Kanadaja po teston një model të ri të sigurimit bujqësor të mbështetur nga inteligjenca artificiale.
Kështu raportohet nga Insider Business.
Ky model i ri vjen synim modernizimin e mënyrës së menaxhimit të riskut në bujqësi dhe krijimin e një sistemi më efikas publik-privat për fermerët.
Projekti do të ketë një vlerë prej 11.3 milionë dollarë dhe drejtohet nga Agi3 Ltd, në bashkëpunim me Agi3 Risk Services Ltd dhe Aon Reinsurance Solutions Canada, ndërsa 5.1 milionë dollarë financohen nga Protein Industries Canada.
Nisma synon krijimin e një platforme hibride që lidh programet publike të menaxhimit të riskut në bujqësi (BRM) me zgjidhje private sigurimi, duke përdorur analiza të avancuara me AI, modele të performancës dhe mjete vendimmarrjeje për fermerët, këshilltarët, siguruesit dhe qeverinë.
Aktualisht, sistemi kanadez i menaxhimit të riskut mbështetet te programet federale dhe provinciale si AgriInsurance, AgriStability dhe AgriInvest. Fermerët kanë kritikuar shpesh kompleksitetin, boshllëqet në mbulim dhe vonesat në pagesa, sidomos përballë rritjes së ngjarjeve ekstreme klimatike dhe luhatjeve të çmimeve.
Partnerët e projektit thonë se modeli i ri do t’u japë fermerëve opsione më të personalizuara sigurimi dhe do të ndihmojë agjentët e këshilltarët të ofrojnë zgjidhje më të qarta.
Projekti synon gjithashtu të krijojë një bazë më të standardizuar për risiguruesit dhe kapitalin privat, duke e bërë riskun bujqësor kanadez më të parashikueshëm dhe më tërheqës për tregun e risigurimeve.
Protein Industries Canada e konsideron këtë zhvillim pjesë të strategjisë kombëtare për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe zhvillimin e sektorit agro-ushqimor.
Nëse rezulton i suksesshëm, modeli kanadez mund të shërbejë si referencë edhe për vende të tjera që kërkojnë të modernizojnë programet publike të sigurimit bujqësor dhe të përballojnë më mirë riskun klimatik.




