tregun e fondeve të investimeve, asetet neto deri në 30.09.2021 arritën në 75.1 miliardë lekë, me rritje prej 11.5% krahasuar me fundvitin 2020.

Tregu i fondeve të pensioneve private u rrit me rreth 19% sa i përket vlerës së aseteve, si dhe 6.1% sa i përket numrit të anëtarëve. Janë përmirësuar gjithashtu treguesit e likuiditetit, mjaftueshmërisë së kapitalit dhe mbulimit me provigjione në nivel tregu.

Gjatë muajve të fundit është realizuar një riformatim domethënës ligjor e rregullator i pjesës më të madhe të ligjeve të tregjeve financiare nën mbikëqyrje. Autoriteti ka vijuar me miratimin e akteve nënligjore, në zbatim të këtyre ligjeve dhe është në fazën finale të pjesës së mbetur të rregulloreve.

Së fundmi ka dalë për konsultim publik edhe projektligji “Për fondet e pensionit privat” dhe Autoriteti ka nisur tryezat e diskutimit me të gjithë aktorët e përfshirë. Aktet e reja modernizojnë legjislacionin tonë për tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit dhe e sjellin atë më afër me Direktivat Europiane.

Harmonizimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Europian ka shtuar mundësitë e ndërlidhjes dhe ka diversifikuar hapësirat, duke sjellë një vëmendje të shtuar të emrave të rëndësishëm europianë për të qenë të pranishëm në vendin tonë, nëpërmjet platformave të ndërlidhjes me tregjet ndërkombëtare, ose fondeve të investimit. Rritja e pranisë ndërkombëtare në tregjet financiare është një zhvillim i dëshiruar, pasi rrit standardet e tregut, por rrjedhimisht, edhe ato të mbikëqyrjes.

Së fundmi, ju keni propozuar një projektligj të ri për fondet private të pensioneve? Cilat janë objektivat kryesore të projektligjit të ri dhe si mund të ndihmojë ai në shtimin e numrit të shqiptarëve që investojnë në një pension privat?

Ligji aktual i fondeve të pensioneve private, i cili daton që nga viti 2009, megjithëse shërbeu për të krijuar skemat aktuale të fondeve të pensioneve, duhet të rinovohej pas miratimit të Direktivës së re të Komisionit Europian, IORP II. Ligji i ri, duke përafruar Direktivën, modernizon kuadrin rregullator dhe pritet të zgjerojë format e pensioneve private, si dhe politikat e investimit të shoqërive administruese, duke diversifikuar portofolin e fondeve.

Ndryshimet ligjore prekin edhe aspekte të menaxhimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive administruese të fondeve të pensionit privat, që kanë të bëjnë me kërkesa më strikte rregullatore sa i përket administrimit të rrezikut dhe ruajtjes e veçimit të aseteve të fondit, rritjen e kërkesave për transparencë dhe informacion për anëtarët e fondit, krijimin e strukturave të kontrollit të brendshëm, lidhur me përputhshmërinë.

Gjithashtu është parashikuar rregullimi i veprimtarisë ndërkufitare të shoqërive administruese, si dhe janë përcaktuar modalitetet në lidhje me promovimin e fondeve të pensionit, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre fondeve.

Megjithëse Shqipëria ka tashmë një bursë funksionale, në të ende nuk ka kompani private që të tregtojnë titujt e tyre. Si mund të nxitet zhvillimi i tregut të kapitalit dhe a besoni se viti 2022 do të sjellë risi në këtë drejtim?

Një treg i zhvilluar kapitalesh ndikon direkt në ekonominë e vendit, në krijimin e drejtë të çmimeve të titujve, në sigurimin e alternativave të reja të investimit për investitorët, si dhe alternativave të reja të financimit për bizneset shqiptare.

Ligjet e reja nëpërmjet rritjes së kërkesave për transparencë e forcimit të rolit mbikëqyrës e rregullator synojnë rritjen e besimit në mekanizmat e tregut, si elemente thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së investitorëve në tregje, duke shfrytëzuar alternativat e reja të investimit.

Infrastruktura e tregtimit dhe pastregtimit tashmë është e plotë. Parashikimi i një shumëllojshmërie të instrumenteve financiare në legjislacionin e ri ka hedhur bazat për krijimin dhe zgjerimin e llojeve të instrumenteve financiare tërheqëse për investitorin shqiptar, të cilat mundësojnë diversifikimin e portofolit të investitorit, transferimin e rrezikut, apo edhe sigurimin e likuiditetit.

Autoriteti, me asistencën e konsulentëve të huaj dhe ekspertizë të Bankës Botërore, është në fazën përmbyllëse të miratimit të kuadrit rregullator, në zbatim të kërkesave të ligjit të ri për tregjet e kapitalit. Megjithatë, zhvillimi i tregut të kapitaleve kërkon angazhimin e shumë pjesëmarrësve apo institucioneve me rol kyç në këtë treg.

Tregjet e kapitalit

Autoriteti, me asistencën e konsulentëve të huaj dhe ekspertizë të Bankës Botërore, është në fazën përmbyllëse të miratimit të kuadrit rregullator, në zbatim të kërkesave të ligjit të ri për tregjet e kapitalit. Megjithatë, zhvillimi i tregut të kapitaleve kërkon angazhimin e shumë pjesëmarrësve apo institucioneve me rol kyç në këtë treg.

Edhe pas tërmeteve të vitit 2019, Shqipëria ende ka një mbulim të ulët me sigurimin e pronave nga fatkeqësitë natyrore.

Si mund të rritet mbrojtja e publikut nga këto rreziqe dhe a mendoni se zgjidhja duhet kërkuar te sigurimet vullnetare apo te ngritja e një skeme kombëtare të detyrueshme të sigurimit nga katastrofat?

Pas ngjarjeve të tërmetit të fundvitit 2019, ka pasur një trend rritës sa i përket sigurimit të pronave nga fatkeqësitë natyrore. Numri i kontratave në këtë kategori sigurimi në vitin 2020 u rrit me 4%, krahasuar me vitin 2019. Rritja ka vijuar edhe në vitin 2021, si në nivel kontratash, ashtu edhe në nivel primesh.

Pavarësisht trendit rritës, sigurimi i pronave nga fatkeqësitë natyrore mbetet në nivele shumë të ulëta, rreth 3%. Duke marrë në konsideratë menaxhimin dhe trajtimin e dëmeve të tërmeteve të fundvitit 2019 nga shoqëritë e sigurimit, potencialin e menaxhimit të riskut nëpërmjet risigurimit, si dhe efektin në Buxhetin e Shtetit dhe ekonominë në tërësi që sjell një fatkeqësi natyrore, Autoriteti vlerëson nevojën e krijimit të një skeme kombëtare për përballimin e katastrofave natyrore.

Ndërmarrja e hapave në këtë drejtim është vlerësuar në vijimësi si domosdoshmëri nga Banka Botërore, e cila, edhe në raportin e publikuar në dhjetor të vitit 2020, nënvizon se Shqipëria është e ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ka nivelin më të lartë të riskut nga katastrofat në Europë. Në vlerësimet e saj, Banka Botërore konstaton se ndikimi i pandemisë e ka bërë Shqipërinë më vulnerabël ndaj katastrofave, që mund të sjellin përkeqësim të ekonomisë dhe financave publike.

Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore dhe cilat prisni të jenë sfidat kryesore për tregjet financiare nën mbikëqyrjen e AMF në vitin 2022?

Ecuria e pandemisë dhe lajmet mbi variantin e ri të koronavirusit, Omicron, i cili ka sjellë aktualisht kufizime domethënëse në mbarë botën, shoqëruar edhe me efekte në ekonomi, pritet të sjellë ndikime edhe në Shqipëri. Në një kohë kur risqet pritet të jenë të pranishme edhe në vitin 2022, Autoriteti do të vijojë monitorimin e kujdesshëm të tregjeve, në funksion të respektimit të kërkesave rregullatore të subjekteve nën mbikëqyrje.

Për vitin 2022 do të kompletohet paketa rregullatore, në zbatim të ligjeve të reja për tregjet nën mbikëqyrje. Autoriteti synon të thellojë më tej procesin e dixhitalizimit, si përmes shërbimeve të ofruara, ashtu edhe për sa i përket modernizimit të sistemeve të raportimit dhe analizave financiare, në funksion të rritjes së eficiencës në proceset mbikëqyrëse.

Pritshmëritë

Ecuria e pandemisë dhe lajmet mbi variantin e ri të koronavirusit, Omicron, i cili ka sjellë aktualisht kufizime domethënëse në mbarë botën, shoqëruar edhe me efekte në ekonomi, pritet të sjellë ndikime edhe në Shqipëri. Në një kohë kur risqet pritet të jenë të pranishme edhe në vitin 2022, Autoriteti do të vijojë monitorimin e kujdesshëm të tregjeve, në funksion të respektimit të kërkesave rregullatore të subjekteve nën mbikëqyrje.

Lexo edhe: VIDEO/ Frikë nga tërmetet? Ja zgjidhja që kanë gjetur dy çunat e “Fiks Fare”

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat